Mos vallë do të shkatërrosh veten nga pikëllimi, nëse ata nuk besojnë në këtë Fjalë (Kur’an)? -
Profeti (a.s) ishte shumë i përkushtuar për të udhëzuar njerëzit në fenë e drejtë. Ai përpiqej me çdo mjet që ata ta përqafonin Islamin. Sa herë që dikush e pranonte Islamin dhe kthehej tek Zoti, Profeti (a.s) lumturohej. Nga ana tjetër, ai trishtohej shumë për ata që e mohonin dhe nuk pranonin të adhuronin Zotin me Islam, sepse ai ishte shumë i dhembsur dhe i mëshirshëm, shumë i butë dhe i dashur me ata të cilët i ftonte në Islam. Por Allahu i Madhëruar e udhëzoi atë që të mos shqetësohej dhe as të dëmtonte veten nga keqardhja për ata që nuk donin të besonin dhe të pranonin Islamin dhe Kur’anin. Në ajete të tjera, i Lartësuari thotë: “Allahu largon nga e vërteta atë që Ai dëshiron dhe e udhëzon atë që Ai dëshiron. Prandaj ti mos shkatërro veten duke u dëshpëruar për ta! Allahu e di shumë mirë atë që bëjnë ata.” [Fatir 8]. Ndërsa këtu thotë: “Mos, vallë, do të shkatërrosh veten nga pikëllimi, nëse ata nuk besojnë këtë Fjalë?” Pra, ti gati po shkatërron veten nga trishtimi dhe keqardhja për ata që nuk të përgjigjen. Por shpërblimi yt tashmë është i plotë dhe i sigurt te Zoti. Ndërsa për ata të mjerë, nëse Zoti do të shihte ndonjë të mirë tek ata, do t’i kishte udhëzuar, por Ai e di mirë që ata meritojnë vetëm zjarrin, prandaj edhe nuk ua bën mbarë që të udhëzohen. Keqardhja nuk ka për të të sjellë ndonjë ndryshim apo dobi. Në këtë ajet e të ngjashëm me të ka shumë mësime. Detyra e ftuesve të njerëzve në besimin e drejtë është kumtimi i qartë i së vërtetës me çdo mënyrë që mund të sjellë udhëzimin e tyre. Nga ana tjetër, ata kanë detyrë mbylljen e të gjitha rrugëve të humbjes dhe të devijimit, duke marrë të gjitha masat e mundshme. Kështu, ftuesi përpiqet që t’i udhëzojë njerëzit në rrugën e drejtë dhe punon me durim për t’i larguar nga devijimet e shkaqet që pengojnë nga udhëzimi. Por më e rëndësishmja është që të gjitha këto ftuesi duhet t’i kryejë duke iu mbështetur tërësisht Allahut dhe duke kërkuar ndihmën dhe suksesin prej Tij. Nëse njerëzit udhëzohen, atëherë le të falënderojë Zotin për mirësinë dhe bujarinë e Tij. Por nëse ata refuzojnë, atëherë thirrësi nuk duhet të bjerë në trishtim dhe pesimizëm, sepse të tilla ndjenja e dobësojnë shpirtin dhe e ngadalësojnë ritmin e tij. Nga trishtimi i tepërt nuk fiton gjë. Ftuesi thjesht duhet të vazhdojë në detyrën që i ka ngarkuar Zoti dhe ta perfeksionojë sa më shumë atë. Çdo gjë tjetër është jashtë mundësive të njeriut. Mendohu pak! Allahu i thotë Profetit (a.s.): “Ti nuk mund ta udhëzosh atë që do, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dojë dhe Ai është më i Dituri për të udhëzuarit.” [Kasas 56]. Edhe Musai (a.s) tha: “O Zoti im! Unë nuk kam fuqi mbi asnjë tjetër veçse mbi veten dhe vëllanë tim. Prandaj, na veço ne prej këtij populli të pabindur!” [Maide 25]. Atëherë, çfarë mund të thuhet për të tjerët, që qëndrojnë shumë më poshtë se këta dy profetë të nderuar?! Le të kujtojmë gjithmonë fjalën e Allahut kur thotë: “Ti këshillo, sepse je veçse një kujtues dhe nuk je kontrollues i tyre! Ai që sprapset e nuk beson, Allahu do ta dënojë me vuajtje të mëdha. Pa dyshim, tek Ne është kthimi i tyre. Dhe, pa dyshim, nga Ne është gjykimi i tyre.” [Gashije 21 – 26].