Dhe mos thoni për ata që u vranë në rrugën e Allahut: “Ata kanë vdekur!” -
Pasi urdhëroi që për çdo çështje të kërkojmë ndihmë dhe zgjidhje me durim, Allahu i Lartësuar sjell një rast konkret, për të cilin duhet të kërkojmë ndihmë me durim: xhihadi në rrugën e Tij. Xhihadi është ndër veprat më të vështira për trupin dhe për shpirtin, nga njëra anë, dhe një nga adhurimet më të larta që njeriu mund të bëjë për Zotin e Tij, nga ana tjetër. Ai është shumë i vështirë të kryhet, sepse mund të të çojë në humbjen e jetës, e cila është shumë e dëshirueshme për njeriun. Çdo gjë që bën njeriu nuk është gjë tjetër, por veçse përpjekje për të zbukuruar jetën dhe për të shmangur çdo pakënaqësi të saj. Sigurisht që asnjë i mençur nuk do të hiqte dorë nga kjo gjë kaq e shtrenjë, nëse nuk do të shkëmbehej me diçka tjetër akoma më të shtrenjtë. Kështu, Allahu i Lartësuar na ka treguar se kush lufton për lartësimin e fjalës së Allahut dhe që në tokë të adhurohet vetëm Allahu i Lartësuar, atëherë, edhe nëse vdes në luftë, ai do të fitojë një jetë shumë herë më të mirë dhe begati shumë herë më të mëdha. Jeta tjetër do të jetë shumë herë më e shtrenjtë sesa jeta e sakrifikuar për Zotin e Tij dhe shumë herë më e mirë sesa mund të përfytyrohet.
Jo, ata janë të gjallë, por ju nuk e kuptoni. -
Allahu i Lartësuar e përshkruan më hollësisht gjendjen e tyre në një ajet tjetër: “Kurrsesi mos thoni për ata që kanë rënë dëshmorë në rrugën e Allahut: “Kanë vdekur”. Përkundrazi, ata janë të gjallë tek Zoti i tyre, duke u ushqyer. Ata janë të gëzuar me të mirat që u ka dhënë Allahu dhe i përgëzojnë ata që ende nuk u janë bashkuar radhëve të tyre, se për ta nuk do të ketë frikë dhe as nuk do të brengosen. Ata janë të gëzuar me mirësinë e Allahut, sepse Allahu nuk ua humb shpërblimin besimtarëve.” [Al Imran, 169-171]. E ku ka më të mirë se jeta pranë Krijuesit, pranë Allahut të Lartësuar?! Trupi i tyre kënaqet me ushqim, pije dhe shumë kënaqësi të tjera, ndërsa shpirti përjeton lumturinë e përhershme, pasi kanë harruar çdo lloj frike dhe brenge. Kjo është jeta e dëshmorëve në jetën e varrit (berzaħ), e cila është, pa dyshim, më e mirë se jeta e dynjasë. Profeti (a.s) na e ka përshkruar jetën e tyre në një hadith, ku thuhet se shpirtrat e dëshmorëve që vriten në rrugën e Zotit qëndrojnë brenda disa zogjve jeshilë dhe shëtisin nëpër Xhenet, ku hanë, pinë dhe shijojnë mirësitë e dhuruara nga Zoti i tyre. Ata shëtisin nëpër lumenjtë e Xhenetit, hanë prej frutave të tij, për t’u kthyer pastaj dhe për t’u prehur në disa kandilë të varur nën Fronin e Allahut të Lartësuar. Ky ajet është nga nxitësit më të fortë të xhihadit në rrugën e Zotit dhe për durimin gjatë tij. Nëse adhuruesit e dinë se çfarë është përgatitur për luftëtarët në rrugën e Zotit, atëherë askush nuk do t'ia lejonte vetes të mbetej mbrapa në këtë drejtim. Në të kundërt, kur dija për këtë çështje është e pakët ose mungon, ulet dhe vullneti për t’u përpjekur në këtë rrugë dhe dobësohet durimi për hir të Zotit. Kjo dobësi ia shton akoma më tepër gjumin të fjeturve. Si pasojë, plogështia në këtë aspekt bëhet shkak që njeriut t’i shpëtojnë nga duart shumë mirësi. E si të mos jetë kështu, kur Allahu i Lartësuar thotë në ajetet e mëposhtme: “Allahu ka blerë prej besimtarëve shpirtin dhe pasurinë e tyre, për t'u dhënë në këmbim Xhenetin. Ata luftojnë në rrugën e Allahut, vrasin dhe vriten. Ky është një premtim i vërtetë i përmendur në Teurat, Ungjill e Kur'an. E kush është mbajtës më i sigurt i premtimit sesa Allahu? Atëherë, gëzojuni tregtisë që e keni bërë me Të! Ky është suksesi më i madh.”. [Teube, 111]. “Pa dyshim, ata të cilët besuan, ata që u shpërngulën dhe që luftuan në rrugën e Allahut, ata vërtet shpresojnë në mëshirën e Tij. Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” [Bekare, 218]. “Dilni (në luftë), qoftë ajo e lehtë ose e rëndë! Luftoni për hir të Allahut me pasurinë dhe me veten tuaj! Kjo është gjëja më e dobishme për ju, nëse e kuptoni.” [Teube, 41]. “O ju që keni besuar! A t’ju tregoj për një pakt (madhështor), që ju shpëton prej dënimit të dhembshëm? Besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe luftoni në rrugën e Allahut me pasurinë dhe veten tuaj! Kjo është shumë herë më e dobishme për ju, sikur ta dinit. Ai jua fal gjynahet tuaja, ju fut në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, dhe në pallate të bukura, në xhenetet e amshuar. Ky është fitimi i madh!Edhe të tjera që ju i dëshironi, si, ndihmë prej Allahut dhe fitore të afërt. Atëherë, përgëzoji besimtarët!” [Saf, 10-13]. “O ju që keni besuar! Kush prej jush largohet nga feja e vet, (le ta dijë se) Allahu do të sjellë një popull tjetër të cilin Ai i do ta dojë dhe ata do ta duan Atë; modest e i butë ndaj besimtarëve, por i ashpër dhe i fortë ndaj mohuesve; që lufton në rrugën e Allahut dhe që nuk i frikësohet kërcënimit të asnjë kërcënuesi. Kjo është dhurata e Allahut, që ia jep atij që Ai do. Allahu është Dhurues i madh e i Gjithëditur.” [Maide 54]. Betohem në Allahun e Madhëruar se, sikur njeriu të kishte një mijë shpirtra dhe të gjitha t'i jepte për hir të Zotit, nuk do të ishte shumë për të merituar këtë shpërblim të mrekullueshëm, të premtuar nga Allahu i Lartësuar. Për këtë arsye, dëshmorët, kur shohin dhe gëzojnë shpërblimin e përgatitur për ta, dëshirojnë që të kthehen përsëri në dynja dhe të bien sërish dëshmorë në rrugën e Zotit, dhe kjo të përsëritet shumë herë. Ky ajet vërteton jetën në berzah, me mirësitë apo ndëshkimet e saj. Ky fakt mbështetet edhe nga shumë dëshmi të përcjella prej Profetit (a.s). Allahu i Lartësuar na tregon se adhuruesit do të sprovohen gjithmonë me sprova dhe fatkeqësi, me qëllim që të dallohen të sinqertët nga shtirakët, durimtarët nga të paduruarit. Kjo është një normë e pandryshueshme e Allahut të Urtë, që patjetër do të zbatohet ndër njerëz. Nëse do të kishte vetëm mirësi e kënaqësi, atëherë nuk do të dalloheshin besimtarët e vërtetë nga shtirakët zullumqarë, dhe kjo përzierje do të ishte shumë e keqe. Me fjalë të tjera, sprovat nuk synojnë që t'u largojnë besimtarëve imanin që kanë apo t'i largojnë ata nga feja e Allahut të Lartësuar, por që të dallohen qartë të sinqertët, duke i ngritur edhe më lart në gradat e tyre, nga mashtruesit shtiracakë. Më pas, Allahu i Lartësuar na njofton për fushat në të cilat Ai do të na sprovojë durimin dhe këmbënguljen tonë në bindjen ndaj Tij: