Juve ju janë ndaluar veçse të ngordhurat, gjaku, mishi i derrit -
“Të ngordhura” (el mejtetu) konsiderohen kafshët që kanë ngordhur jo prej therjes së rregullt të përcaktuar nga Sheriati. Ato ndalohen të hahen, sepse janë të pista dhe të neveritshme. Në shumicën e rasteve, ngordhja vjen si pasojë e sëmundjeve të ndryshme të kafshës, dhe kjo ia shton më tepër dëmin. Prej të ngordhurave, që ndalohen të hahen, përjashtohen karkalecat e tokës dhe të gjitha gjallesat e detit. Këto dy kategori janë të lejuara dhe të pastra, edhe nëse nuk theren sipas Sheriatit. Ndërsa gjaku i ndaluar është gjaku i damarëve, që del me forcë, sikurse është përcaktuar në një ajet tjetër të Kur’ânit: “Thuaj: “Në Shpalljen që më është dhënë nuk gjej ushqime të ndaluara, veç mishit të ngordhur, gjakut që derdhet vrullshëm dhe mishit të derrit, sepse janë të ndyrë, dhe mishit që nuk therret me emrin e Allahut, që është shkelje e kufijve të Tij. E për atë që është i detyruar të hajë nga këto, por duke mos pasur për qëllim shijimin dhe duke mos e tepruar, Zoti yt është Falës e Mëshirëplotë.” [En’am 145].
…dhe ato (kafshët) që nuk theren në emër të Allahut por të dikujt tjetër.
Domethënë, gjatë therjes së të cilave përmendet emri i dikujt tjetër, përveç Allahut, qofshin ata idhuj prej guri, të vdekur, varre etj. Këto që u përmendën deri tani nuk janë të gjitha llojet e të ndaluarave, por janë ato që quhen të këqija, të pisëta, të neveritshme e të dëmshme. Me fjalë të tjera, këto janë sjellë si shembuj, për të treguar se Allahu i Lartësuar ka ndaluar veçse gjërat e neveritshme dhe të dëmshme. Allahu i Lartësuar na i bëri të ndaluara këto gjëra të neveritshme, në shenjë butësie dhe mëshire ndaj nesh, për të na ruajtur nga çdo gjë e dëmshme. Megjithatë, Allahu i Lartësuar dhe i Mëshirshëm thotë:
Por, kush detyrohet (të hajë njërën nga këto), pa dashur të bëjë keq dhe duke mos e tepruar, për të nuk është gjynah (nëse i ha). -
Pra, çdokush që ndihet i detyruar për të konsumuar këto ushqime të ndaluara, i lejohet ta bëjë, por me disa kushte: Së pari, të jetë i detyruar për t’i përdorur ato. Një rast i tillë është, për shembull, kur njeriu nuk ka asgjë për të konsumuar përveç këtyre harameve; përndryshe mund të vdesë. Një rast tjetër është kur kërcënohet seriozisht, nëse nuk e konsumon atë haram. Së dyti, të mos synojë haramin, ndërkohë që ka mundësi të përdorë hallallin, ose kur nuk është e domosdoshme diçka e tillë. Pra, kur nuk është plotësuar kushti i të qenit i detyruar, i shtrënguar. Kusht tjetër është që të mos teprohet me masën e lejuar. Pra, nuk duhet të kalohet masa mbi të domosdoshmen. Për atë njeri që e ka të domosdoshëm përdorimin e haramit, pasi nuk ka asnjë mundësi të përdorë hallallin, dhe nuk e tejkalon masën që e ka të domosdoshme, për atë, pra, Allahu i Lartësuar thotë që nuk ka gjynah. Ai nuk do të merret në përgjegjësi për konsumin e kësaj të ndaluare. Madje, në rast të tillë, njeriu është i urdhëruar që ta konsumojë atë, për të mbajtur trupin gjallë. Ai e ka të ndaluar që të shkojë me këmbët e veta drejt shkatërrimit dhe vdekjes; ai e ka të ndaluar të vrasë veten. Për këtë arsye, njeriu do të merret në përgjegjësi nëse e le ushqimin deri në vdekje, sepse konsiderohet si vetëvrasje. Ky lejim është mëshirë nga Allahu i Lartësuar për adhuruesit e Tij, prandaj e mbyll ajetin duke përmendur dy emrat e Tij të bukur:
Vërtet, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. -
Duke qenë se lejimi i këtyre të ndaluarave është i kushtëzuar, dhe dihet që robi nuk mund t'i përmbushë plotësisht kushtet e caktuara, atëherë Allahu i Lartësuar tregon se Ai është Falës i Madh e Mëshirëplotë, mbulues i të metave dhe mangësive të robit. Allahu fal dhe mëshiron shumë, sidomos kur nevoja e madhe e rëndon njeriun. Ky ajet vërteton rregullin e madh në Islam, që thotë: “Domosdoshmëria e bën të lejueshme të ndaluarën”. Pra, në çdo situatë ku njeriu detyrohet të përdorë haramet, Sunduesi i Mëshirshëm ia lejon një gjë të tillë. Allahut i qoftë përherë lavdia dhe mirënjohja!