Përkundrazi, ai që i është dorëzuar Allahut dhe është bamirës… -
Pra, çështja nuk qëndron sikurse ëndërroni ju. Dëshirat dhe pretendimet tuaja nuk hyjnë aspak në punë, nëse nuk ia përkushtoni të gjitha veprat dhe adhurimet tuaja Allahut të Lartësuar, duke e drejtuar zemrën veçse tek Ai, dhe, përveç kësaj, duke qenë bamirës (muhsin). Pra, sinqeriteti i zemrës duhet të shoqërohet me një adhurim të saktë, që të bëhesh muhsin. Fjala “muhsin” vjen nga “ahsene juhsinu”, domethënë: “e rregulloi, e kreu mirë”, ndërsa shprehja: “ahsenehû etķanehû” do të thotë: “e kreu në formën më të mirë”. Kësisoj, “ue hue muĥsin” domethënë: “ai që e kryen adhurimin ndaj Allahut në formën më të shkëlqyer”. Asnjë adhurim nuk quhet i pranueshëm nga Allahu, nëse nuk kryhet sipas rregullit dhe mënyrës që Ai e ka dëshiruar dhe e ka sqaruar në Sheriatin që ia shpalli Muhamedit (a.s.). Vetëm ai njeri që e kryen këtë lloj adhurimi mund të quhet muhsin ose bamirës. Mësojeni se vetëm ata që plotësojnë dy kushtet e mëposhtme do të jenë banues të Xhenetit:
1. Kanë sinqeritet në adhurim (duke e bërë atë vetëm për Allahun).
2. E kryejnë adhurimin sipas Sheriatit të përcaktuar nga Allahu i Lartësuar. Pra, vetëm për këta është premtimi i pakthyeshëm nga Allahu i Lartësuar, i Cili thotë:
…e ka shpërblimin e vet te Zoti i tij. Për ata nuk ka frikë, as nuk kanë pse të brengosen. -
Ata do të trashëgojnë përjetësisht shpërblimet e përgatitura prej Allahut, Zotit të tyre, në Xhenetet e mrekullueshme. Ata do t’i përjetojnë të dyja llojet e lumturisë: lumturinë që sjell shpëtimi nga zjarri i Xhehenemit dhe nga dëshpërimi i përjetshëm, si dhe lumturinë që sjell arritja e paqes dhe e sigurisë në Xhenetin e kënaqësisë së përjetshme.