Në krijimin e qiejve dhe të tokës,… -
Qiejt janë krijuar të lartë, të gjerë, të fiksuar mirë e të rregullt. Në ta janë vendosur diej, hëna e yje. Ata janë rregulluar në mënyrë të tillë që të jenë të dobishëm për Tokën dhe banorët e saj. Ndërsa Toka është krijuar e përshtatshme për banorët e saj, me kushtet e nevojshme që ata të jetojnë në të dhe të përfitojnë prej saj. Në Tokë ka aq shumë shenja që tregojnë madhështinë e Krijuesit të saj, sa është e pamundur që të mos nxirren mësime. Krijuesi i saj duhet patjetër të ketë fuqi absolute, duhet të jetë i Ditur, i Urtë dhe shumë i Lartë, sepse Toka është e përsosur në të gjitha aspektet. Ai duhet të jetë shumë i mëshirshëm, sepse në Tokë dhe rreth saj gjendet gjithçka e dobishme dhe e domosdoshme për jetën në të. Gjithë këto argumente tregojnë qartë se Allahu është i Vetëm, prandaj duhet që adhurimet t'i përkushtohen vetëm Atij, i Cili përkujdeset dhe i mëshiron krijesat e Tij, duke u dhënë çdo gjë që kanë nevojë.
…në ndërrimin e natës dhe të ditës,… -
Edhe në ndryshimet e natës dhe të ditës ka argumente. Ato pasojnë njëra-tjetrën, duke qenë herë dita më e gjatë, e herë nata; ndonjëherë janë edhe të barabarta. Ato ndryshojnë edhe në temperaturat e tyre. Kështu janë sistemuar edhe stinët, në të cilat ka mirësi të pazëvendësueshme për jetën e gjallesave. Krijesat kanë nevojë edhe për natën, edhe për ditën; nuk mund të ketë jetë normale pa ato të dyja. Të gjitha këto ndryshime bëhen sipas një rregulli të mrekullueshëm, që habit edhe njerëzit më të ditur. Të gjitha këto, a nuk tregojnë për dijen, urtësinë, pushtetin, forcën dhe mëshirën absolute të Atij që i ka krijuar dhe rregulluar në këtë mënyrë, të Atij që madje përkujdeset për to, duke u mundësuar çdo nevojë në këtë vendbanim të tyre të përkohshëm? Rrjedhimisht, ky pushtet, përkujdesje e mëshirë e Tij, e bëjnë të detyrueshme që adhurimi t’i kushtohet vetëm Allahut. Pas shenjave të tilla, zemra mbushet vetëm me dashurinë dhe adhurimin për Krijuesin e tyre. Ajo mbushet plot shpresë e frikë për të Madhëruarin. Krijesat që meditojnë në të tilla mrekulli, me siguri që nxitojnë të bëjnë çdo gjë që kënaq Krijuesin e tyre të Dashur dhe të Mëshirshëm.
…në anijet që lundrojnë në det për dobi të njerëzve, -
Përveç shenjave në qiej dhe në Tokë, Allahu i Lartësuar na udhëzon që të mendojmë për anijet që lundrojnë në det dhe, në fakt, për çdo gjë tjetër që Allahu i Lartësuar na ka mundësuar të ndërtojmë, që e përdorim dhe përfitojmë. Le të meditojmë se si Allahu i Lartësuar e bëri ajrin, tokën e ujin, të atillë që të jenë të vlefshëm për shfrytëzimin e mjeteve, nga të cilët përfitojmë. Njerëzit mund të transportojnë çdo gjë me ndihmën e disa mjeteve, të cilat mund të funksionojnë veçse prej ligjeve që ka vendosur Krijuesi. Ato janë vërtet një ndihmë shumë e madhe, pa të cilat jeta do të vështirësohej. Kush i udhëzoi dhe mësoi ata për të prodhuar të tilla mjete? Kush u mundësoi çdo gjë të nevojshme që ato të prodhohen dhe të funksionojnë? A mos vallë, ata e bënë detin, ajrin e tokën të përshtatshëm për mjetet e prodhuara prej tyre? Po zjarrin, mineralet a lëndët e ndryshme, të cilat ata i përdorin në prodhimin e mjeteve të tyre, kush i krijoi dhe ua mundësoi që t’i kenë? Mos vallë, të gjitha këto janë krijuar rastësisht? Apo i ka krijuar vetë njeriu, i cili del nga barku i nënës i paditur, i pafuqishëm dhe nevojtar për gjithçka?! A nuk është Allahu i Lartësuar Ai, i Cili, pasi e krijon njeriun të dobët, i jep fuqi dhe dije të nevojshme për jetën e tij? Pa dyshim, është Allahu Ai që i mëson njeriut çdo gjë që Ai dëshiron t'i mësojë. Ai që i lehtëson të gjitha këto mirësi është i Vetmi dhe Absoluti, i Dituri, i Urti, i Cili ka pushtet mbi gjithçka, Allahu i Lartësuar. Të gjitha krijesat i janë nënshtruar vullnetit të Tij absolut. Ato janë të përulura përpara madhështisë së Tij dhe kurrë nuk mund të dalin jashtë ligjit të Tij të pandryshueshëm. Njeriu është veçse një hallkë, mes shkaqeve që sjellin pasoja në këtë jetë. Ai është veç një hallkë, mes hallkave të shumta, nëpërmjet të cilave Allahu i Lartësuar sjell në këtë jetë gjëra të mrekullueshme. Edhe kjo është një arsye tjetër që e gjithë dashuria, shpresa, frika dhe të gjitha adhurimet t’i përkushtohen Dhuruesit të Madh dhe të Vetëm të këtyre mirësive, Allahut të Lartësuar.
…në shiun që Allahu e lëshon prej qielli, duke ngjallur përmes tij tokën e vdekur -
Nëpërmjet ujit, kësaj krijese të çuditshme, Allahu i Lartësuar ia ruan jetën çdo gjëje të gjallë në këtë botë, si: njerëzve, bimëve, kafshëve, shpendëve etj. Krijesat nuk mund të jetojnë pa të. A nuk dëshmon, pra, ky ujë dhe gjithçka që zhvillohet nëpërmjet tij, për pushtetin absolut të Atij që e krijoi dhe e zbriti nga qielli? A nuk tregon ai mëshirën, butësinë dhe përkujdesjen e Zotit ndaj krijesave, për çdo nevojë të jetës së tyre? A nuk duket qartë nevoja e domosdoshme e krijesave për mëshirën e Tij, në çdo kënd që ta shohësh?! A nuk i bën ky shi, i zbritur me mëshirë nga lart, që ata ta adhurojnë Dhuruesin e tij, Allahun Bujar dhe të Mëshirshëm? A nuk tregon ringjallja që shiu i bën tokës, për ringjalljen e madhe të krijesave? Allahu që e ringjall tokën e tharë me anë të shiut, a nuk e ka pushtetin dhe forcën për t'i ringjallur krijesat dhe për t'i marrë në llogari Ditën e Gjykimit?
…dhe duke përhapur në të çdolloj gjallese, … -
Prej shenjave të pushtetit dhe madhështisë së Tij është edhe shumëllojshmëria e gjallesave që Ai ka krijuar dhe shpërndarë nëpër dete, ajër dhe Tokë. Të gjitha këto gjallesa, Allahu ia ka nënshtruar njeriut, me qëllim që ai të përfitojë prej tyre, për shembull, duke ngrënë mishin e tyre, duke pirë qumështin e tyre, duke i përdorur për transport, për ruajtje, për gjueti etj. Ai jo vetëm i ka vënë këto krijesa në shërbim të njeriut, por edhe për furnizimin e tyre kujdeset Vetë. Allahu i Lartësuar furnizon njerëzit, por edhe kafshët që ata përdorin. Ai përkujdeset për gjithçka, siç thotë: “Nuk ka asnjë gjallesë në tokë që Allahu të mos ia ketë garantuar furnizimin. Ai e di vendbanimin dhe vendstrehimin e saj. Të gjitha këto janë në Librin e Njohur (Levhi Mahfudh).” [Hudë 6].
…në lëvizjen e erërave -
Domethënë, të erërave të ftohta dhe të nxehta, jugore dhe veriore, lindore e perëndimore e të ndërmjetme. Shpesh, erërat shpërndajnë retë e qiellit ose i grumbullojnë ato. Ato janë bartëse të pjalmit, dhe kështu ndihmojnë në pjalmimin e bimëve. Shpesh, erërat sjellin rrebeshe, dhe herë të tjera i largojnë ato. Ndonjëherë, erërat sjellin mëshirë, e ndonjëherë ndëshkim dhe shkatërrim. Kush është ai që i përdor këto erëra në këtë mënyrë? Kush i bën ato të sjellin kaq shumë dobi, pa të cilat krijesat nuk do t'ia dilnin dot? Kush i bën ato të rregullojnë jetën e gjallesave? Kush i bën ato që të ndihmojnë në riprodhimin e bimësisë? Pa dyshim që është Allahu Krenar, i Urtë, i Mëshirshëm e i Dashur, që përkujdeset me butësi për krijesat e Tij. Për këtë arsye, vetëm Ai e meriton adhurimin, vetëm Ai e meriton t’i nënshtrohesh, ta duash, t’i tregosh pendimin e t’i bindesh duke kryer vepra të mira, sipas udhëzimeve të Profetit të Tij (a.s). Një tjetër shenjë e madhe e madhështisë dhe pushtetit të Allahut të Lartësuar është zhvendosja e reve mes qiellit dhe Tokës.
…dhe në retë që lëvizin mes qiellit dhe tokës, (në të gjitha këto,) ka Shenja për njerëzit që mendojnë. -
Si është e mundur që retë e mëdha, të ngarkuara rëndë me ujë, lëvizin nëpër qiell, duke shkuar atje ku dëshiron i Urti? Ato lëvizin me dëshirën dhe pushtetin e Allahut, i Cili ngjall bimësinë dhe jetën në tokën e vdekur nëpërmjet shiut që lëshojnë ato. Është Allahu që e zbret shiun në tokë kur njerëzit kanë nevojë. Kur shiu bëhet i dëmshëm, Ai e ndal atë, duke dhënë shpresë. Është Allahu që e zbret shiun me mëshirë dhe e largon atë me përkujdesjen dhe dashurinë e Tij. Madhështor është pushteti i Tij dhe të pafundme janë mirësitë e dhuruara prej Tij! A nuk është turp për njerëzit që të jetojnë në tokën ë Tij, të kënaqen me furnizimin dhe mirësitë e Tij, dhe pastaj t'i përdorin ato për të fituar zemërimin e Tij? A nuk është krim që këto mirësi të përdoren duke shpërfillur urdhrat e Tij dhe në mosbindje ndaj Tij? Megjithatë, a nuk tregon kjo, nga ana tjetër, durimin, faljen, mëshirën, butësinë dhe tolerancën e madhe të të Madhërishmit? I lavdëruar qoftë përherë emri i Tij! Si përfundim, mund të themi se, sa më tepër të meditojë njeriu i ditur rreth krijesave, sa më shumë të meditojë rreth shenjave të mëshirës dhe butësisë së Krijuesit, që shfaqen në këto krijesa, aq më tepër do të bindet se ato janë krijuar nga i Madhërishmi për një qëllim të lartë. Ato janë faqet e një libri të madh, ku shkruhen shenjat dhe argumentet e Zotit të gjithësisë, ku Ai flet për madhështinë dhe njëshmërinë e Tij absolute. Ato janë të mbushura me argumente të qarta, që tregojnë për vërtetësinë e fjalëve të profetëve dhe për vërtetësinë e Ditës së Ringjalljes. Asgjë nuk ndodh pa një qëllim apo vetvetiu, por çdo gjë është e drejtuar dhe e llogaritur nga i Madhërishmi. Nga ajeti kuptohet, gjithashtu, se si bota qiellore, edhe ajo tokësore kanë nevojë për mëshirën dhe përkujdesjen e Allahut, i Cili është i Madhërishëm e i Pasur në çdo aspekt. Ai nuk ka nevojë për asgjë dhe asnjë nga krijesat e Tij. Për këtë arsye, Ai është i vetmi që meriton të adhurohet. Nuk ka Zot tjetër të denjë për adhurim veç Tij.