Por kur ata i shpërfillën paralajmërimet që u qenë bërë, Ne i shpëtuam ata që ndalonin të këqijat;... - Kur ata shpërfillën këshillat dhe vazhduan në rrugën e tyre të keqe, Allahu i Madhëruar i ndëshkoi, por nga ana tjetër, Ai shpëtoi këshilluesit, që ndalonin nga të këqijat. Ky është rregulli i pandryshueshëm i Allahut të Lartësuar me robërit e Tij: kur Ai ndëshkon një popull, nga ky ndëshkim shpëtojnë vetëm ata që urdhërojnë për të mira dhe ndalojnë nga të këqijat.
...ndërsa ata që kundërshtuan, i ndëshkuam me një dënim të ashpër për shkak se ishin të shfrenuar. - Allahu i Madhërishëm i ndëshkoi rëndë ata të cilët e meritonin, sepse bënë padrejtësi dhe shkelën rregullin e sabathit. Ndërsa për ata që u thanë këshilluesve: "Pse këshilloni një popull të cilin Allahu dëshiron ta ndëshkojë", shpjeguesit e Kur'anit kanë dhënë mendime të ndryshme. Megjithatë, si mendim më i saktë dhe më i përhapur është se edhe ata shpëtuan, pasi Allahu i Lartësuar na tregon se ndëshkimin e Tij e kufizoi vetëm për ata që bënë padrejtësi, që kaluan kufijtë dhe shkelën rregullin e të shtunës. Gjithashtu, dihet se detyra e urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga të këqijat është e tillë që, nëse e kryen një grup besimtarësh, atëherë nuk është më detyrim për të tjerët. Edhe ai grup u mjaftua me atë që kishin bërë të tjerët. Përveç kësaj, ata thanë: "Pse e këshilloni një popull të cilin Allahu dëshiron ta ndëshkojë?!" Kjo tregon se ata e urrenin atë grup për shfrenimin e tyre dhe e dinin shumë mirë se Allahu do t’i ndëshkonte ata. Ata i urrenin veprat e të padrejtëve, daljen nga kufijtë e Allahut të Lartësuar dhe mosbindjen ndaj urdhrave të Tij. Për këtë arsye, ata nuk mund të ndëshkoheshin njëlloj si ata të cilët bënin gjynahe. E si mund të ndëshkoheshin, kur ata e urrenin të keqen dhe ishin të bindur se Allahu i Lartësuar do t’i ndëshkonte ashpër të padrejtët?!