O ju që keni besuar! Idhujtarët janë vërtet të papastër,... -
Allahu i Madhëruar i njofton besimtarët se idhujtarët janë të papastër. Ata janë të pisët në besimet e tyre dhe në veprat që kryejnë. E ku ka papastërti më të madhe dhe më të dukshme sesa ajo e atij që adhuron zota të stisur, të cilët nuk mund të sjellin dëm e dobi dhe as nuk mund të ndihmojnë e të të shpëtojnë nga dënimi i Zotit. Ky është besimi i tyre. Ndër veprat e tyre të shëmtuara janë edhe lufta kundër Allahut, pengimi dhe devijimi i njerëzve nga rruga e Allahut, ndihma dhe mbështetja në përhapjen e së kotës, refuzimi dhe urrejtja e të vërtetës. Ata bëjnë çdo punë të keqe, që sjell shkatërrimin e tokës. Kjo është arsyeja që ju duhet të pastroni Shtëpinë e Shenjtë, që është më e pastra dhe më e nderuara Shtëpi në faqen e dheut:
...prandaj mos i lini t'i afrohen Xhamisë së Shenjtë pas këtij viti! -
Ky ishte viti i 9-të pas hixhretit, kur Ebu Bekri, bashkë me disa të tjerë, kreu haxhin. Profeti dërgoi djalin e xhaxhait të tij, Aliun, që të deklaronte distancimin nga çdo marrëveshje me idhujtarët se, pas atij viti, në Shtëpinë e Shenjtë nuk do të bënte më haxh asnjë idhujtar, se askush nuk do të lejohej më që të bënte tavaf rreth Qabes i zhveshur, siç ndodhte në kohën e injorancës.[1] Ky ajet nuk ka për qëllim papastërtinë fizike e trupore të idhujtarëve, por papastërtinë e tyre konceptuale e kuptimore. Mohuesit konsiderohen të pastër nga ana fizike, si të gjithë njerëzit. Argument për këtë është fakti se Allahu i Lartësuar e ka lejuar martesën me gratë e krishtera dhe çifute, ashtu si edhe komunikimin dhe bashkëjetesën me mohuesit. Nuk ka dëshmi që muslimanët t’i kenë trajtuar mohuesit si të pështirë dhe të papastër fizikisht, apo që të kenë urdhëruar që të pastrohemi pasi t’i prekim ata. Përkundrazi, qëllimi është që, ashtu sikundër teuhidi dhe imani janë të pastër dhe pastrues, ashtu edhe shirku është papastërti.
Dhe mos kini frikë nga varfëria, sepse Allahu, nëse dëshiron, ju bën të pasur me mirësinë e Tij. -
Nëse mendoni se pengimi i idhujtarëve nga Xhamia e Shenjtë do të bëhet shkak që ju të varfëroheni, atëherë dijeni dhe qetësohuni se është Allahu Ai që do t'ju begatojë nga mirësitë dhe bujaria e Tij. Furnizimi ose mirësitë nuk janë të kufizuara që të vijnë veçse nga një drejtim i caktuar. Madje, edhe nëse mbyllet një portë, hapen shumë të tjera, sepse bujaria e Allahut është e madhe dhe e gjerë, ashtu si mëshira e Tij është e pamatë, në mëyrë të veçantë për ata që e lënë diçka për hir të Tij. Le ta dinë dhe të jenë të bindur se Allahu është më Bujari i bujarëve. Dhe vërtet, Allahu i Lartësuar e mbajti dhe e realizoi premtimin e Tij. Ai i pasuroi dhe begatoi shumë muslimanët me bujarinë e Tij. Aq shumë ua shtoi të mirat, sa që ata u bënë sundues të botës. Allahu i Madhëruar thotë: "Nëse Ai dëshiron." Kjo tregon se pasuria në këtë dynja është e lidhur me dëshirën dhe përcaktimin e Allahut. Pasuria nuk është e lidhur domosdoshmërisht me imanin, me kuptimin që sa më të plotë ta kesh imanin, aq më shumë pasuri do të kesh. Gjithashtu, pasuria e madhe nuk tregon domosdoshmërisht se Allahu të do. Allahu i Madhëruar ia jep të mirat e dynjasë atij që Ai e do dhe atij që Ai nuk e do. Por imanin dhe fenë, nga ana tjetër, Allahu ia jep veçse atij që Ai e do dhe e ka përzgjedhur.
Allahu është i Gjithëditur dhe i Urtë. -
Dituria e Zotit është e gjerë. Ai e di mirë se kujt i jepet pasuria dhe kush nuk është i përshtatshëm për të qenë i pasur. Allahu i vendos gjërat në vendin e vet dhe sipas urtësisë së Tij. Allahu i Madhëruar thotë: “...mos i lini t'i afrohen Xhamisë së Shenjtë pas këtij viti!". Idhujtarët ishin kontrollues të Shtëpisë së Shenjtë deri ditën e çlirimit të Mekës, kur sundimi i takoi Profetit të Zotit dhe besimtarëve. Në këtë kohë, ata u afatizuan 4 muaj që të qëndronin në Mekë. Pastaj, sipas këtij ajeti, ata nuk do të lejoheshin më t’i afroheshin Xhamisë së Shenjtë. Madje, Profeti urdhëroi që ata të dëboheshin krejtësisht nga rajoni i Hixhazit. Dhe me të vërtetë, pas vdekjes së Profetit, ata u dëbuan dhe në Hixhaz nuk kishte më dy fe. E gjitha kjo ishte për fjalën e Allahut të Madhëruar: “...mos i lini t'i afrohen Xhamisë së Shenjtë pas këtij viti!".
[1] Aliu filloi t'u përcillte njerëzve mesazhin e Profetit a.s. Ai i njoftoi të gjithë se marrëveshja tashmë ishte prishur. Ai tha: “O njerëz! Mohuesit e Zotit nuk kanë për të hyrë në Xhenet. Pas këtij viti, nuk ka për të bërë haxh asnjë idhujtar. Nuk ka për t’u lejuar tavafi rreth Qabes i zhveshur. Çdokujt që ka pakt me Profetin a.s., do t'i plotësohet deri në kohën e përcaktuar.”.” El Humejdi thotë: “Na ka treguar Sufjani, se i ka rrëfyer Zejd Ibn Jutheju: “Ne e kemi pyetur Aliun: “Për çfarë u dërgove në atë haxh?” Ai tha: “Unë u dërgova për të përcjellë katër çështje: (1) Në Xhenet do të hyjë veçse shpirti besimtar; (2) nuk do të lejohej më tavafi rreth Qabes i zhveshur; (3) në Xhaminë e Shenjtë nuk do të lejoheshin më të bashkoheshin besimtarët dhe qafirët, pas atij viti; (4) dhe çdokujt që kishte marrëveshje me Profetin a.s., do t'i respektohej ajo deri në afatin e caktuar, ndërsa për ata që nuk kishin marrëveshje me Profetin, afati i tyre do të ishte katër muaj.”