kush mund të jetë më i keq se ai që, në xhamitë e Allahut, pengon të përmendet emri i Tij dhe përpiqet për shkatërrimin e tyre? Ata nuk do të hyjnë në to, përveçse me frikë. -
Domethënë, nuk ka zullumqarë më të mëdhenj sesa ata që i mbyllin xhamitë, në mënyrë që në to të mos përmendet emri i Allahut dhe mos adhurohet Ai, ose e thënë ndryshe: ata që pengojnë faljen e namazit dhe çdo adhurim tjetër që kryhet në to. Në fragmentin: “ue seâ fî ħarâbihâ” (…dhe përpiqet për shkatërrimin e tyre), fjala “seâ” ka kuptimin: “përpiqet duke provuar të gjitha mënyrat dhe mjetet për të arritur qëllimin”. Ndërsa për pjesën “për shkatërrimin e tyre”, mund të themi se shkatërrimi i xhamive (el ħarâbu) është dy llojesh:
1. Shkatërrim fizik, nga ana materiale, sikurse është shembja apo përdhosja e objektit, e çdo lloji a mënyre qoftë.
2. Shkatërrim që kryhet duke i penguar besimtarët dhe adhuruesit e Allahut, që të adhurojnë Allahun brenda faltores. Me pak fjalë, ky lloj shkatërrimi nënkupton pengimin e shfrytëzimit të xhamive për atë qëllim që ato janë ndërtuar.
Ky ajet i përfshin të gjithë ata njerëz që i bëjnë këto punë. Për shembull, i tillë ishte Abrahaja dhe ushtria e tij, që synonte të shembte Qaben. Këtu hyjnë edhe kurejshët, të cilët e penguan Profetin (a.s.) të shkonte drejt Qabes, në vitin e Hudejbijes. Të tillë ishin edhe ata të krishterë që shkatërruan Xhaminë e Shenjtë në Kuds (Palestinë). Në këtë kategori përfshihen edhe shumë e shumë të tjerë, të cilët, me shkatërrimin apo mbylljen e xhamive, synojnë të pengojnë njerëzit nga rruga e Allahut. Ata thjesht shprehin armiqësinë e tyre ndaj Allahut dhe ndaj profetëve të Tij. Për shkak të kësaj pune të shëmtuar, Allahu i Lartësuar ua ndaloi atyre futjen në xhami. Edhe nëse ata do të hynin në to, do të ishin të frikësuar dhe të poshtëruar. Kështu, Allahu i Lartësuar ua ktheu me të njëjtën mënyrë. Ata donin të frikësonin dhe poshtëronin frekuentuesit e xhamive, por Allahu i Lartësuar mbolli frikën dhe poshtërimin në zemrat e tyre. Kështu ndodhi me idhujtarët, të cilët e munduan dhe u përpoqën të pengonin Profetin e Allahut dhe besimtarët nga Xhamia e Shenjtë. Por nuk kaloi shumë dhe Profeti (a.s.), me lejen e Allahut të Lartësuar, hyri si triumfator në Mekë. Pas kësaj ngjarjeje, idhujtarët nuk do të hynin kurrë më në atë vend të pastër dhe të shenjtë, pasi i Lartësuari tha: “O ju që keni besuar! Idhujtarët janë vërtet të papastër, prandaj mos i lini t'i afrohen Xhamisë së Shenjtë pas këtij viti! Dhe mos kini frikë nga varfëria, sepse Allahu, nëse dëshiron, ju bën të pasur me mirësinë e Tij. Allahu është vërtet i Gjithëditur dhe i Urtë.” [Teube 28]. “Ushtria e Elefantit” pësoi të njëjtin fat. Allahu i Lartësuar na rrëfen se çfarë bëri me ta: “A nuk e ke parë se ç’bëri Zoti yt me ushtrinë e Elefantit? A nuk e shkatërroi përpjekjen e tyre (për shkatërrimin e Qabes)? Ai lëshoi kundër tyre shpendë, që erdhën tufa-tufa dhe që i gjuajtën ata me gurë prej baltës së pjekur,Duke i bërë si gjethe të përtypura.” [Fil 1-5]. Po kështu e pësuan edhe të krishterët në xhaminë e Kudsit, në Palestinë, dhe kështu do të ndodhë gjithmonë me cilindo që vepron në të njëjtën mënyrë. Këto konsiderohen si shenja shumë të mëdha, sepse Allahu i Lartësuar ka lajmëruar rreth tyre para se ato të ndodhnin, dhe ato kanë ndodhur pikërisht ashtu si i ka përshkruar Allahu i Lartësuar. Disa dijetarë janë mbështetur në këto ajete për të thënë, gjithashtu, se nuk lejohet futja e qafirëve në xhami.
Në këtë jetë, ata meritojnë poshtërim, ndërsa në jetën tjetër do të kenë dënim të madh. -
Kështu, jobesimtarët meritojnë poshtërimin që në këtë jetë, kurse në jetën tjetër do t’i nënshtrohen ndëshkimit të madh. Nëse nuk ka kriminel më të madh se ai që shkatërron xhamitë e Allahut ose që nuk lejon të përmendet emri i Allahut në to, atëherë mund të themi se nuk ka tregues më të madh për besimin në zemra, sesa përpjekjet për të ngritur dhe mirëmbajtur xhamitë e Allahut, qoftë nga ana fizike, qoftë nga ana funksionale. Për këtë, i Madhëruari thotë: “Për xhamitë e Allahut kujdesen veçse ata që besojnë në Allahun dhe në Ditën e Gjykimit, falin rregullisht namazin e japin zekatin dhe nuk i frikësohen askujt tjetër veç Allahut. Shpresohet që këta të jenë të udhëzuar (në rrugën e drejtë).” [Teube 18]. Madje, Allahu i Lartësuar ka urdhëruar që të ngrihen xhami dhe në to të kujtohet dhe lavdërohet emri i Tij. Ai ka urdhëruar që atyre t’u kushtohet respekt dhe përkujdesje maksimale, nga njëra anë, dhe ka kërcënuar penguesit, nga ana tjetër. I Lartësuari thotë: “E sa për ata që kanë mohuar
(Allahun) dhe që pengojnë (njerëzit) prej rrugës së Allahut dhe prej xhamisë së shenjtë (Qabes), të cilën Ne e bëmë (vend adhurimi) për të gjithë njerëzit pa dallim, - qofshin vendës ose të ardhur dhe ata, qëllimi i të cilëve është të bëjnë ndonjë keqe e padrejtësi - , ata Ne kemi për t’i bërë të shijojnë një dënim të dhembshëm. (Kujto) kur Ne ia treguam Ibrahimit vendin e Shtëpisë (dhe i thamë) "Mos adhuro askënd e asgjë tjetër veç Meje dhe pastroje shtëpinë Time për ata që e vizitojnë (bëjnë tauaf), ose që qëndrojnë në këmbë, që përkulen dhe që bëjnë sexhde (kur falen).” [Haxh 25, 26]. Për xhamitë ka shumë rregulla, por më kryesoret janë ato që u përmendën më lart.