Thirr për në Rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me mënyrën më të mirë! -
Ajo në të cilën ti i fton njerëzit, si besimtarët, ashtu edhe mohuesit, është dituria e dobishme e vërtetë dhe puna e sinqertë dhe korrekte sipas kësaj diturie. Por le të jetë ftesa jote në këtë rrugë të mrekullueshme me urtësi e maturi. Ftoji ata me urtësi, domethënë duke i folur çdokujt në varësi të gjendjes, aftësisë intelektuale dhe në varësi të përkushtimit e gatishmërisë së tij për t’u përgjigjur, e për t'u nënshtruar ndaj së vërtetës. Urtësia kërkon që ftesa të bëhet me dituri e jo me injorancë, si dhe duke filluar me çështjet më të rëndësishme, e pastaj me ato poshtë tyre. Disa rregulla të tjera të urtësisë janë gjithashtu:
- Të fillosh me ato gjëra që janë më të kapshme dhe të kuptueshme nga njerëzit, domethënë, më pranë mendjes dhe realitetit të tyre.
- T’ia nisësh me ato çështje që pranohen më lehtë dhe më shpejt.
- Të fillosh me butësi e ngrohtësi, e jo me ashpërsi. Nëse njerëzit binden në këtë mënyrë, kjo është mirësi; në të kundërt, vazhdo me qortime të matura, duke ua mësuar atyre urdhëresat e ndalesat, por të shoqëruara edhe me përmendjen e shpërblimit e ndëshkimit për to, në mënyrë që të ngjallësh frikën e shpresën në zemrat e tyre.
Përmend mirësitë e shumta që sjell zbatimi i urdhëresave e largimi nga ndalesat. Trego të këqijat që sjell rendja pas haramit. Le ta dinë nderimin dhe shpërblimin e rezervuar për të bindurit, që kryejnë urdhëresat, si dhe poshtërimin e ndëshkimin e atyre që e braktisin fenë e Zotit. Fol për llojet e shumta të shpërblimit që Zoti ka përgatitur për të bindurit. Kujtoju se shpërblimi jepet që në këtë jetë e vazhdon në përjetësi në jetën tjetër. Po ashtu edhe ndëshkimi i të pabindurve fillon që në këtë jetë e vazhdon në përjetësi. Nëse tjetri mendon se është vetë në rrugë të drejtë, ndërsa ti je në rrugë të gabuar, atëherë me të duhen përdorur rrugët më të mira dhe të përshtatshme të ftesës. Duhen ndjekur rrugët më shpresëdhënëse për pranimin e ftesës, qoftë në aspektin logjik, qoftë në atë fetar. Fillimisht argumenton me fakte që tjetri i pranon dhe i quan të besueshme, sepse kështu do të arrihet më lehtë qëllimi. Duhet vepruar gjithnjë me maturi, në mënyrë që dialogu të mos përfundojë me grindje e urrejtje, duke mos arritur qëllimin kryesor, i cili është udhëzimi i krijesave tek e vërteta e jo triumfi mbi kundërshtarin e lëvdatat në sytë e njerëzve. Allahu i Madhëruar thotë:
Zoti yt e di më së miri për atë që është larguar nga rruga e Tij dhe për të udhëzuarit... -
Allahu e di mirë çdo shkak që e çon njeriun në humbje dhe po ashtu i di mirë edhe veprat që ai kryen, të cilat e çojnë në atë humbje. Për këtë arsye, Allahu do ta ndëshkojë për to.
Ai e di më së miri për të udhëzuarit. - Allahu e ka ditur mirë se ata ishin më të përshtatshmit për udhëzimin në rrugën e drejtë, prandaj i dalloi dhe i veçoi mbi të tjerët