Pasi urdhëroi për takua-n, Allahu i Lartësuar thotë diçka tjetër që i qetëson zemrat e besimtarëve. Më parë, disa njerëz mendonin se, po të bënte haxhiu tregti gjatë kohës së haxhit, do t’i humbte krejt shpërblimi i adhurimit. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar tregoi se ky qe një mendim i gabuar:
Nuk është gjynah të kërkoni mirësi nga Zoti juaj (në haxh). -
Kuptimi: Nuk është gjynah që të kërkoni mirësitë e Zotit tuaj duke bërë tregti apo diçka tjetër gjatë kohës së haxhit. Mjafton që tregtia apo puna për të fituar në hallall të mos ju pengojë nga kryerja e detyrave të haxhit dhe të mos ju shtyjë në kryerjen e harameve gjatë tij. Pra, nëse adhuruesi i kryen plotësisht detyrimet e tij gjatë haxhit, nuk ka gjynah që të kërkojë, në mënyrë të lejuar, bereqetin e Allahut. Megjithatë, ai duhet t’i kushtojë rëndësi kënaqësisë së Allahut, duke mos u mbështetetur në forcat e veta gjatë kësaj përpjekjeje, por t'i mbështetet plotësisht Atij që i mundëson këto të mira.
Kur të ktheheni prej Arafatit, përmendeni Allahun në vendet e shenjta! -
Te kjo fjali mbështetet argumentimi i shumë çështjeve. Kështu, për shembull, qëndrimi në Arafat është shtyllë e haxhit, - ashtu siç njihej nga arabët dikur, - sepse “kthimi prej Arafatit” mund të kuptohet veçse pas qëndrimit në të. Allahu na urdhëron që ta kujtojmë Atë në vendet e shenjta, pra, në Muzdelife. (Edhe ky rit ka qenë i njohur nga arabët e hershëm). Pas kthimit prej Arafatit, duhet kaluar një natë në Muzdelife, në mënyrë që të nesërmen të përgatitesh për kurbanin. Pasi të falësh namazin e sabahut në Muzdelife, duhet të qëndrosh atje dhe të bësh lutje, derisa të zbardhë. Në fakt, “kujtim i Allahut” quhet çdo e mirë që adhuruesi kryen, farz apo synet qoftë ajo. Ajeti tregon, gjithashtu, se qëndrimi në Muzdelife kryhet pas kthimit prej Arafatit dhe qëndrimit në të. Qëndrimi në Arafat dhe në Muzdelife janë nga ritet e domosdoshme që duhen kryher gjatë haxhit. Muzdelifeja është pjesë e territorit të shenjtë, sikurse thuhet në ajet, ndërsa Arafati nuk bën pjesë në këtë territor, sepse, në të kundërt, do të ishte i panevojshëm cilësimi i Muzdelifesë si “e shenjtë”, nëse edhe Arafati do të ishte i tillë.
Përmendeni Atë, i Cili ju ka udhëzuar, se ju më parë ishit të humbur. -
Pra, kujtojeni Allahun e Lartësuar, në shenjë mirënjohjeje për mirësinë e Tij ndaj jush, duke ju udhëzuar pasi ishit të humbur, duke ju mësuar atë që nuk e dinit më parë. Kjo e fundit është mirësia më e madhe e Tij ndaj nesh, që e bën të detyrueshëm falënderimin dhe lavdërimin e Tij nga ana jonë, duke e përmendur Atë me gojë dhe me zemër.