âmener-resûlu bi mã unzile ilejhi mir-rab-bihî uel mu'minûn - “I Dërguari e besoi atë që iu shpall prej Zotit të tij e ashtu bënë edhe besimtarët.” -
Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar na pasqyron besimin e profetëve dhe të pasuesve të tyre të denjë. Besimi i tyre ishte i shfaqur me nënshtrim, bindje, pendim të sinqertë e kërkim faljeje për mangësitë e tyre.
kul-lun âmene bil-lâhi - “Secili i besoi Allahut...” -
Ky besim është pranimi dhe pohimi i gjithçkaje që Allahu i Lartësuar na ka treguar rreth Vetes së Tij Ne duhet të besojmë, gjithashtu, gjithçka që kanë treguar profetët rreth Zotit të tyre. Profetët kanë folur qartë rreth emrave dhe cilësive të plota e absolute të Allahut. Ne duhet t’i besojmë ato, duke i marrë në mënyrë të përgjithshme dhe në mënyrë të hollësishme. Besimi në Allahun kërkon që ne ta konsiderojmë Atë të pastër nga çdo përngjasim dhe shembëllim me krijesat, por duhet, gjithashtu, që të mos mohojmë asnjë cilësi të Tij të pohuar nga vetë Ai ose nga Profeti i Tij. Ne duhet ta konsiderojmë Atë të pastër nga çdo cilësi e mangët dhe e papranueshme për Të.
ue melãiketihî ue kutubihî ue rusulihî. - “...melekëve të Tij, shpalljeve të Tij dhe të dërguarve të Tij...” -
Ne duhet të besojmë dhe të pohojmë për melekët gjithçka që është transmentuar saktësisht prej Sheriatit rreth tyre. Ne duhet të besojmë, po ashtu, gjithçka që na kanë sjellë profetët dhe gjithçka që përmbajnë librat e Zotit. Profetët kanë sjellë mesazhe, urdhra, ndalesa, dispozita e ligje; të gjitha këto duhen besuar dhe trajtuar ashtu si duhet.
lâ nufer-riķu bejne eĥadim-mir-rusulih - “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij.” -
Besimtarët e drejtë nuk bëjnë dallime mes profetëve, por i besojnë të gjithë, sepse ata kanë qenë zëdhënësit e Zotit te krijesat. Sikur të mohosh vetëm njërin prej profetëve konsiderohet si mohim i të gjithë atyre, madje konsiderohet mohim i Zotit.
Ue ķâlû semi'nâ ue eŧa'nâ - “Ata thanë: “Dëgjuam dhe u bindëm.”” -
Besimatrët e drejtë thonë “Dëgjuam”. Pra, ata i dëgjojnë me vëmendje dhe përkushtim urdhrat dhe ndalesat e Zotit. Ata janë të vëmendshëm ndaj kufijve të Tij. Pastaj thonë: “...u bindëm”. Për çdo urdhër dhe ndalesë që dëgjojnë, ata nuk e neglizhojnë, por binden dhe i zbatojnë. Ata thonë: “I dëgjuam ato që Ti na urdhërove dhe na ndalove dhe u bindëm, duke i zbatuar ato”. Ndryshe nga të dëshpëruarit, të cilët thonë: “Dëgjuam, por nuk bindemi!”
ĝufrâneke rab-benâ ue ilejkel maŝîr - “Kërkojmë faljen Tënde, o Zoti ynë. Vetëm tek Ti është e ardhmja jonë.”” -
Duke qenë se njeriu shfaq mangësi në përmbushjen e dispozitave të vendosura nga Zoti, ai gjithmonë do ketë nevojë për faljen dhe mëshirën e Tij. Kështu, ne duhet të themi vazhdimisht: “Kërkojmë faljen tënde, o Zoti ynë. Kërkojmë faljen Tënde për çdo mangësi tonën në plotësimin e adhurimeve. Kërkojmë faljen Tënde edhe për shkeljen e kufijve dhe gjynahet që bëjmë. Ne kërkojmë që të na i mbulosh dhe të na i fshehësh të gjitha ato gjynahe dhe padrejtësi që kemi bërë.” Pastaj vjen një fjalë nxitëse dhe qortuese njëkohësisht: “Vetëm tek Ti është e ardhmja jonë.” Të gjitha krijesat do të grumbullohen një ditë te Zoti i tyre, ku do të shpërblehen për të mirat ose të këqijat që kanë bërë.