Ato janë xhenetet e Adnit që i Gjithmëshirëshmi ua pat premtuar robërve të vet, që besuan në të fshehtën dhe premtimi i Tij është i sigurt. -
Ato nuk janë si kopshtet e zakonshme. Ato quhen “kopshtet e Adnit”, domethënë, kopshtet e qëndrimit të përhershëm, nga ku nuk largohesh kurrë dhe mirësitë e të cilëve nuk kanë për t’u zbehur asnjëherë. Ato janë plot me mirësi e kënaqësi, që sjellin gëzim e rehati. Shiko se kush i ka premtuar këto kopshte! I ka premtuar vetë Rrahmani, për të treguar se ato janë fryt i mëshirës dhe mirësisë së Tij. Atje ka mirësi e bukuri që syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe mendja e njeriut nuk ka shkuar. Në ajete të tjera, Allahu e ka quajtur Xhenetin si “mëshirën” e Tij, si për shembull: “Ndërsa ata të cilëve u janë zbardhur fytyrat, ata janë në Mëshirën (Xhenetin) e Allahut, ku do të jenë përjetësisht.” [Al Imran 107]. Fakti që kështu ka premtuar Rrahmani tregon edhe diçka tjetër: Kënaqësitë në Xhenet do të jenë të vazhdueshme e të përjetshme, ashtu siç është mëshira e Zotit. Ato janë fryt i mëshirës së Tij. Po kujt i është premtuar kjo mirësi? Në ajet thuhet se ajo i është premtuar robërve të Tij që besojnë të fshehtën. Pra, bëhet fjalë për robërit adhurues të Allahut, që i përmbahen ligjit të Tij. Janë ata që Zoti i përmend në ajete të tjera, si: “Adhuruesit e të Gjithmëshirshmit janë ata që ecin nëpër Tokë të qetë, e kur injorantët u drejtohen atyre me fjalë (fyese), ata thonë: “Paqe (selâm)!” Janë ata, që për hir të Zotit të tyre, natën e kalojnë duke bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë (duke falur namaz). Janë ata që thonë: “O Zoti ynë! Largoje prej nesh vuajtjen e Xhehenemit sepse vuajtja në të është, vërtet gjëja më e rëndë!”. Shumë i keq është, vërtet ai (Xhehenemi), si vendbanim dhe vendqëndrim. (Adhuruesit e të Gjithmëshirshmit) Janë ata që kur shpenzojnë nuk e teprojnë e as nuk janë dorështrënguar, por mbajnë mesataren e janë të matur. Janë ata që veç Allahut, nuk i luten asnjë zoti tjetër dhe nuk e vrasin atë, të cilin Allahu e ka ndaluar të vritet, veçse kur e meriton në bazë të drejtësisë dhe nuk bëjnë imoralitet. Kush i bën këto, e pret ndëshkimi. Atij i dyfishohet dënimi Ditën e Kjametit dhe aty mbetet përgjithmonë i poshtëruar. Përveçse nëse pendohet, beson (me besimin e drejtë) dhe bën vepra të mira. Këtyre Allahu ua shndërron të këqijat në të mira. Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. Dhe kushdo që pendohet dhe bën vepra të mira, ai është kthyer, me të vërtetë tek Allahu me një pendim të sinqertë. (Adhuruesit e të Gjithëmëshirshmit janë) Edhe ata që nuk dëshmojnë duke gënjyer dhe, kur (rastësisht) kalojnë pranë të keqes, kalojnë duke e shmangur me dinjitet. Edhe ata që, kur këshillohen me Ajetet e Kur’anit të Zotit të tyre, nuk u kthejnë shpinën sikur të ishin të shurdhër e të verbër. Edhe ata që thonë: “O Zoti ynë! Na dhuro kënaqësinë që gratë tona dhe pasardhësit tanë të jenë kënaqësia e syve tanë, e na bëj udhëheqës të të devotshmëve!”. Këta janë ata që do të shpërblehen me vendin më të lartë në qiell për shkak se ishin durimtarë dhe aty do të priten me përshëndetje dhe selam. Aty (në kënaqësitë e përjetshme) do të jenë përgjithmonë. Eh sa vendbanim dhe vendqëndrim i mirë është ai! Thuaju (mohuesve): “E si të kujdeset për ju Zoti im, nëse ju nuk i luteni Atij?! Por ju e keni mohuar Atë, prandaj dënimi do të jetë i pashmangshëm.”.” [Furkan 63 – 76]. Siç shihet, ky premtim është vetëm për robërit e Zotit adhurues, e jo për të gjithë. Të gjithë njerëzit janë rob të Allahut në aspektin e krijimit, furnizimit dhe rregullimit të çështjeve të tyre. Këta janë “rob” në aspektin rububije. Ndërsa të parët janë “rob” në aspektin uluhije, pra, rob adhurues, të cilët i nënshtrohen dhe adhurojnë Zotin me zgjedhjen e tyre të lirë. Ata i nënshtrohen të vetmit Zot që adhurohet me meritë, për të jetuar sipas ligjit të tij dhe për ta adhuruar sipas Shpalljes së Tij. Këta janë të lavdëruar. Ndërsa të tjerët, edhe pse janë të nënshtruar dhe nuk dalin dot jashtë ligjit të krijimit të Zotit, nuk shpërblehen dhe nuk lavdërohen për këtë nënshtrim. Në fjalinë: “...që i Gjithëmëshirshmi ua ka premtuar robërve të Vet fshehtaz”, fjala “fshehtaz” mund të ketë më shumë se një kuptim. Kështu, njëri kuptim mund të jetë: ua ka premtuar në mënyrë të fshehtë, pra, në mënyrë të tillë që ata nuk kanë mundësi ta shohin haptaz. E, megjithatë, ata besojnë këtë premtim të mirë për të fshehtën. Ata punojnë e luftojnë për ta arritur premtimin e fshehtë të Zotit, edhe pse nuk e shohin me shqisat e tyre. Atëherë, si do të përpiqeshin nëse do ta shihnin haptazi atë premtim të mrekullueshëm? Sigurisht që do të përpiqeshin edhe më fort për ta arritur e do të ishin edhe më të përmalluar e të dashuruar pas tij. Pra, Allahu i Lartësuar kur i lëvdon adhuruesit që i besojnë premtimet e Tij për botën e fshehtë, pa e dëshmuar me sytë e tyre, tregon se ky është imani i vërtetë dhe dobiprurës. Kuptimi tjetër është: “ua ka premtuar atyre që e adhurojnë Atë fshehtaz”, pra, e adhurojnë Allahun, edhe pse nuk e shohin Atë. Atëherë, nëse do ta shihnin, si do të ishte adhurimi i tyre për Allahun? Sigurisht që adhurimi i tyre do të ishte edhe më i fortë e me përkushtim. Kthimi e pendimi i tyre tek Zoti do të ishte i pandërprerë, dashuria më e madhe, veprat për ta kënaqur Atë do të ishin të pandalshme dhe malli për Të do të ishte i papërshkrueshëm. Gjithashtu, kuptimin mund të lidhet edhe me kopshtet e Adnit. Pra, kuptimi i ajetit do të ishte: “Ato janë kopshtet e fshehta të Adnit, që i Gjithmëshirëshmi ua ka premtuar robërve të Vet...”. Domethënë, ato janë kopshte që nuk mund të përshkruhen plotësisht dhe që askush veç Zotit nuk mund t’i dijë realisht se si janë. Kjo i bën edhe më të përmalluar besimtarët për Xhenetin. Shpirti nxitet ta përfytyrojë dhe ta kërkojë më shumën atë. Atëherë, ky variant do t’i ngjante ajetit tjetër: “Askush nuk di për atë kënaqësi që u është caktuar atyre si shpërblim për atë që kanë bërë.” [Sexhde 17]. Të gjitha këto kuptime janë të sakta, por kuptimi i parë është më afër të vërtetës, sepse Allahu i Lartësuar thotë më pas: “...premtimi i Tij është i sigurt”, për premtimin e Tij, që besimtarët nuk e kanë parë me sytë e tyre, por përsëri e besojnë dhe përpiqen për ta arritur. Ky premtim do të ndodhë patjetër, sepse Allahu nuk e shkel kurrë fjalën e dhënë.