Ai e krijoi njeriun prej një pike (fare) dhe ja, ai (njeriu) kthehet në një kundërshtar të hapët. -
Allahu i Lartësuar përkujdeset në mënyrë të vazhdueshme për këtë krijesë të vogël, që e fillon jetën aq e dobët dhe aq e brishtë. Ai përkujdeset, e trajton atë dhe e ushqen, e zhvillon dhe e rrit derisa ai krijohet një njeri i plotë, në të gjitha organet, të dukshme dhe të fshehura. Allahu i Lartësuar e krijon njeriun dhe e pajis me mirësi të mëdha e të panumërta. Por, fatkeqësisht, njeriu, pasi plotësohet, fillon dhe e shikon veten të pavarur nga Zoti. Ai e shpërfill faktin se është Allahu i Lartësuar Ai që ia ka dhuruar, me bujarinë dhe përkujdesin e Tij, gjithçka që ka. Njeriu mburret e tregohet arrogant. Pastaj ai e kundërshton të vërtetën dhe bëhet armiku i saj. Allahu i Lartësuar thotë: "...ai kthehet në kundërshtar të hapur." Kjo kuptohet me dy mënyra: Sipas kuptimit të parë, njeriu bëhet kundërshtar i Zotit të Tij, duke e mohuar Allahun e Lartësuar, duke mos e besuar Atë, duke polemizuar kundër profetëve të Tij dhe duke i mohuar dhe i konsideruar gënjeshtra ajetet dhe shpalljet e Allahut të Lartësuar. Ky njeri bëhet kundërshtar i Zotit dhe e harron krijimin e Tij të parë, harron mirësitë e shumta që i ka falur Allahu i Lartësuar dhe harron i mjeri që janë pikërisht këto mirësi të cilat ai po i përdor për të mos iu bindur Allahut të Lartësuar dhe për t’u treguar i panënshtruar dhe mospërfillës ndaj urdhëresave të Tij. Ky është njëri kuptim. Sipas kuptimit të dytë, Allahu i Lartësuar na tregon për aftësitë që i ka dhënë njeriut për të polemizuar dhe kundërshtuar. Ai e fillon krijimin e njeriut nga një pikë e vetme fare, pastaj e vazhdon duke e zhvendosur atë nga një nivel në tjetërin, nga një fazë në tjetrën. Kështu vazhdon, derisa ai rritet dhe zhvillohet dhe bëhet njeri që arsyeton dhe filozofon. Është Zoti i Lartësuar Ai që i dhuron mendje dhe arsye të fortë, me të cilën njeriu fillon të polemizojë dhe të kundërshtojë. Domethënë, të arsyetuarit është një aftësi që vetë Allahu i Lartësuar ia ka mundësuar njeriut, prandaj dhe njeriu duhet që ta falënderojë Allahun e Lartësuar për këtë mundësi të mrekullueshme që Ai ia ka dhuruar. Njeriut i është mundësuar që ta mbrojë mendimin e tij, të arsyetojë dhe të argumentojë, dhe të gjitha këto janë veçse mirësi nga Allahu i Lartësuar. Asnjë njeri nuk do të arrinte me forcën e vet dhe me aftësitë e tij të tilla nivele. Është Allahu i Lartësuar që e mëson dhe përkujdeset për njeriun, duke e zhvilluar dhe edukuar atë, me mëshirën dhe bujarinë e Tij. Për këto arsye, njeriu duhet të jetë mirënjohës për këto mirësi që ia ka dhënë Zoti, duke i vënë ato në shërbim të besimit dhe të adhurimit të Tij. Në vijim, Allahu i Lartësuar përmend krijesa të tjera, që Ai i ka krijuar mes qiejve dhe Tokës: