“... i Adhuruari i njerëzve ...” - Gjithashtu, i Lartësuari na udhëzon që ne të kërkojmë mbrojtje dhe strehim tek Ai si i vetmi që meriton adhurimet tona. Allahu i Lartësuar na krijoi për një qëllim të vetëm: që ta adhurojmë Atë me dashuri dhe madhërim, duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke u larguar nga ndalesat e Tij. Ky është qëllimi i ekzistencës tonë. I Mallkuari kërkon të na pengojë nga ky qëllim. Allahu i Lartësuar na udhëzon që, nëpërmjet adhurimit të Tij, të ruhemi nga ndikimi i të Mallkuarit. Nëpërmjet adhurimit, ne mund të ruhemi prej nxitjeve të Shejtanit dhe hileve të tij. Ai i mallkuar synon që ne të pasojmë hapat e tij dhe të bëhemi prej banorëve të Zjarrit të ndezur fort. Ndërsa ajeti na udhëzon që të ruhemi prej këtij sherri, duke e lutur Allahun e Lartësuar, që është Zoti, Sunduesi dhe i Adhuruari i njerëzve.