Në ligjin e barazisë është jeta juaj, o ju njerëz që kuptoni, në mënyrë që të bëheni të devotshëm. -
Domethënë, nëpërmjet këtij ligji ruhet gjaku i pafajshëm dhe frenohen kriminelët. Nëse njeriu e di shumë mirë se, nëse vret, do të vritet, ai do ta frenojë veten nga ky krim i shëmtuar. Gjithashtu, kur njerëzit shohin ndëshkimin e kriminelit, ai bëhet një mësim shumë i mirë për ta. Nëse shpagimi për vrasjen nuk do të ishte vrasja, atëherë ky krim i shëmtuar nuk do të frenohej kurrë. Të gjitha dënimet penale të Sheriatit janë e vetmja mundësi frenimi të krimit dhe padrejtësisë. Kjo tregon se Allahu që i ligjëroi ato është, pa dyshim, i Dituri, i Urti dhe Falësi. Fjala “jetë” në ajetin e mësipërm, është në trajtën e pashquar, për të treguar (në arabisht) kështu dobinë e madhe që u sjell njerëzve ky ligj i drejtë. Madje, duke qenë se vlerën e këtij ligji mund ta kuptojnë veçse mendimtarët e mëdhenj, Allahu iu drejtohet pikërisht atyre, duke thënë: “…o njerëz që kuptoni …”. Kjo tregon se Allahu i Lartësuar e dëshiron dhe kënaqet që njerëzit të meditojnë dhe të përdorin mendjen e tyre, për të studiuar hollësisht ligjet e sjella prej Tij. Ai i do ata që përnxjerrin urtësitë dhe dobitë e dispozitave të Tij, sepse ato tregojnë që Ligjvënësi është Absolut në urtësinë e madhështinë e Tij. Ato tregojnë qartë drejtësinë e Tij të pakrahasueshme dhe mëshirën e Tij të gjerë. Njerëzit që meditojnë dhe përnxjerrin urtësitë dhe dobitë e ligjeve të Allahut, e meritojnë të quhen të urtë, dijetarë. Ata janë vërtet të privilegjuar e të përzgjedhur, sepse vetë i Madhëruari (Allahu) i ka quajtur “njerëz që kuptoni”. Mjafton kaq si nderim për ata që dinë të mendojnë. Thënia e Allahut: “në mënyrë që të bëheni të devotshëm.”, tregon dobinë e njohjes dhe të zbatimit të dispozitave të Tij. Për atë që e njeh Zotin e Tij dhe madhështinë e Tij, apo që arrin të njohë urtësitë në dispozitat e Tij, sigurisht që do të ketë shtim të bindjes dhe të nënshtrimit të plotë ndaj Atij. Njohësi i mirë i këtyre çështjeve e ndien madhështinë e Allahut, prandaj nuk ia lejon vetes që të shkelë kufijtë e të Madhërishmit. Ky njeri meriton të quhet ‘i devotshëm’, sepse devotshmëria nuk është gjë tjetër, por veçse të ruajturit nga ndëshkimi i Zotit, duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij. Devotshmëria është ruajtja e kufijve të Zotit, në shenjë madhërimi dhe dashurie për Të.