Edhe atyre që kanë ardhur më pas e thonë... -
Brezi që erdhi pas muhaxhirëve dhe ensarëve, duke këshilluar vetveten dhe të gjithë besimtarët, luteshin e thoshin:
Zoti ynë, falna ne dhe vëllezërit tanë, që u pajisën me besim para nesh, dhe mos lejo në zemrat tona urrejtje ndaj atyre që besojnë! -
Kjo është një dua e të gjithë besimtarëvë, qofshin nga të parët, qofshin nga të mëvonshmit. Një nga dobitë më të mëdha të imanit është që besimtarët luten për njëri-tjetrin, për shkak të lidhjes së fortë të imanit mes tyre. Ata janë vëllezër në fe dhe kanë detyrime ndaj njëri-tjetrit. Ndër detyrimet më kryesore të kësaj vëllazërie është dashuria dhe lutja për njëri-tjetrin. Allahu i Lartësuar përmend lutjen për pastrimin e zemrës nga urrejtja, pasi në zemrën e besimtarëve nuk duhet të ketë asnjë thërrmijë urrejtjeje për vëllezërit e tyre besimtarë. Duke u lutur për pastrimin e zemrës nga urrejtja për besimtarët, sado e vogël qoftë ajo, ata njëkohësisht janë lutur që zemrat e tyre të mbushen me dashuri, miqësi, dhe mirësi kundrejt vëllezërve të tyre muslimanë. Në këtë mënyrë, ata gjithmonë do të dëshirojnë të mirën dhe do të këshillojnë njëri-tjetrin për punë të mira dhe durim. Kështu do të përpiqen të përmbushin të gjitha detyrimet vëllazërore të ndërsjellta. Allahu i Lartësuar e përshkroi brezin pas sahabëve (tabi’in-ët) si pasues të të njëjtit iman me sahabët, pasi ata luteshin: “O Zoti ynë, na fal neve dhe vëllezërit tanë që na prinë në iman!” Me fjalë të tjera, ky brez që erdhi pas sahabëve ishin pasues të denjë dhe rigoroz të fesë së sahabëve, në themelin dhe degëzimet e saj. Këta janë ata të cilët quhen “Ehlu Suneh uel Xhema’a” – “Pasues të Sunetit dhe xhematit të muslimanëve”, sepse ata i plotësonin më së miri cilësitë e përmendura në ajet. Allahu i Madhëruar tregon se ata luteshin për falje gjynahesh për veten e tyre dhe për besimtarët. Ata e pranonin se ishin gabimtarë ndaj Allahut të Lartësuar, por kërkonin falje si për veten, edhe për vëllezërit e tyre. Ata përpiqeshin shumë që të pastronin zemrat e tyre nga çdo lloj sëmundjeje dhe urrejtjeje për vëllezërit muslimanë dhe kultivonin në zemra veçse dashurinë për njëri-tjetrin, për hir të besimit. Ata zbatonin porosinë e Profetit (a.s.), që thoshte: “Nuk beson askush prej jush, derisa të dojë për vëllain e vet atë që do për veten e tij!”. Ata gjithmonë këshillonin njëri-tjetrin dhe i dëshironin të mirën vëllait, qoftë kur ishte i pranishëm, qoftë kur mungonte, qoftë kur ishte i gjallë, qoftë kur ishte i vdekur. Nga ajeti mësojmë se këto që u përmendën janë disa nga detyrimet e muslimanëve ndaj njëri-tjetrit.
Zoti ynë, Ti je i Butë e Mëshirëplotë! -
Lutja e tyre mbyllet me dy emra të mrekullueshëm të Allahut të Lartësuar, që tregojnë mëshirën e plotë të Allahut të Madhëruar, butësinë e Tij të papërshkrueshme për besimtarët dhe bamirësinë e Tij të madhe ndaj tyre. Ndër mirësitë më të mëdha, madje më e madhja, ishte pajisja e tyre me iman dhe me forcën e mjaftueshme për të punuar sipas tij. Ai u dha sukses atyre për të plotësuar si të drejtat e Allahut të Lartësuar, ashtu edhe përgjegjësitë kundrejt robërve të Tij, dhe në mënyrë të veçantë kundrejt besimtarëve. Këto tri grupe, pra, muhaxhirët, ensarët dhe brezi pas tyre ishin ata që meritonin të merrnin pjesë prej el fej’u-t, që shpenzohet në dobi të Islamit dhe muslimanëve. Këta ishin njerëzit më të zgjedhur. Zoti na bëftë prej tyre, me mirësinë dhe bujarinë e Tij!