Allahu i Lartësuar u kujton besimtarëve mirësitë e Tij të shumta dhe ndihmën e madhe në shumë luftëra të tyre kundër mohuesve. Në mënyrë të veçantë, Ai u kujton ndihmën e Tij në betejën e Hunejnit, kur u shtrënguan aq shumë, saqë u larguan nga fushëbeteja. Toka, aq e gjerë sa është, atyre ju duk e ngushtë dhe mbytëse. Kur çliroi Mekën, Profeti (a.s)dëgjoi se fisi Heuazin kishte nisur mobilizimin për të kryer një luftë kundër tij. Kështu, Profeti u nis drejt këtij fisi, në krye të një ushtrie me sahabë të vjetër, që kishin marë pjesë në çlirimin e Mekës, por edhe shumë mekas që sapo kishin pranuar Islamin. Ishte një ushtri shumë e madhe prej 12000 vetësh, ndërkohë që ushtria e idhujtarëve ishte vetëm me 4000 vetë. Ky raport numerik u pëlqeu disa muslimanëve, të cilët në vetëkënaqësi e sipër thanë: “Sot nuk ka asnjë mundësi të mposhtemi!” Kur u përballën dy ushtritë, forcat e fisit Heuazin u lëshuan me një mësymje të menjëhershme mbi forcat muslimane, të cilat u çoroditën dhe nuk po shikonin më nga po iknin. Rreth e rrotull Profetit (a.s) mbetën veçse njëqind burra të patundur, të cilët luftuan kundër idhujtarëve, që vërshonin nga çdo drejtim. Ndërkohë, Profeti i Allahut, pa u trembur, e drejtoi mushkën mbi të cilën qëndronte drejt idhujtarëve dhe u nis me vrull drejt tyre duke thënë: “Unë jam Profet e jo mashtrues. Unë jam biri i Abdul Mutalibit.". Duke parë se çfarë ndodhi me muslimanët, Profeti urdhëroi Abas Ibn Abdil Mutalibin që të thërriste me zë të lartë ensarët dhe muslimanët e tjerë, që po largoheshin nga fushëbeteja. Abasi shquhej për zërin e tij kumbues dhe të lartë. Ai thirri: “O burrat i Semurasë! O ju që dini suren Bekare!" Kur dëgjuan zërin e tij, ata reaguan menjëherë si një trup i vetëm dhe të gjithë u kthyen sërish në betejën me idhujtarët. Kështu, Allahu i Madhëruar i mposhti idhujtarët me një humbje poshtëruese. Të gjitha pasuritë, gratë dhe fëmijët e tyre tashmë ishin në dorë të Profetit të Allahut, si plaçkë e begatshme lufte. Për këtë thotë i Madhëruari:
Sigurisht që Allahu ju ka ndihmuar në shumë beteja. Edhe në ditën e Hunejnit, kur ju u mahnitët nga numri juaj i madh, por që nuk ju vlejti aspak. -
Hunejn quhej vendi ku u zhvillua kjo betejë. Ai ndodhej diku mes Mekës dhe Taifit. Numri i madh nuk u vlejti aspak muslimanëve, sepse fitorja ka lidhje me diçka tjetër, që ata e cënuan. Prandaj edhe përfundimi qe:
Toka ju duk e ngushtë, me tërë atë gjerësi dhe më pas ju u tërhoqët. -
Trishtimi ju pllakosi kur patë dështimin në fushëbetejë. Ju e patë veten tuaj duke ia mbathur nga fushëbeteja të mposhtur e të frikësuar. Por Allahu i Madhëruar, i Cili dëshiron që t’ju ndihmojë e udhëzojë, thotë: