…Vetëm ata janë të udhëzuar në rrugën e drejtë nga Zoti i tyre … -
Fjala “huden” (drejtim, udhëzim) vjen në trajtën e pashquar, formë e cila (në arabisht) tregon madhështinë dhe rëndësinë e asaj që shënon kjo fjalë. Pra, ajeti kuptohet kështu: Ata janë në një udhëzim madhështor, të përkryer dhe shumë të rëndësishëm prej Zotit të tyre. A ka udhëzim më të mirë dhe më të rëndësishëm sesa ai që të jep sukses të stolisesh me të tilla cilësi të vyera, që janë fryte të besimit të pastër dhe nxitje për vepra të mira dhe të drejta?! A mund të ketë udhëzim tjetër të vërtetë, përveç atij që gëzojnë këta të zgjedhur?! Vetëm ky mund të quhet "udhëzim". Gjithçka tjetër e ka emrin “humbje”. Para fjalës “huden”, është përdorur parafjala “ala” (mbi, lart, sipër). Pra, fjalë për fjalë, kuptimi është: “Ata janë mbi një udhëzim”, për të treguar lartësinë e të udhëzuarve dhe faktin që ata qëndrojnë mbi të tjerët. Kurse kur flet për të humburit, Allahu thotë që ata janë “fi đalâl”, duke përdorur parafjalën ‘fi’ (në, brenda), që do të thotë se ata janë: “në humbje”, ose më qartë: “të zhytur brenda humbjes”. Kjo duket edhe në këtë ajet kur’ânor: “Pa dyshim që, ne ose ju, jemi ose të lartësuar në një udhëzim (alâ huden), ose të zhytur në një humbje të sigurt (fî đalâl...)”. Në fakt, i udhëzuari është gjithmonë lart, a thua se është hipur mbi “udhëzim”, dhe ashtu mbi të, ai udhëton drejt Zotit. Ndërsa i humburi është i zhytur në humbje, i poshtëruar dhe i pavlefshëm. Pastaj i Madhëruari thotë:
…dhe vetëm ata janë të shpëtuarit –
“El felâĥ” quhet fitimi i asaj që dëshiron dhe shpëtimi nga ajo së cilës i druhesh. Allahu i Lartësuar e ka kufizuar dhe veçuar “felâĥ -un” vetëm për ta, sepse e vetmja rrugë që të çon drejt tij është rruga e tyre. Rrugët e tjera të çojnë veçse në trishtim, shkatërrim dhe dëshpërim. Pasi tregon cilësitë e vërteta të besimtarëve, Allahu jep edhe cilësitë e jobesimtarëve, të cilët e shfaqin haptazi mosbesimin dhe kokëfortësinë inatçore ndaj Profetit (a.s)