Pa dyshim, bashkë me vështirësinë, vjen lehtësimi. Vërtet, bashkë me vështirësinë, vjen lehtësimi. - Ky është një përgëzim i madh dhe i mrekullueshëm. Sa herë që të ekzistojnë vështirësia dhe ngushtia, së bashku me to do të vijnë lehtësimi dhe zgjerimi. Edhe sikur vështirësia të struket dhe të fshihet në vrimën e hardhucës, edhe lehtësimi do të hyjë bashkë me të, për ta nxjerrë jashtë dhe për ta larguar, sikurse thuhet në një ajet tjetër: “Allahu, pas vështirësisë, do të sjellë lehtësim”. Apo sikurse ka thënë edhe Profeti (a.s.): “Me të vërtetë, çlirimi vjen së bashku me ngushtinë dhe, së bashku me vështirësinë, vjen lehtësimi.”. Po të shohim me kujdes në ajet, fjala “el usr” – “vështirësi” është (në arabisht) në trajtën e shquar, që e nënkupton atë si një të vetme, ndërsa fjala “lehtësim” është (në arabisht) në trajtën e pashquar, që nënkupton se ai përsëritet. Pra, për çdo vështirësi, Zoti i Lartësuar sjell lehtësim pas lehtësimi. Kësisoj, një vështirësi nuk mund të jetë asnjëherë më e madhe se dy lehtësime. Gjithashtu, duhet të theksojmë se fjala “el usr”, e shoqëruar me nyjen ‘el’, sipas rregullave të arabishtes, ajo i përfshin të gjitha llojet e vështirësive, sado të mëdha dhe të pazgjithshme të mund të duken. Kështu, sido që të jetë, në fund të fundit, vështirësia do t’ia lërë vendin lehtësimit dhe çlirimit. Kjo është diçka e pashmangshme. Më pas, Allahu i Madhëruar e urdhëron Profetin dhe popullin e tij që të tregohen mirënjohës për mirësitë që Ai u ka dhuruar: