Ne dërguam para teje si të dërguar vetëm se burra nga banorët e qyteteve, të cilët i pajisëm me shpallje. -
Kuptimi: Nuk kemi dërguar melekë ose krijesa të tjera si profetë për njerëzit, por kemi zgjedhur burra nga vetë radhët e popujve.[1] Atëherë, përse habitet populli yt për profetësinë tënde?! Edhe ti je si të gjithë profetët[2] para teje, madje më i zgjedhuri mes tyre. Zoti u shpalli të gjithëve udhëzime hyjnore. Allahu i Madhëruar i përzgjodhi ata nga banorët e qyteteve të mëdha, sepse ata dalloheshin për logjikën më të shëndetshme, por edhe që çështja e tyre të përhapej më shpejt dhe më lehtë.
A nuk udhëtojnë nëpër tokë e të shohin se si qe përfundimi i më të hershmëve? -
Nëse nuk të besojnë ty, atëherë pse nuk udhëtojnë nëpër tokë dhe të shohin se si ishte përfundimi i brezave të mëparshëm?" A nuk i shohin vendbanimet e tyre të shkretuara, për të kuptuar se si i ndëshkoi Zoti ata, për shkak të mosbesimit dhe refuzimit të Shpalljes së tij? Kjo duhet t’ju japë një mësim të mirë, që të mos bëni të njëjtin krim si ata dhe pastaj të meritoni të njëjtin ndëshkim si ata. Kujtoni, gjithashtu, edhe një fakt tjetër shumë të rëndësishëm:
S’ka dyshim se jeta e ardhshme është shumë më e mirë për ata të cilët ishin të devotshëm. -
Bukuritë dhe begatitë e Xhenetit janë të përjetshme dhe të posaçme për ata të cilët janë ruajtur. Ata i druhen ndëshkimit dhe zemërimit të Zotit, duke përmbushur me korrektësi dhe sinqeritet urdhëresat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij. Ata e dinë mirë se dynjaja, me të gjitha stolitë e saj,është një kënaqësi e përkohshme, e shoqëruar me mundime e vuajtje dhe që një ditë do të marrë fund. Ndërsa mirësitë e ahiretit janë të plota, të përkryera e të pastra nga çdo mangësi. Ato kurrë nuk kanë për të përfunduar apo për t'u zbehur, madje do të jenë në shtim e zbukurim të përjetshëm e të pandërprerë.
A nuk po logjikoni, atëherë? -
A nuk keni aq logjikë sa për t’i dhënë përparësi asaj që është më e mirë kundrejt diçkaje që është e papërfillshme dhe e përkohshme?!
[1]
Nga mëshira e madhe e për krijesat,
Krijuesi dërgoi ndër ta profetë, si
përgëzues e qortues. Ata u bëjnë të
njohur njerëzve qëllimin e jetës së tyre
dhe ua prezantojnë saktësisht Zotitn e
tyre, ashtu sikurse është në të vërtetë, të
lartësuar e të pastër nga çdo e metë.
Kush është Allahu, cilët janë emrat
cilësitë e atributet e Tij? Çfarë dëshiron Ai
prej nesh, për çfarë na urdhëron e nga
çfarë na ndalon. Çfarë shpërblimi ka ai që
i bindet e çfarë ndëshkimi ka ai që nuk i
bindet? Kështu këta profetë janë
ndërmjetësit mes Zotit dhe krijesave, për
sa i përket transmetimit të qartë të
mesazhit të Tij. Ata përcjellin me
besnikëri e korrektësi mesazhin e Zotit
për krijesat e Tij. Ata u mësojnë dhe i
edukojnë njerëzit me atë që u bën dobi
në dynja dhe në ahiret. Ata u bëjnë të
qartë njerëzve çdo gjë që e kënaq Zotin e
tyre dhe çdo gjë që e zemëron Atë.
Kështu, njerëzit duhet të bëjnë atë që
Zoti do dhe pëlqen dhe duhet të largohen
e të ruhen nga çdo gjë që e zemëron të
Madhërishmin. Nevoja e njerëzve për
profetët është shumë e madhe. Madje,
sikurse thotë Imam Ibn Kajimi (Allahu e
mëshiroftë!), nevoja e tyre për profetët
dhe Sheriatin e Zotit është jetike. Ajo
është shumë e rëndësishme, madje më e
rëndësishme se çdo nevojë tjetër.
Sheriati të jep mundësinë e njohjes së
çdo gjëje që kënaq Allahun e Madhëruar.
Nëpërmjet Sheriatit, i Madhëruari na
mëson urdhëresat e Tij dhe na shtjellon
rrugët e mira për realizimi e tyre. Sheriati
na mëson se cilat janë veprat që
shkaktojnë zemërimin e të Madhërishmit
dhe që Ai na i ka ndaluar. Ai na mëson
ligjet e adhurimit të Zotit, por edhe ligjet
e marrëdhënieve ndër njerëzore në të
gjitha aspektet. Për këtë arsye, njeriu, -
me përzgjedhjen e tij të lirë, - duhet të
adhurojë Zotin e tij nëpërmjet këtij
Sheriati, i cili mund të përftohet veçse
përmes Shpalljes së dhënë nga Zoti
përmes profetëve. Sado të përpiqet e
hulumtojë logjika e njeriut, ajo kurrë nuk
mund të gjykojë me saktësi se çfarë
dëshiron Zoti prej tij. Kjo njohuri
përftohet thjesht dhe vetëm nga Shpallja
e Zotit. Imam Ibn Kajimi vazhdon më tej:
"Nëse njeriut i pengohet frymëmarrja,
ushqimi e pija, e shumta që atij do t’i
ndodhë është vdekja e trupit dhe largimi i
shpirtit nga trupi. Por nëse atij i ndalohet
Sheriati e privohet nga njohja e Shpalljes
së Zotit, kjo do të sjellë shkatërrimin e
zemrës dhe të shpirtit, gjë që është
shumë herë më e frikshme dhe e
dhimbshme sesa thjesht vdekja trupore.”
[Shih "Zadul Mead"].
[2]
Disa parime në lidhje me besimin në
profetët e Zotit:
1. Profetësia është një dhunti nga Allahu i
Madhëruar, që nuk mund të përfitohet
apo kultivohet nga vetë njeriu.
2. Nevoja e njerëzve për profetët është
domosdoshmëria më e madhe.
3. Profetët janë të shumtë, edhe arsyet
për këtë janë të shumta.
4. Besimi te profetët është një themel i
rëndësishëm i besimit Islam.
5. Ai që mohon një profet konsiderohet
se i ka mohuar të gjithë.
6. Profetët dhe lajmëtarët e Zotit janë më
të mirë se çdo njeri tjetër. Kushdo që
pretendon se ndonjë njeri është më i
dalluar dhe i përzgjedhur se profetët,
është qafir.
7. Profetët e Zotit janë më të
kompletuarit mes të gjithë njerëzve, në të
gjitha aspektet.
8. Profetët e Zotit janë të pastër nga
shpifjet dhe trillimet e mosbesimtarëve.
9. Profetët u përzgjodhën të jenë prej
njerëzve dhe jo prej melekëve.
10. Profetët janë të gradave të ndryshme
dhe më i miri është Muhammedi a.s.
Disa nga veçoritë e profetëve:
1. Atyre u vjen Shpallja nga Zoti.
2. Ata janë të ruajtur nga gjynahet e
mëdha dhe cenuese të personalitetit, por
jo nga gjynahet e vogla. Mendimi më i
saktë është që ata bëjnë gjynahe të vogla,
por Allahu nuk i lë të vazhdojnë në to. Ata
pendohen dhe nuk i përsërisin më ato.
3. Sytë e tyre flenë, por zemra e tyre nuk
fle, sikurse është shënuar nga Buhariu
dhe Muslimi.
4. Atyre u jepet leja për të përzgjedhur në
momentin e vdekjes, sikurse thuhet në
një hadith tek Buhariu dhe Muslimi.
5. Toka nuk e ha (tret) trupin e profetëve.
Nëse hap varrin e çdo profeti do ta gjesh
sikurse është varrosur, i pacënuar, sepse
Allahu i lartësuar ia ka bërë haram tokës
që ta tresë trupin e profetëve, sikurse
thuhet tek Ebu Daudi dhe Nesaij me isnad
sahih.
6. Profetët janë varrosur mu atje ku kanë
ndërruar jetë. Kështu Profeti (a.s) vdiq në
shtëpinë e tij dhe po atje u varros.
7. Profetët nuk lënë pas trashëgimi
pasurore e materiale. Pasuria materiale
që ata lënë konsiderohet sadaka. Kjo
thuhet në një hadith te Buhariu dhe
Muslimi.
8. Profetët lënë si trashëgimi diturinë:
Profeti (a.s.) ka thënë: "Profetët nuk lënë
trashëgimi dirhem e dinarë, por lënë
trashëgimi diturinë. (Ebu Daudi me isnad
sahih).
9. Profetët kanë qenë burra dhe kurrë
femra. Ata kanë qenë njerëz të lirë dhe
kurrë skllevër.
10. Ata mbeten njerëzit më të plotë
fizikisht, moralisht dhe në çdo aspekt
tjetër.
11. Urimi: “Sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem”
është i posaçëm për ta. Mbase mund të
lejohet edhe për njerëzit e tjerë, me disa
kushte, por për ta është e veçantë.
12. Ata janë të zgjedhur e të dalluar nga
vetë Zoti.
13. Çdo profeti, Zoti i ka mundësuar një
lutje të pranuar. (Buhariu dhe Muslimi)
14. Çdo profet do të ketë haudin (pusin) e
tij në Ditën e Gjykimit. (Ahmedi me isnad
hasen).
15. Profetët kanë qenë banorë të
qyteteve të mëdha, dhe jo endacakë apo
nomadë e beduinë.
16. Ata nuk shihnin ëndrra prej shejtanit,
nga të cilat të ejakuloheshin në gjumë,
sepse kjo vjen prej shejtanit, dhe shejtani
nuk mund të ketë pushtet mbi profetët.