Kur shohin ndonjë tregti ose dëfrim, rendin drejt tyre,... -
Ata dalin me nxitim nga xhamia, të joshur nga kotësitë e kësaj dynjaje, duke e lënë mirësinë e vërtetë. Allahu i Madhëruar thotë:
...duke të lënë ty në këmbë. -
Kjo ndodhi një ditë xhumaje, kur Profeti (a.s.) ishte duke mbajtur hytben në xhami. Në këtë kohë, njerëzit dëgjuan për një karvan plot me mallra tregtie, që kishte ardhur në Medinë, dhe filluan të largoheshin nga xhamia, duke e lënë Profetin (a.s.) duke mbajtur hytbe. Kështu, ata treguan mungesë të theksuar edukate dhe respekti ndaj Profetit (a.s.) dhe ndaj një adhurimi të rëndësishëm, siç është falja e xhumasë. Ata braktisën diçka që nuk duhet ta braktisnin kurrë, sepse Allahu i Lartësuar thotë:
Thuaju: “Çfarë gjendet tek Allahu është shumë herë më e mirë se dëfrimi dhe tregtia. Allahu është Furnizuesi më i mirë!” –
Shpërblimi me mirësi dhe begati për devotshmërinë ndaj Zotit, është shumë më i mirë sesa tregtia, lojrat dhe kotësitë. Është e vërtetë që nëpërmjet tregtisë arrihen disa dobi e mirësi, por ato janë shumë pak, madje të mundimshme, kur i krahason me mirësitë e shumta të ahiretit. Durimi në zbatimin e urdhrave të Allahut nuk duhet të mendohet kurrë si shkak i varfërimit, sepse Allahu i Lartësuar është Furnizuesi më i mirë. Ata që bëhen të devotshëm ndaj Allahut do të furnizohen prej andej nga nuk e mendojnë e nuk e llogarisin fare. Nga këto ajete nxirren shumë dobi:
- Adhurimi i xhumasë është detyrim për secilin besimtar. Është detyrë, gjithashtu, përkushtimi në plotësimin e këtij adhurimi.
- Dëgjimi i të dyjave pjesëve të hytbes së xhumasë është farz, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “...nxitoni për atje ku përmendet Allahu”, dhe është komentuar se këtu flitet për dy pjesët e hytbes.
- Ligjshmëria e thirrjes së ezanit ditën e xhuma, madje urdhërimi për të.
- Ndalesa e shitblerjes pas thirrjes së ezanit. Shitblerja gjatë kësaj kohe është haram, sepse ajo të pengon nga plotësimi i detyrimit. Kjo tregon se çdo çështje, edhe nëse në origjinë mund të jetë e lejuar, nëse në ndonjë gjendje të caktuar ajo të pengon nga kryerja e një detyrimi, atëherë ajo konsiderohet e palejueshme.
- Në këto ajete urdhërohemi që të jemi të pranishëm në të dyja hutbet e ditës së xhuma dhe qortohet rëndë ai që nuk merr pjesë në to. Në mënyrë indirekte, kuptohet gjithashtu se gjatë dy hytbeve është detyrë heshtja dhe përqendrimi në dëgjimin e ligjëratës.
- Ajetet na mësojnë se si duhet të veprojë robi i cili, kur thirret në adhurimin e Allahut, gjen vështirësi në veten e vet, sepse joshet nga argëtimet dhe kënaqësitë e kësaj dynjaje, përfshi edhe tregtinë. Në të tilla raste, ilaçi më i mirë për t’u bërë i qëndrueshëm në adhurimin e Allahut, duke mos u kotur në plotësimin e dëshirave të nefsit, është që robi t’i kujtojë vetvetes mirësitë dhe begatitë e shumta që Allahu i Lartësuar premton për besimtarët që u japin përparësi veprave që kënaqin Atë, kundrejt epshit dhe dëshirave të tyre.
Këtu përfundon tefsiri i sures Xhumua, dhe falënderimi i takon Allahut të Madhëruar!