Allahu ua shton udhëzimin atyre që e kërkojnë udhëzimin e Tij. -
Pasi tregoi se keqbërësit ndëshkohen duke i zhytur edhe më thellë në humbjen e tyre, Allahu i Madhëruar na tregon se, nga ata tjetër, ua shton të udhëzuarve edhe më shumë udhëzimin. Ai do t’ua shtojë edhe më shumë besimin, mirësitë dhe mëshirën e Tij. Fjala “el huda”, që Zoti ka premtuar se do t’ua shtojë, është dituria e saktë dhe puna e mirë sipas saj. Çdokush që i hyn rrugës së diturisë, besimit e punëve të mira, Zoti ka për t’ia lehtësuar dhe mundësuar që t’i punojë ato, madje do t’ua shtojë edhe më shumë nga mirësia e Tij. Ai do t’i mundësojë të mësojë edhe shumë çështje të tjera, që njeriu as i kishte menduar se mund t’i arrinte me përpjekjet e veta. Ky ajet tregon dhe është argument se besimi shtohet e pakësohet, ashtu siç kanë pohuar selefët e mirë të këtij umeti. Për këtë tregojnë edhe shumë ajete të tjera kuranore: “Ne bëmë mbikëqyrës të Zjarrit veç melekë, numrin e të cilëve e bëmë veçse si sprovë për ata që nuk besojnë, që të binden ata që u është dhënë Libri, që besimtarëve t’u shtohet edhe më shumë besimi...” [Mudethir 31]. Ose: “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që, kur përmendet Allahu, u frikësohet zemra dhe, kur u lexohen ajetet e Tij, u shtohet besimi. Ata kërkojnë mbështetje vetëm te Zoti i tyre. Ata e përkryejnë namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne. Këta janë besimtarë të vërtetë. Ata kanë grada të larta te Zoti i tyre dhe falje e bujari prej Tij.” [Enfal 2 – 4]. Për këtë fakt tregon edhe realiteti. Besimi shprehet me fjalë zemre e goje, si dhe me vepra. Besimtarët janë të gradave të ndryshme në të tilla çështje, me ndryshime të mëdha mes njëri-tjetrit.
Veprat e mira që mbesin (gjithmonë), kanë shpërblim më të madh te Zoti yt dhe (sjellin) një përfundim më të mirë. -
Veprat që kurrë nuk u ndërpriten frytet, edhe kur të tjerat zhduken e bëhen pluhur, janë ato që quhen “të mira”. Vepra që mbeten gjithmonë janë namazi, zekati, agjërimi, haxhi, umreja, leximi i Kur’anit dhe i diturisë së dobishme, tesbih-et, tekbir-et, tahmid-et, tahlil-et, bamirësia ndaj krijesave, punët e zemrës dhe të trupit që i do Zoti dhe na ka urdhëruar për to. Këto vepra: “...kanë shpërblim më të madh te Zoti yt dhe një përfundim më të mirë.” Mirësitë që sjellin këto punë janë shumë të mëdha. Ato janë shumë të dobishme për vepruesit e tyre dhe u sjellin përfundim të mirë. Në fakt, edhe pse Zoti ka përdorur një mbiemër të shkallës krahasore “kanë shpërblim më të madh nga Zoti yt”, nuk do të thotë se ka ndonjë vepër tjetër (përveç veprave të mira) që mund të shpërblehet. Me fjalë të tjera, të vetmet punë që sjellin mirësi janë ato që Zoti i ka quajtur “të mira”.[1] Me sa duket, - dhe Zoti e di më mirë - kjo është bërë për të treguar diçka tjetër. Kur keqbërësit thoshin se pasuria e madhe, pushteti dhe aleatët e shumtë janë tregues të vlerësimit dhe të gradës së lartë te Zoti, këtu tregohet qartë se çështja nuk qëndron kështu. Gjërat që tregojnë se Zoti vërtet të do janë veprat e mira që mbesin. Ato janë rruga e vetme drejt suksesit, dhe jo ato që pretendojnë mohuesit.
[1]
Vepra të mira. Veprat quhen të mira
vetëm nëse Allahu i Lartësuar i ka cilësuar
të tilla nëpërmjet Librit dhe Profetit të Tij.
Me fjalë të tjera, gradat e larta nuk mund
të arrihen duke shtuar vepra e adhurime,
të cilat nuk janë cilësuar si të tilla nga
Allahu. Tek Allahu i Lartësuar mund të
afrohesh dhe mund të fitosh kënaqësinë
e Tij veçse me mënyrat që Ai i pëlqen dhe
i ka ligjëruar për një gjë të tillë,
nëpërmjet profetëve të Tij dhe librave të
shenjtë me të cilët i pajisi ata. Mirësia
nuk mund të arrihet me rrugë jo të mira.
Ai që përpiqet të afrohet tek Allahu i
Lartësuar me bidate arrin të fitojë veçse
lodhjen e kotë. Madje, kur e di se
adhurimi që kryen nuk është ligjëruar nga
Zoti i tij, atij i shtohen të këqijat dhe
largohet nga Allahu i Lartësuar. Asnjë
vepër nuk pranohet nga Allahu i
Lartësuar, derisa të plotësojë dy kushtet
e njohura: të kryhet me sinqeritet për
Allahun, duke shpresuar me të vetëm
shpërblimin e Tij, dhe vepra të jetë në
përputhje me mësimet dhe porositë e
Allahut dhe Profetit të Tij.