Dhe kur u thuhet atyre: "Besoni, sikurse besuan njerëzit (e mirë)!" -
Kur munafikëve u thuhet: "Besoni edhe ju, me zemër dhe me gojë, sikurse besuan njerëzit e mirë, pra, sikurse besuan sahabët, pasuesit e Profetit (a.s)", ata përgjigjen me pretendimin e gënjeshtërt, duke thënë:
“A të besojmë edhe ne ashtu sikurse besuan mendjelehtët?” -
Të poshtrit! Me fjalën “mendjelehtë”, ata kishin për qëllim shokët e Profetit (a.s.). Hipokritët mendonin se imani i sahabëve është pasojë e mendjelehtësisë së tyre. Ata mendonin se ishte pikërisht kjo mendjelehtësi që i detyroi ata t`i hynin luftës së ashpër me jobesimtarët e, madje, të braktisin edhe atdheun (e pasuritë) e tyre. Mendja e cekët e këtyre fatkeqëve hipokritë i shtyu ata të bënin të kundërtën e asaj që vepruan pasuesit e Profetit (a.s). Duke pretenduar mendjelehtësinë e sahabëve, ata nënkuptonin se vetë ishin gjykues të zgjuar e mendimtarë të mëdhenj. Por, përsëri, Allahu i Madhëruar ua hodhi poshtë pretendimin e tyre, duke na treguar se mendjelehtët ishin pikërisht dhe vetëm ata.
“Në të vërtetë, pikërisht ata janë mendjelehtët, por nuk e dinë” -
Nuk ka dyshim se vetëm ata janë mendjelehtët. Në të vërtetë, mendjelehtët janë ata, sepse esenca e mendjelehtësisë është: injoranca e njeriut rreth gjërave që janë në dobi të tij dhe veprimi e ndjekja e gjërave që e dëmtojnë atë. Këto cilësi u shkojnë për shtat pikërisht munafikëve, pasi janë në përputhje të plotë me gjendjen dhe veprat e tyre. Ndërsa mençuria e njeriut duket në njohjen e dobive dhe të mirave vetjake. Ajo duket, gjithashtu, në të punuarit pa u lodhur për të fituar dhe përvetësuar çdo gjë të dobishme për veten dhe për t’u larguar dhe shpëtuar nga çdo e keqe dhe rrezik që asaj i kanoset. Këto cilësi u shkojnë për shtat dhe janë në përputhje të plotë me gjendjen e sahabëve dhe të gjithë besimtarëve, si edhe me veprat e tyre. Duhet kuptuar që pretendimet nuk merren në konsideratë, thjesht, për hir të fjalëve boshe dhe të menduarit sipërfaqësor. Ato merren në konsideratë vetëm nëse janë të bazuara në argumentim të fortë dhe analizë të hollë. I Lartësuari thotë: