...dhe shpirtrat të bashkohen;... -
Njerëzit do të grumbullohen bashkë, në varësi të veprave që kanë punuar në dynja: të mirët me të mirët dhe të ligjtë me të ligjtë. Besimdrejtët do të martohen me hyritë symëdha. Ndërsa mohuesit e të Madhëruarit do të bashkohen me shejtanët më të shëmtuar. Kjo i ngjan shumë ajetit, ku i Madhëruari thotë: “Jobesimtarët do të sillen në Xhehenem turma-turma. Kur mbërrijnë atje, dyert e tij hapen dhe rojat e tij do të thonë: “A nuk ju erdhën të dërguar nga mesi juaj, që t'jua përcillnin shpalljet e Zotit tuaj dhe t'ju paralajmëronin për takimin tuaj në këtë ditë?!” Ata do thonë: “Po, (patën ardhur)”. Por vendimi për dënimin e jobesimtarëve tashmë është bërë realitet. Atyre do t’u thuhet: “Hyni në dyert e Xhehenemit! Aty do të jeni përgjithmonë. Eh, sa vendbanim i keq është ai për kryeneçët!” [El zumer 71, 72]. Ndërsa për të mirët, i Madhëruari thotë: “Kurse ata që kanë qenë të devotshëm ndaj Zotit të tyre, do sillen në Xhenet grupe-grupe. Kur të arrijnë aty, dhe dyert e tij të hapen, rojat e tij do të thonë: “Selamun alejkum (Paqja qoftë mbi ju)! Të mira ishin veprat tuaja. Hyni në të! “Aty do të banoni përgjithmonë.”. [El zumer 73]