Zoti yt është i Pasuri, Zotëruesi i Mëshirës. Po të dëshironte, Ai mund t'ju shkatërronte ju dhe të sillte në vendin tuaj kë të donte, ashtu sikurse ju solli ju nga pasardhësit e popujve të tjerë. -
Nëse ju jeni të sigurt që do të largoheni patjetër nga kjo dynja, ashtu sikurse u larguan ata që ishin para jush, për t’ua lënë atyre që do të vijnë pas jush, ashtu sikurse të parët jua lanë juve, atëherë përse e trajtoni këtë dynja si një vendqëndrim të përhershëm? Përse jepeni tërësisht pas saj dhe harroni se ajo është thjesht një vendkalim dhe jo një vendqëndrim? Ju e lini në harresë dhe mundoheni ta injoroni faktin që para jush ju pret një jetë dhe një vend i mrekullueshëm, ku janë mbledhur të gjitha mirësitë, vend i cili, nëse nënshtroheni dhe i bindeni Zotit, ka për të qenë për ju i sigurt dhe i pastër nga çdo ligësi dhe fatkeqësi. Ai është vendi i gëzimeve dhe i lumturisë, për të cilin garuan të parët dhe të fundit dhe drejt të cilit janë nisur me mall garuesit e punëve të mira dhe ata që ndoqën gjurmët e tyre. Kur ata të mbërrijnë në të, do të gjejnë përjetësinë mes të mirave dhe kurrë nuk do të largohen prej andej. Ai është destinacioni final, pas të cilit nuk ka destinacion tjetër. Tek ai përqendrohen të gjitha synimet dhe dëshirat e të mençurve. Atje - për Zotin! - gjendet çdo gjë që shpirti e dëshiron dhe me të cilën syri kënaqet. Në të gjenden mirësi, për të cilat ia vlen të garosh dhe të përkushtohesh. Shpirtrat mbushen me lumturi, kënaqësi dhe përjetime të papërshkrueshme. Gjuha është e paaftë që të flasë për kënaqësitë e trupit dhe të zemrës atje. E si mund të përshkruash lumturinë e robit kur ai të qëndojë pranë Atij që i di të gjitha të fshehtat? Subĥânallâh! Sa i madh duhet të ketë qenë malli dhe dëshira e atyre që u përpoqën dhe luftuan për t’i arritur këto mirësi. Sa i fortë duhet të ketë qenë vullneti i atyre që synuan këto grada! Sa e ulët ka qenë përzgjedhja dhe synimet e atyre që u kënaqën me këtë jetë kaq të mangët dhe të parëndësishme! Sa i dobët ka qenë vullneti i atyre që zgjodhën këtë humbje kaq të madhe! Atyre që janë të pavëmendshëm dhe i kanë kthyer shpinën përgatitjes për jetën tjetër, kurrsesi të mos u duket e largët dita kur do të dalin para gjykimit me drejtësi të të Madhërishmit. I Lartësuari thotë: