S’ka dyshim se ai (Zjarri) është një nga belatë më të mëdha. Ai është vërejtje për njerëzit. Për atë nga mesi juaj që dëshiron të përparojë apo të ngecë në vend.” –
Pra, Zjarri pa dyshim që është nga çështjet më të mëdha dhe më të rëndësishme, për të cilin duhet patur shumë kujdes. Kështu, i Madhëruari betohet për vërtetësinë e zjarrit të Xhehenemit. Kjo do të thotë që, secili prej nesh që dëshiron të përparojë, le të bëjë ato vepra që e afrojnë te Zoti dhe që fitojnë kënaqësinë e Tij, le të nxitojë drejt Xhenetit të bujarisë së të Gjithëmëshirshmit, në atë vend ku Ai i nderon të zgjedhurit e Tij. Ndërsa ata që nuk e dëshirojnë afrimin me Zotin dhe mirësitë e premtuara prej Tij, ata vazhdojnë e merren me kotësira e mosbindje ndaj Zotit. Ata i kanë kthyer shpinën qëllimit për hir të të cilit Zoti i krijoi, pra, adhurimit të përkushtuar ndaj Tij, si Një i Vetëm dhe i Pashoq, me dashuri e madhërim. Ata nuk synojnë ato fjalë e vepra që Zoti i dëshiron prej tyre, por zhyten në gjynahe e në mosbindje, në mospërfillje të paralajmërimeve të sjella nga Zoti, përmes shpalljeve dhe profetëve. Kështu, ata vazhdojnë të afrohen në zjarrin e Xhehenemit, derisa e bëjnë të pakthyeshëm ndëshkimin në të. I Lartësuari e ka qartësuar të vërtetën dhe rrugën që të çon tek Ai dhe në Xhenetet e Tij. Ai, gjithashtu, i ka nxitur njerëzit që të kryejnë ato vepra që i ka treguar në Shpalljen e Tij. Pas kësaj, çdo njeri ose do të besojë i qartë, ose do të mohojë i qartë dhe me vetëdije të plotë. Në një ajet tjetër, i Madhëruari thotë: “Thuaj: “Dhe thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë. Për jobesimtarët, Ne kemi përgatitur një Zjarr muret e të cilit do t'i rrethojnë ata, e nëse kërkojnë shpëtim, do t'u jepet ujë (i nxehtë) si bakër i shkrirë që do t'ua përvëlojë fytyrat. Sa e tmershme është ajo pije! Sa vend i keq është ai!”.” [Kehf, 29].