Pasi të kalojnë muajt e ndaluar -
Këtu bëhet fjalë për afatin katërmujor të lehtësimit. Domethënë, pasi të mbarojnë këta katër muaj, - ose kur të mbarojë koha e marrëveshjes, për ata që kanë marrëveshje më të gjatë se katër muaj, - atëherë për ta nuk ka vlerë më asnjë marrëveshje, prandaj:
...luftojini idhujtarët kudo që t’i gjeni, kapini, rrethojini dhe u zini pritë në çdo shteg! -
Kur nuk ka marrëveshje mes jush ose kur afati i marrëveshjes përfundon, luftojini idhujtarët kudo që t’i zini, në çdo kohë dhe në çdo vend. Vritini, robërojini dhe kufizojini ata. Mos lejoni që të zgjerohet pushteti i tyre në tokë. Allahu e krijoi tokën për të qenë vend adhurimi i robërve të Tij, prandaj këta idhujtarë nuk e meritojnë të jenë banorë e sundues të saj. Ata nuk meritojnë të kenë nën sundim asnjë pëllëmbë prej kësaj toke. Toka është e Allahut dhe ata janë armiqtë e Tij dhe kundërshtarë të Profetit të Tij. Ata i mohojnë Profetët dhe shpalljet e Zotit dhe duan ta zhveshin tokën nga adhurimi i Zotit dhe feja e Tij e drejtë. Por Allahu i Madhëruar dëshiron që ta përkryejë fenë e Tij, edhe pse këtë e urrejnë mohuesit dhe idhujtarët. Allahu i Madhëruar thotë: “u zini pritë në çdo shteg...”, pra, u zini pritë në çdo shteg e luginë ku ata kalojnë. Jini vigjilentë e të qëndrueshëm në xhihadin kundër tyre dhe shpenzoni çdo gjë që kini në këtë luftë. Kështu vazhdoni, derisa ata të pendohen dhe të kthehen në fenë e të Madhërishmit:
Në qoftë se pendohen, falin namazin rregullisht dhe japin zekatin, atëherë u hapni rrugë! -
Nëse ata largohen nga idhujtaria, falin namazin, duke plotësuar të gjitha detyrimet dhe hakun e tij, dhe i japin zekatin atij që e meriton, atëherë lejojini dhe çlironi rrugën e tyre, sepse kështu ata do të jenë si ju. Në këtë rast, atyre u takon ajo që ju takon juve dhe ata janë të ngarkuar me atë që jeni ngarkuar edhe ju.
Me të vërtetë, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. -
Allahu fal edhe idhujtarinë e çdo gjynah tjetër më të vogël, nëse njerëzit pendohen. Duke ua mundësuar dhe lehtësuar rrugën e pendimit, Ai i ka mëshiruar ata. Ai u mundëson që të pendohen dhe, me bujarinë dhe mirësinë e Tij, ua pranon pendimin, madje i shpërblen pa masë për të. Nga ky ajet kuptohet, gjithashtu, se kushdo që e lë namazin dhe zekatin luftohet (nga shteti islam) derisa t’i plotësojë ato. Kështu e argumentoi edhe Ebu Bekri luftën kundër atyre që nuk pranonin të jepnin zekatin.