“Ata do të thonë: “Sikur të kishim dëgjuar dhe pasur mend, ne nuk do të ishim tani ndër banorët e Zjarrit.”.” -
Këto fjalë do të jenë një dëshmi nga vetë ata që tregojnë pazotësinë dhe pameritueshmë-rinë e tyre për t’u udhëzuar në rrugën e drejtë. Vetë ata do ta pranojnë që kurrë nuk e merituan që të shpëtonin prej Zjarrit të madh. Dihet që rruga e udhëzimit është dëgjimi i Shpalljes dhe i udhëzimeve të Zotit dhe kuptimi qartë i qëllimit të tyre. Duke dëgjuar udhëzimin e qartë dhe të sigurt të sjellë prej Zotit dhe profetëve të Tij, njeriu fiton sigurinë rreth urtësisë dhe qëllimeve të Zotit, nga njëra anë, dhe detyrave të tij si rob, nga ana tjetër. Duke vënë në përdorim logjikën, nëpërmjet së cilës çdo njeri mund të dallojë të dobishmen nga e dëmshmja, të drejtën nga e padrejta, të vërtetën nga e kota, ai duhet që ta disiplinojë veten sipas të vërtetës së sigurt, që i ka ardhur prej Zotit. Nëpërmjet kësaj logjike, ai duhet që të largohet dhe të ruhet nga çdo gjë kërcënuese, të marrë të mirat dhe të largohet nga të këqijat. Pavarësisht nga kjo, ata të mjerë do dëshmojnë vetë se nuk e vunë në përdorim atë mirësi të dhuruar prej Zotit të tyre. E si mund të trajtoheshin të tilla krijesa njëlloj me robërit e përzgjedhur, që kanë siguri dhe dije të plotë mbi udhëzimet e Zotit dhe të profetëve, që janë të mbushur me besim dhe sinqeritet për të Adhuruarin?! Ata e mbështesin besimin e tyre në dëshmi të përcjella qartë dhe në mënyrë të kontrolluar. Ata e dëgjojnë ashtu siç është, pa ndryshime e tjetërsime, mesazhin e Allahut dhe të Profetit të Tij. Ata, gjithashtu, e kuptojnë drejt këtë mesazh, sikurse i mësoi dhe i udhëzoi Profeti i tyre. Pas të kuptuarit të drejtë, ata e ndërtojnë jetën e tyre mbi mësimet e tij, mbi këtë themel të patundur, dhe kështu ngrihet lart kështjella e besimit të tyre. Dituria, të kuptuarit dhe veprat e sinqerta: këto janë bashkëudhëtarët e jetës së tyre. Ata dinë të dëgjojnë argumentet fetare të përcjella prej Profetit të tyre, por dinë gjithashtu që të argumentojnë drejt edhe me logjikën e tyre. Me shumë thjeshtësi, ata dallojnë udhëzimin e drejtë nga rrugët e devijuara, mirësinë nga poshtërsia dhe të bukurën nga e shëmtuara. Bazat fetare dhe logjike të argumentimit, mbi të cilat ata ndërtojnë besimin e tyre, janë një mirësi e madhe, që Zoti ua jep vetëm atyre, si rob të përzgjedhur. Allahu i Lartësuar dhe i Urtë veçon me mirësinë e Tij atë që Ai dëshiron. Ai është i Gjithëditur dhe e di shumë mirë se kush i meriton e kush jo dhuratat e Tij. Allahu i Lartësuar na tregon sërish rreth këtyre banorëve të Zjarrit, të cilët do t’i pranojnë padrejtësitë dhe gjynahet e tyre.