Vërtet, Safa dhe Merva janë nga simbolet e Allahut… -
Kështu, Allahu i Lartësuar thotë se kodrat Safa dhe Merva, ku adhurohet Ai, janë dy nga simbolet e fesë së Tij. Duke qenë të tilla, ato duhen nderuar dhe respektuar, pasi i Lartësuari ka thënë që: “Kush i respekton shenjat e Allahut, tregon për devotshmërinë e zemrës së tij.” [Haxh]. Atëherë, Safa dhe Merva janë shenja të Allahut, dhe madhërimi i tyre tregon devotshmërinë e zemrës. Duke qenë se devotshmëria e zemrës është detyrë e çdo adhuruesi, atëherë edhe ecja mes Safas dhe Mervas është detyrë për ata që kryejnë haxhin apo umren. Të këtij mendimi janë shumica e dijetarëve, megjithëse kjo mbështetet edhe nga hadithet e përcjella nga Profeti (a.s), i cili ka thënë: “Mësoni prej meje ritet tuaja (të adhurimit, në haxh etj.)!”
“…Prandaj ata që shkojnë në Qabe për haxh ose për umre, nuk kanë asnjë gjynah nëse sillen mes tyre. -
Këtu flitet për mendimin e gabuar të disave, të cilëve iu duk i gabuar riti i vrapimit mes Safas dhe Mervas, meqë kështu ishte vepruar edhe në kohën para Islamit. Por Allahu i Lartësuar bën të qartë se ky rit nuk ishte gjynah. Megjithatë, mohimi i gjynahut për këtë veprim nuk tregon se ai është jo i detyrueshëm për t'u kryer. Allahu i Lartësuar thotë se për atë që bën haxhin dhe umren nuk është gjynah që të kryejë rendjen (sa'j) mes Safas dhe Mervas. E parë anasjelltas, kjo tregon se sa'j-i mes Safas dhe Mervas nuk bëhet jashtë riteve të haxhit dhe umres. Pra, ai nuk është një adhurim i veçantë, që mund të kryhet më vete. Ai nuk është si tavafi rreth Qabes, i cili, përveç që kryhet gjatë Haxhit dhe Umres, mund të bëhet edhe si adhurim më vete. Kështu, sa'j-i mes Safas dhe Mervas, qëndrimi në Arafat dhe në Muzdelife dhe gjuajtja e gurëve, janë adhurime që nuk mund të kryhen jashtë kuadrit të haxhit. Nëse këto vepra kryhen jashtë haxhit, atëherë nuk quhen më adhurime, por sajime (bidate) në fe, sepse bidatet në fenë e Allahut janë dy llojesh: së pari, adhurime që Allahu nuk i ka ligjëruar dhe, së dyti, adhurime të cilat janë ligjëruar nga Allahu që të kryhen me një mënyrë dhe formë të caktuar, por që adhuruesi i kryen në forma dhe mënyra të tjera, të ndryshme nga ato që ka përcaktuar Allahu.
Kush bën vepra të mira vullnetarisht… -
Pra, çdokush që kryen vepra të mira, me sinqeritet për Zotin, e mira do ta gjejë. Të mirat që mund të kryejë robi janë të llojeve të ndryshme, si për shembull: haxhi, umra, tavafi rreth Qabes, namazi, agjërimi etj. Në ajetin e agjërimit, ku thuhet: “Nëse dikush jep vullnetarisht më shumë, do të jetë më mirë për të.”, tregohet një rregull i mrekullueshëm, i vendosur nga Allahu i Lartësuar, sipas të cilit: sa herë që adhuruesi bën ndonjë punë të mirë, duke shprehur bindje ndaj Zotit, aq më shumë i shtohet mirësia dhe grada tek Zoti i tij. Veprat e mira ia shtojnë imanin adhuruesit, ndërsa imani i lartë ia ngre atij gradat tek Allahu i Lartësuar. Ndërsa ky ajet, që thotë: “Kush bën vepra të mira vullnetarisht…”, tregon se gradat e adhuruesit ngrihen kur ai shton vullnetarisht veprat e mira. Nga fjala “hajran” (vepra të mira) kuptojmë se ky lartësim arrihet vetëm me ato vepra që quhen të mira, e jo me të tjera. Veprat quhen të mira vetëm nëse Allahu i Lartësuar i ka cilësuar të tilla nëpërmjet Librit dhe Profetit të Tij. Me fjalë të tjera, gradat e larta nuk mund të arrihen duke shtuar vepra e adhurime, të cilat nuk janë cilësuar si të tilla nga Allahu. Tek Allahu i Lartësuar mund të afrohesh dhe mund të fitosh kënaqësinë e Tij veçse me mënyrat që Ai i pëlqen dhe i ka ligjëruar për një gjë të tillë, nëpërmjet profetëve të Tij dhe librave të shenjtë me të cilët i pajisi ata. Mirësia nuk mund të arrihet me rrugë jo të mira. Ai që përpiqet të afrohet tek Allahu i Lartësuar me bidate arrin të fitojë veçse lodhjen e kotë. Madje, kur e di se adhurimi që kryen nuk është ligjëruar nga Zoti i tij, atij i shtohen të këqijat dhe largohet nga Allahu i Lartësuar.
…ta dijë se Allahu është Mirënjohës e i Gjithëditur. -
Shâkirun (Mirënjohës) dhe Shekûrun janë dy emra të Allahut të Lartësuar, që tregojnë për mirësinë dhe mëshirën e Tij. Ata tregojnë mirënjohjen e Tij, duke shpërblyer çdo punë të adhuruesve, sado e vogël qoftë ajo, madje për një vepër të vogël, Allahu Bujar shpërblen shumëfish. Shenjë tjetër e mirënjohjes së pakufishme të Allahut Bujar është edhe fakti që, kur adhuruesi përpiqet për të kryer urdhrat e Tij dhe për t’iu larguar ndalesave të Tij, Allahu e ndihmon atë dhe i jep sukses që të jetë i vazhdueshëm në këtë rrugë. Madje, jo vetëm që e ndihmon, por edhe e përmend atë në Mbretëritë e qiellit, duke ia ngritur famën dhe gradat e tij. Allahu i Lartësuar dhe Bujar e shpërblen bindjen e robit duke i dhuruar atij dritë dhe besim të pastër në zemër, forcë në trup, mirësi në jetë dhe begati në vepra. Këto janë shenjat e mirënjohjes nga Allahu Bujar për bindjen e adhuruesit në këtë jetë. Ndërsa në jetën tjetër, atë e pret shpërblimi i plotë.Tregues tjetër i mirënjohjes së Allahut ndaj robit të bindur është edhe premtimi i Tij se, kush e lë diçka për hir të Tij, Allahu do t'ia kompensojë me diçka më të mirë se ajo që robi do të lërë. Nëse robi i afrohet Allahut një pëllëmbë, Ai do t’i afrohet robit një krah, e nëse robi i afrohet një krah, Ai do t’i afrohet edhe më shumë. Nëse robi i afrohet Allahut me hap, Ai do t’i afrohet atij duke rendur. Kush bën tregti me Zotin e tij, do të marrë shumëfishin e asaj që do të japë. Por Allahu i Lartësuar, përveçse është Mirënjohës i madh, Ai është edhe Alîm, pra, i Gjithëditur. Ai e di më mirë se çdokush tjetër se cili e meriton mirënjohjen e Tij. Ai e di shumë mirë se cilët adhurues e meritojnë shpërblimin e plotë, sepse Ai njeh shumë mirë qëllimet, besimin dhe përkushtimin e tyre, në varësi të të cilëve jep edhe shpërblimin e merituar. Allahu e di shumë mirë dallimin mes adhuruesve dhe asnjërit nuk ia humbet hakun. Çfarëdo pune, sado e vogël dhe e parëndësishme të duket, nuk i shpëton dijes së Tij gjithëpërfshirëse. Të gjithë do ta gjejnë të plotë shpërblimin e veprave të tyre, sipas qëllimit që kanë patur në këtë jetë, se asgjë nuk i shpëton të Gjithëditurit.