Allahu i Lartësuar tregon për mëshirën e Tij të madhe për krijesat. Ai nuk ua plotësonte kundërshtarëve kërkesat e tyre për mrekullitë që ata kërkonin, dhe këtë e bënte nga mëshira e Tij. Ai thotë:
Ne nuk na pengon asgjë që t’ju sjellim Shenja, por popujt e parë i përgënjeshtruan ato. -
Ai nuk i sillte mrekullitë që kërkonin ata, sepse ata përsëri do t’i mohonin, dhe kështu mbi ta do të godiste i dhembshëm ndëshkimi pa asnjë vonesë, ashtu sikurse ndodhi edhe me popujt më të hershëm, të cilët mohonin dhe përbuznin mrekullitë e sjella prej Tij.
Ne i dhamë Themudit devenë si një Shenjë të qartë, por ata e mohuan atë. -
Ndër shenjat më të mëdha ishte ajo që Allahu solli si plotësim i kërkesës së popullit të Themudit. Ajo ishte një deve e madhe dhe e mahnitshme. Me qumështin e saj ushqehej një popull i tërë. Megjithatë, ata e mohuan atë si mrekulli të Zotit, prandaj i goditi ajo që Zoti e ka treguar në Librin e Tij. Po kështu do të ndodhte me umetin e fundit, nëse do t’u vinin argumentet më të mëdha e të pashembullta dhe ata nuk do të besonin. Duhet të jemi të bindur për një fakt shumë të rëndësishëm: jobesimtarët nuk i kanë mohuar mrekullitë që Zoti solli nëpërmjet profetëve se ato ishin të paqarta apo se të linin mëdyshje a ishin të vërteta apo jo. Jo, ata nuk kishin asnjë dyshim në vërtetësinë e atyre shenjave e mrekullive. Profetët sollën prej Zotit aq shumë fakte e argumente, saqë ishin të mjaftueshme për udhëzimin e atyre që kërkonin e synonin udhëzimin. Të gjitha shenjat e Zotit janë të ngjashme, për sa i përket madhështisë dhe mjaftueshmërinë së tyre si fakte për ata që dëshirojnë e synojnë dritën e udhëzimit. Ai që dëshiron dritën e Zotit do ta shohë atë si me njërën mrekulli, ashtu edhe me tjetrën. Ndërsa ai që nuk do që ta shohë dritën, s’ka për ta parë atë, as me njërën e as me tjetrën shenjë e mrekulli që ai kërkon. Duke qenë kështu, moszbritja e shenjave të kërkuara nga jobesimtarët është më e mirë sesa zbritja e tyre; kjo është më e dobishme për të gjithë. Pastaj duhet të mendojmë me kujdes edhe në një fakt tjetër, shumë të domosdoshëm për t’u kuptuar: zbritja e shenjave ka një qëllim ne vetvete, që Zoti na i shpjegon dhe thotë:
Shenjat Ne i dërgojmë si paralajmërim (për t'u larguar nga e keqja). -
Qëllimi i mrekullive nuk është që ato të prodhojnë besim në zemrat e atyre që i shikojnë dhe, përmes tyre, besimi të bëhet i pashmangshëm. Qëllimi i vërtetë i këtyre shenjave është që njerëzit të frikësohen e të kthehen nga rruga e humbjes e të ndjekin rrugën e drejtë, pra, nënshtrimin për ta adhuruar Zotin përmes ligjit të Tij dhe rrugës së sjellë nga profetët.