Ngado që të shkosh, ktheje fytyrën tënde drejt Xhamisë së Shenjtë! Kudo që të gjendeni, kthejini fytyrat tuaja drejt saj, që njerëzit të mos kenë argument kundër jush… -
Kuptimi: Këtë dispozitë (urdhrin për tu kthyer drejt Qabes) e sollëm, me qëllim që të ndërpritet çdo lloj kundërshtimi ndaj jush, prej idhujtarëve apo prej ithtarëve të Librit, çifutë e të krishterë qofshin. Nëse do të mbetej si Kible xhamia në Palestinë, të dyja grupet kundërshtare do të kundërshtonin. Kështu, ithtarët e Librit do të kundërshtonin, sepse ata e kishin të shkruar në librat e tyre se Kibla e Profetit të fundit do të ishte Qabja. Ndërsa idhujtarët arabë do të kundërshtonin, sepse Qabja ishte lavdia e tyre. Ata e quanin veten “pasardhës të Ibrahimit dhe të Ismailit”, dhe nëse Profeti (a.s) do të vazhdonte të drejtohej drejt xhamisë në Palestinë, kjo do të konsiderohej për ta si shpërfillje e lavdisë së të parëve të tyre. Nëse Muhamedi (a.s) nuk do të drejtohej nga Qabja, ata do të thonin: “Si pretendon ai se është pasues i fesë së Ibrahimit dhe nga pasardhësit e tij, ndërkohë që nuk drejtohet nga Shtëpia e Zotit, të ndërtuar nga vetë Ibrahimi?!” Vetëm këto dy lloj kundërshtimesh mund të merreshin në konsideratë, prandaj ia vlente një përgjigje për ta. Ndërsa të tjerët, të cilët kundërshtonin pa u mbështetur askund, nuk meritonin asnjë vëmendje. Me fjalë të tjera, këto argumente nga Zoti vlenin vetëm për ata që kërkonin të vërtetën, ndërsa për ata që kërkonin të arrinin veçse qëllimet dhe dëshirat e tyre të sëmura, ato nuk bënin dobi, siç thotë i Lartësuari:
…përveç atyre që janë të padrejtë. -
Pra, këta njerëz nuk mund të përfitojnë nga faktet dhe provat e sjella, sepse ata nuk e duan sqarimin e të vërtetës. Për të tillët nuk ia vlen të shqetësohesh dhe as të kesh frikë, siç thotë i Lartësuari:
Por, ju mos u frikësoni prej atyre, por frikësohuni vetëm prej Meje! -
Arsyeja është se “argumentet” e tyre janë boshe dhe të destinuara të hidhen poshtë. Si të tillë, ata nuk ngjallin respekt në zemrat e atyre që i dëgjojnë. Ndërsa ai që flet të vërtetën, fiton autoritet e respekt te çdokush që e sheh dhe e dëgjon. Ky urdhër i Allahut të Lartësuar është një begati e madhe prej Tij, sepse çdo mirësi e ka zanafillën te frikë-respekti ndaj Allahut. Ai që nuk i frikësohet shikimit të Allahut, nuk mund të frenohet nga poshtërsitë prej asgjëje tjetër. Asgjë tjetër nuk mund ta bëjë atë që t'i bindet urdhrave të Zotit të Tij. Kthimi i muslimanëve drejt Qabes ngjalli polemika të shumta, të cilat u nxitën nga ithtarët e Librit, munafikët dhe idhujtarët. Ata i nxisnin bisedat rreth kësaj teme, duke hedhur herë pas here dyshimet dhe helmet e tyre. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar e shtjelloi gjerësisht këtë çështje në Librin e Tij. Ai e përforcoi gjykimin e Tij me disa elementë, të cilët u përmendën më lart, por dhe me disa të tjerë, që do tregohen më poshtë. Një element i tillë përforcues është, për shembull, përsëritja e kësaj dispozite tri herë, edhe pse një herë do të ishte e mjaftueshme. Po ashtu, zakonisht, urdhrat e Allahut të Lartësuar ose i drejtohen Profetit (a.s.), dhe nëpërmjet tij nënkuptohet i tërë umeti, ose i drejtohen umetit në përgjithësi. Në këtë rast, Allahu i Lartësuar i përdor të dyja mënyrat, si mjet përforcues, edhe pse do të mjaftonte vetëm njëra. Kështu, Ai i drejtohet fillimisht Profetit (a.s.): “Ngado që të shkosh, ktheje fytyrën tënde drejt Xhamisë së Shenjtë!” Pastaj i drejtohet edhe umetit në përgjithësi: “Kudo që të gjendeni, kthejini fytyrat tuaja drejt saj”. Allahu i Lartësuar u ktheu përgjigje të gjitha dyshimeve të hedhura nga mohuesit, duke i sqaruar ato një për një, dhe kjo tregon për rëndësinë e madhe të kësaj çështjeje. Ai preu çdo shpresë të mohuesve se Muhamedi (a.s.) do të ndiqte Kiblën e ithtarëve të Librit, dhe ky është, gjithashtu, element përforcues. Përforcues tjetër gjendet edhe te thënia: “Me të vërtetë, kjo është e vërteta e sigurt nga Zoti yt.” Do të mjaftonte lajmi i madh i Allahut të Lartësuar për ndryshimin e Kiblës, që kjo dispozitë të zbatohej menjëherë dhe pa ngurrim. E, megjithatë, Allahu i Lartësuar i thotë këto fjalë, për të siguruar njerëzit se kjo qe një e vërtetë prej Atij. Element tjetër përforcues është edhe një informacion i sjellë prej Atij, që është Njohësi i të fshehtave. Allahu i Lartësuar lajmëroi se Kibla e Profetit të fundit të botës ishte pikërisht ajo për të cilën Ai i urdhëroi besimtarët, por mohuesit e fshehën dhe e mohuan padrejtësishit një gjë të tillë. Kjo dispozitë ishte shprehje e dashurisë dhe e mëshirës së Allahut të Lartësuar për këtë umet. Ai e deklaron një fakt të tillë, kur tregon qëllimin e saj:
…që Unë ta përsos mirësinë Time ndaj jush… -
Mirësitë e Allahut ndaj këtij umeti do të vazhdojnë të ndjekin njëra tjetrën, përjetësisht. Në themel të tyre qëndron udhëzimi për të pranuar fenë e Tij të drejtë, të cilën e sqaroi nëpërmjet Profetit të Tij të fundit dhe Librit që i shpalli atij. Ky është burimi i çdo mirësie të këtij umeti të ekuilibruar, të cilat janë plotësuese të mirësisë kryesore, të shumta në numër dhe mjaft të larmishme. Për mirësinë e Tij ndaj profetit Muhamed dhe umetit të tij, Allahu i Lartësuar thotë: Sot (ditën e Arafatit), u dëshpëruan ata që mohuan (Allahun dhe Profetin) dhe e humbën çdo shpresë, që t'ju largojnë prej fesë suaj. Mos u frikësoni prej tyre, por vetëm Mua mu frikësoni! Sot e përsosa për ju fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe u kënaqa që Islami të jetë feja juaj. [Maide 3]. I lavdëruar qoftë Allahu, për mirësitë dhe begatitë e panumërta që na ka dhuruar, të cilat ne nuk mundemi as t'i numërojmë, e jo më ta falënderojmë aq sa Ai e meriton.
…dhe që ju të gjeni rrugën e drejtë. -
Kjo na tregon një tjetër arsye të ligjërimit të këtyre dispozitave. Pra, Allahu i Lartësuar i caktoi këto rregulla, me qëllim që ne të udhëzohemi në rrugën e drejtë. Udhëzimi arrihet veçse duke njohur të vërtetën e sjellë prej Zotit dhe duke e zbatuar atë. Allahu i Lartësuar, me mëshirën e Tij të pamatë, ua ka lehtësuar njerëzve rrugën e udhëzimit dhe gjithmonë i nxit ata për ta ndjekur atë. Ai ua ka qartësuar të vërtetën plotësisht, në mënyrën më të plotë. Madje, për ta ndriçuar sa më mirë të vërtetën, Allahu i Lartësuar ka përcaktuar që të padrejtët të shfaqin dyshime, të cilat Ai ua shpjegon më pas adhuruesve të Tij. Nga debatet e kundërshtimet, Allahu ka përforcuar shenjat e Profetit të Tij dhe e ka nxjerrë në pah fytyrën reale të gënjeshtrës. Nëse pasuesit e të kotës nuk do të polemizonin, ndoshta çështjet do të mbeteshin të panjohura në hollësitë e tyre për shumë njerëz. Allahu i Urtë dhe i Ditur e nxjerr të vërtetën në pah me urtësinë dhe dijen e Tij. Çështjet qartësohen më mirë kur ballafaqohen me të kundërtat e tyre. Po të mos ishte nata, nuk do të kuptohej plotësisht dobia e ditës. Po të mos ekzistonte e shëmtuara, nuk do të konceptohej e bukura. Po të mos ishte errësira, si do të njihej drita? Nëse nuk do të shfaqej e kota, edhe e vërteta nuk do të zbulohej plotësisht. Allahu qoftë i lavdëruar për këto mirësi!