Ata, të cilët, kur përmendet Allahu, u frikësohen zemrat,... -
Kjo ndodh nga frikërespekti dhe madhërimi për Zotin e tyre. Pikërisht për këtë shkak, ata i kanë lënë haramet. E si mund të thyejnë urdhrin e Zotit të tyre dhe të bëjnë atë që Ai e ka ndaluar, kur ata janë të frikësuar dhe plot respekt e madhërim për Zotin e tyre?! Ata e njohin mirë Atë dhe, për këtë shkak, vetëm Atij i frikësohen dhe askujt tjetër.
... që janë durimtarë kur i gjen ndonjë e keqe, -
Vuajtjet, dhimbjet dhe telashet nuk mund t’i përkulin këta besimtarë të vendosur. Me çfarëdo lloj dhimbjeje e fatkeqësie që të përballen këta durimtarë, ata nuk përulen dhe nuk shprehin asnjë lloj pakënaqësie apo rebelimi kundër Zotit të tyre. Ata tregohen durimtarë me qëllimin e vetëm, që të kënaqin Allahun e Madhëruar dhe të arrijnë shpërblimin e tij bujar dhe mirësitë e Tij të pashembullta.
që e falin namazin rregullisht... -
Këta e përkryejnë namazin, duke e kompletuar atë me të gjitha shtyllat, detyrat dhe veprimet e pëlqyeshme. Ata e falin namazin duke adhuruar Zotin me të gjitha veprimet e fjalët e këtij riti, qofshin ato të jashtme apo të brendshme.
... dhe japin (për hir të Zotit) nga ajo që u kemi dhënë Ne. -
Kjo përfshin të gjitha llojet e shpenzimeve, si të detyrueshmet, ashtu edhe ato të pëlqyeshmet. Ndër shpenzimet e detyrueshme mund të përmendim zekatin, kompensimet pasurore të detyrueshme nga Sheriati, shpenzimet e detyrueshme për gratë fëmijët, të afërmit, vartësit, robërit, shërbëtorët etj. Ndër shpenzimet e pëlqyeshme mund të përmendim të gjitha llojet e sadakave. Vëreni me kujdes! Në ajet thuhet: “min mâ rezeķnâhu” – “nga ajo që u kemi dhënë”, pra, një pjesë të saj. Nga kjo kuptojmë se sa të thjeshta janë porositë dhe detyrat që na ka caktuar Zoti. Këto shpenzime janë veçse një pjesë e vogël e pasurisë që na ka dhënë Zoti. Pastaj, në fund të fundit, po ta shohim me kujdes, të gjitha mirësitë dhe pasuritë që ne zotërojmë, në fakt, janë dhuratë e Allahut e jo merita jonë, sepse Allahu thotë: “japin nga ajo që u kemi dhënë Ne.” Nëse nuk do të na i dhuronte dhe mundësonte Allahu, ne nuk do t’i kishim aspak këto të mira. Atëherë, o ti njeri, që Zoti të ka dhuruar shumë mirësi e pasuri, jep prej tyre, për hir të Zotit! Jep, që Allahu të të japë edhe më shumë nga mirësia dhe bujaria e Tij!