Ky është Libri -
Ky është një Libër i madh në të gjitha aspektet. Ai është përfshirës i asaj çka asnjë libër tjetër, i të parëve e i të fundmëve, nuk e ka përfshirë. Lëndë e tij është dija madhështore, është e vërteta e qartë, e sigurt dhe e pakundërshtueshme.
Në të nuk ka mëdyshje... -
Ky, pra, është një libër, tek i cili nuk mund të kihet asnjë mëdyshje a dyshim. Mohimi i mëdyshjeve e dyshimit nënkupton pohimin e të kundërtës së tij, dhe e kundërta e dyshimit është siguria (jaķîn). Ky libër është zbulues i dijes së sigurt, e cila largon çdo dyshim apo mëdyshje. Ja pra, sapo u përmend një rregull shumë i dobishëm në Islam, që thotë: “Mohimi i një cilësie negative nuk mund të konsiderohet kurrë si lavdërim, nëse nuk shoqërohet me pohimin e të kundërtës së saj, e cila është dhe duhet të jetë e përkryer.” Vetë mohimi, i shkëputur, nuk përmban lavdërim nëse nuk shoqërohet me atë çka përmendëm. Duke qenë se ky Libër përmban në vetvete jakin-in (sigurinë apo dijen e sigurt) dhe duke ditur se udhëzimi në Rrugën e Drejtë mund të arrihet veçse duke marrë dijen e sigurt, atëherë Allahu i Madhëruar dëshmon dhe na jep siguri se ky libër prej të cilit duhet të marrim diturinë është:
Ai është Udhëzim për të devotshmit -
Fjala ‘hudâ’ (udhëzim) nënkupton gjithçka me anë të së cilës dallohet rruga e drejtë nga e gabuara, dallohet dija e sigurt nga dyshimi dhe mëdyshjet. ‘Udhëzim’ quhet gjithçka që tregon dhe qartëson rrugët e dobishme që duhet të ndjekë robi në këtë jetë. Diçka tjetër shumë e këndshme, që nuk mund të lihet pa u përmendur, është edhe fakti se Allahu i Madhëruar e ka përdorur fjalën hudâ në trajtën e pashquar, pra, duke mos përcaktuar se për çfarë drejtimi apo sfere është udhëzim ky libër. Ai nuk ka thënë: “Udhëzim për të arritur këtë apo atë gjë të dobishme”. Kuptohet që kjo bëhet me qëllim të përfshirjes së një hapësire të pafund mirësish. Pra, kur i Lartësuari thotë që ky libër është “udhëzim për të devotshmit”, kjo do të thotë që ai është udhëzim për të zbuluar dhe ndjekur të gjitha rrugët e mirësive, të dynjasë e të ahiretit qofshin. Ai është zbulues i mirësive kryesore dhe i degëzimeve të tyre, qartësues i së vërtetës nga e kota dhe i të saktës nga e pasakta, sqarues i rrugëve të humbjes dhe kërcënues për t’u larguar prej tyre. Ai është tregues i të gjitha mundësive të shpëtimit: dëftues i rrugëve të lumturisë së kësaj jete dhe të jetës tjetër.
Në ajet thuhet se Kur’âni është udhëzim për të devotshmit (mutekin), nga mund të kuptohet se ai është udhëzim vetëm për ta. Por, në një vend tjetër në Kur’ân, Allahu i Madhëruar pohon që ky libër është: “Udhëzim për të gjithë njerëzit”. Kur’âni, në vetvete, është udhëzues për të gjitha krijesat, por të mjerët e fatzinjtë nuk përfitojnë nga ky udhëzim i përgjithshëm dhe nuk e pranojnë udhëzimin e plotë të Allahut. Ky udhëzim i përgjithshëm nuk ndryshon asgjë tek ata, veç faktit që justifikimi i tyre para Krijuesit nuk do të ketë vlerë, dhe kështu bëhet i meritueshëm ndëshkimi prej Allahut Krenar dhe të Drejtë. Ndërsa të devotshmit japin maksimumin për të merituar udhëzimin e vërtetë, që përmendet në Kur’ân, prandaj vetëm ata e meritojnë këtë udhëzim. Të japësh maksimumin për të merituar udhëzimin e vërtetë, do të thotë të pajisesh me devotshmëri (taķuâ). Taķuâ është mburoja që të ruan nga zemërimi i Allahut dhe nga ndëshkimi i Tij. Ajo realizohet veçse duke kryer urdhëresat e Allahut dhe duke iu larguar ndalesave të Tij. Në këtë këndvështrim, është shumë e qartë se të vetmit që përfitojnë udhëzimin e plotë nga argumentet e Zotit, janë të devotshmit. Për të sqaruar dhe shtjelluar edhe më mirë këtë çështje, themi se udhëzimi i Allahut për krijesat është dy llojesh:
1. Udhëzimi i qartësimit (të së vërtetës) (Hidâjetul Bejân).
2. Udhëzimi drejt rrugës së suksesit (Hidâjetu et-Teufîķ). Ky është udhëzimi për të kryer vepra të mira e për t’u larguar nga ato vepra të këqija, që të çojnë në zemërimin e Allahut dhe ndëshkimin e Tij. Të devotshmit i kanë të dyja llojet e udhëzimit: edhe udhëzimin e qartësimit, edhe atë për të patur sukses e për të punuar e jetuar sipas tij, ndërsa disa të tjerë gëzojnë veçse udhëzimin e qartësimit (udhëzimin e përgjithshëm). Por, vetëm qartësimi i rrugës së drejtë, pa patur suksesin në veprimin sipas saj, nuk është udhëzim i plotë dhe i mjaftueshëm. Udhëzimi i plotë është njohja e së vërtetës dhe vënia e saj në zbatim. Në vazhdim, Allahu i Madhëruar i përshkruan të devotshmit me veçoritë e tyre në aspektin e besimit dhe në aspektin e veprave të tyre, të dukshme dhe të fshehta, sepse devotshmëria, cilësia e tyre e përgjithshme, është e ndërtuar dhe e gatuar nga këto vepra dhe besime. Kështu, Allahu i Madhëruar thotë: