E kur të shohin ty ata që nuk besojnë, të marrin me tallje. “Ky është (thonë ata) ai që përgojon zotat tuaj?” -
Kjo tregon mohimin e fortë të tyre. Idhujtarët çdo herë që e shihnin Profetin (a.s), talleshin me të dhe thoshin me nënçmim: "Ky është ai që përgojon zotat tuaj?! Ky është ai i shkreti dhe qyqari që tallet me idhujt tuaj?! Mos pyesni fare për të, por përçmojeni!" Mendo për krimin e madh të tyre. Ata talleshin e përçmonin më të mirin e krijesave, në të gjitha aspektet e tij. Një nga vlerat më të larta të tij ishte sinqeriteti në adhurimin që i kushtonte Allahut, duke u larguar nga çdo formë idhujtarie. Ai është njeriu më i nderuar dhe më i respektuar. Ndërsa mohuesit kishin të gjitha të këqijat. Ishin ata që e meritonin talljen dhe nënçmimin. Do të mjaftonte si poshtërim për ta fakti që ata mohonin Zotin dhe refuzonin Profetin dhe Shpalljen që Zoti i dha atij. Kjo i shndërroi ata në krijesat më të poshtra, më të pavlera, më të shëmtuara dhe më të urryera.
Dhe ata blasfemojnë kur përmendet i Gjithmëshirëshmi (Rrahmani). -
Edhe nëse e kujtojnë ndonjëherë Rahmanin, e bëjnë këtë duke e përzier me idhujtari. Atëherë, ç’mund të mendosh për gjendjet e tjera, kur nuk e kujtojnë aspak Allahun?! Mendo pak! Në ajet është përdorur emri “i Gjithëmëshirshmi”, për të theksuar se sa e shëmtuar ishte sjellja e tyre. Pra, sikur thuhet: Si është e mundur që t’i përgjigjeni me mohim dhe idhujtari të Gjithëmëshirshmit, i cili është dhuruesi i të gjitha mirësive dhe shpëtimtari nga çdo ligësi e fatkeqësi?! Nuk ka asnjë mirësi që të mos e ketë dhuruar Rahmani dhe është po Ai që ruan nga çdo ligësi. Atëherë, si është e mundur që të mohoni dhe të bini në idhujtari?!