Paria e jobesimtarëve nga populli i tij thanë: “Ky nuk është gjë tjetër veçse një njeri, sikurse ju, që dëshiron të tregojë se është më lart se ju.” -
Duke shprehur kundërshtimin dhe refuzimin me forcë, ata që e quanin veten paria e vendit, zotërinjtë dhe udhëheqësit, i thanë popullit të tyre duke dashur që t’i largonin nga Nuhu: “Ky nuk është gjë tjetër, veçse një njeri si ju, por që dëshiron të jetë më lart se ju. Qëllimi i tij kur pretendon se e ka dërguar Zoti është që thjesht të fitojë prestigj e gradë mbi ju, pra, të jetë udhëheqës. Në të kundërt, shihni, a ka ndonjë gjë që tregon se ai është më i mirë se ju?! Ai është si ju, një njeri i thjeshtë.” Kjo mënyrë këndvështrimi dhe arsyetimi vazhdon edhe sot ndër popuj dhe në të gjithë kundërshtuesit e profetëve. Por Allahu i Madhëruar u jep atyre një përgjigje shteruese nëpërmjet të gjithë të dërguarve të Tij: “E si mund të keni dyshim për Allahun, Krijuesin e qiejve dhe të Tokës?! Ai ju fton për t’ju falur gjynahet dhe ju jep afat deri në kohën e caktuar.” Ata ua kthenin: “Ju jeni veçse njerëz, ashtu siç jemi edhe ne. Ju dëshironi të na largoni nga ato (zotat) që adhuronin prindërit tanë. Atëherë, na sillni ndonjë fakt të qartë!” Të dërguarit u thoshin: “Ne jemi veçse njerëz, si edhe ju, por Allahu ia dhuron mirësinë kujt të dojë nga robërit e Vet. Nuk na takon ne t’ju sjellim ndonjë (mrekulli) argument, përveçse me dëshirën e Allahut. Vetëm Allahut le t’i mbështeten besimtarët.” [Ibrahim 10, 11]. Ky është një mesazh i qartë se kjo është mirësia dhe bujaria e Allahut, që Ai ia jep kujt të dëshirojë dhe juve nuk ju takon ta kundërshtoni Allahun për atë që u jep disa robërve të Tij dhe as keni mundësi ta ndaloni Atë që ta realizojë atë që Ai dëshiron.
Po të dëshironte, Allahu do të dërgonte melekë. - Kjo tregon një tjetër arsyetim të kotë të idhujtarëve dhe mohuesve, të cilët e kushtëzonin besimin e tyre me një kërkesë të kotë, pra, që Zoti të dërgonte melekë si profetë ndër njerëz në tokë. Edhe pse nuk ka dyshim që Allahu mund të dërgojë melekë, nëse e dëshiron diçka të tillë, nuk duhet të harrojmë se Ai është Hakim - i Urtë dhe Rahim - Mëshirëplotë. Si i tillë, urtësia dhe mëshira e Tij presupozojnë që profetët të jenë nga lloji i njerëzve, sepse ndër të tjera, njerëzit nuk kanë fuqi të komunikojnë me një melek të Zotit. Pra, edhe sikur t’u vinte një melek, ai do t’u paraqitej me formën e një njeriu-burrë, dhe kështu do të ngatëroheshin sërish: “Ata thonë: “Përse të mos zbresë së bashku me atë një melek?” Nëse Ne do të zbrisnim një melek, çështja do të merrte fund dhe atyre nuk do t’u jepej afat. Sikur atë ta bënim melek, përsëri do ta sillnim te ju në formë njeriu, e kështu do t’ua ngatërronim atyre atë, që ata ia ngatërruan vetes së vet.” [Enam 8, 9]. Një tjetër arsyetim i mohuesve është edhe:
Ne nuk kemi dëgjuar një gjë të tillë nga të parët tanë. -
Ata pretenduan se nuk kishin dëgjuar ndonjëherë që Zoti të dërgonte profetë ndër njerëz. Po ata nuk kishin asnjë argument në këto fjalë, sepse ata nuk mund të pretendonin se dinin gjithçka nga ndodhitë e popujve të shkuar. Kështu, injoranca e tyre rreth diçkaje nuk mund të vlente si argument. Sidoqoftë, edhe sikur të ishte e vërtetë që më parë nuk ishte dërguar ndonjë profet, dy do të ishin mundësitë e arsyetimit të drejtë:
1. Ata do të ishin në rrugë të drejtë e të udhëzuar, dhe kështu nuk do të kishte nevojë që Zoti të dërgonte profetë.
2. Ata do të ishin të devijuar, prandaj dërgimi i një profeti nga Zoti për ta duhej parë si mirësi, për të cilën ata duhet ta falënderonin Zotin, që i kishte dalluar me diçka që nuk ua kishte dhënë të parëve të tyre, ose që ata nuk mbanin mend se ua kishte dhënë atyre.
Rrjedhimisht, fakti që Zoti nuk u ka dërguar profetë të parëve nuk mund dhe nuk duhet të shërbejë si argument që të jesh mosmirënjohës për këtë mirësi që t’u dha ty. Një tjetër arsyetim dhe shpifje e tyre, për t’i penguar njerëzit që ta besonin Nuhun (a.s) ishte edhe ky: