O ju që keni besuar! Mos shkoni pas gjurmëve të shejtanit!... -
Largojuni rrugëve dhe joshjeve të shejtanit. Te "hapat e shejtanit" hyjnë të gjitha llojet e gjynaheve që kanë të bëjnë me zemrën, gjuhën dhe gjymtyrët. Allahu i Madhëruar, me urtësinë e Tij, na urdhëron dhe na qartëson se e kemi të ndaluar të ndjekim hapat e shejtanit. Ai na sqaron urtësinë e kësaj ndalese dhe çfarë synohet me ndalimin e ndjekjes së hapave të shejtanit, duke thënë:
... Kush ndjek gjurmët e shejtanit ai do ta urdhërojë veç për të punë shëmtuara e të këqia. -
Kjo ndalesë synon të na ruajë nga përfundimi i keq dhe shkatërrimi, ku të çon ndjekja e hapave të shejtanit. Ai i mallkuar urdhëron veçse për poshtërsi e gjëra që janë të shëmtuara jo vetëm sipas gjykimit të Sheriatit, por edhe sipas mendjes së shëndoshë e natyrës së pastër së njerëzve, edhe pse disave të transformuar në shijet dhe natyrën e tyre mund t’ju duket e bukur dhe e kënaqshme. Shejtani i josh njerëzit në poshtërsi që natyra dhe mendjet e shëndetshme nuk i pranojnë, prandaj për ta janë të huaja, të panjohura dhe të refuzuara. Kështu janë poshtërsitë për të cilat nxit shejtani i mallkuar pa asnjë përjashtim. Prandaj Allahu na ndaloi nga të gjitha ato. Të gjitha këto porosi dhe ligje janë mirësi, për të cilat duhet t’i shprehim mirënjohjen dhe ta kujtojmë vazhdimisht Allahun. Kjo mirënjohje dhe ky kujtim i vazhdueshëm i mirësive të Allahut do t’i bëjë njerëzit që të ruhen nga poshtërsitë, turpet dhe çdo vepër e shëmtuar në të cilën i fton shejtani i mallkuar. Është Zoti që, me mirësinë e përkujdesin e Tij, ju ndalon nga të gjitha ato vepra, që janë si helmi vrasës për besimin dhe moralin e njeriut.
Dhe, sikur të mos ishin mirësia dhe mëshira e Allahut për ju, askush prej jush nuk do të pastrohej ndonjëherë (prej gjynaheve). -
Ai nuk do të ruante e pastronte asnjë nga ndjekja e hapave të shejtanit, sepse shejtani i mallkuar punon pareshtur, së bashku me ushtrinë e tij, për t’i joshur dhe tunduar njerëzit dhe për t’ua zbukuruar të kotën dhe paturpësinë. Shpeshherë nefsi i njeriut anon në të tilla shfrenime dhe gjithashtu nxit fort në to. Pastaj mangësia është një karakteristikë e pandashme e njeriut, për të mos lënë mënjanë edhe imanin e dobët. Duke parë këtë gjendje të njeriut, nëse Zoti do të hiqte dorë prej Tij dhe të mos e ruante, ndihmonte dhe pastronte, ai do të mbetej i pashpresë. Askush nuk do të pastrohej nga gjynahet dhe të këqijat dhe as do të mund të bënte vepra të mira, që e lehtësojnë dhe e kthejnë në rrugën drejt kënaqësisë së Zotit dhe Xhenetit të Tij. Kshtu kujdeset Zoti, duke e pastruar robin nga gjynahet dhe duke e përmirësuar gjendjen e tij me vepra të mira, që e afrojnë tek Ai. Por duhet të dihet mirë se vetëm duke kërkuar mëshirën dhe mirësinë e Tij mund të pastrohet ai që pastrohet. Një nga lutjet më të zgjedhura të Profetit (a.s) ishte: “Allahume ati nefsi takuaha ue zek-kiha ente hajru men zek-kaha ente uelijuha ue meulaha”, O Allah! Jepi shpirtit tim devotshmërinë dhe pastroje atë! Ti je më i Miri që e pastron atë. Tije Mbrojtësi dhe i Dashuri i shpirtit tim.", prandaj edhe tha:
Por Allahu pastron atë që do Ai. -
Allahu e pastron dhe lartëson atë që e di mirë se pastrohet dhe lartësohet. Ai është më i Dituri se kush e meriton dhe kush është për t’u pastruar, prandaj thotë:
Allahu dëgjon e di gjithçka. -
Ndër ata që morën pjesë në këtë shpifje e thashethem ishte edhe Mistah ibnu Uthathe, një i afërm i Ebu Bekrit. Mistahu ishte i varfër dhe muhaxhir. Duke qenë se u bë pjesë e kësaj fitneje, Ebu Bekri u betua se nuk do ta ndihmonte më me shpenzimet që i mbulonte, për shkak të fjalëve që fliste dhe pjesëmarrjen në thashetheme. Por Allahu i Madhëruar zbriti këtë ajet ku i ndalonte besimtarët nga betimi që të mos shpenzonin për të varfërin, dhe i nxit për të qenë falës e tolerantë. Madje, Ai u premton falje e mëshirë atyre që tregohen falës e tolerantë. prandaj edhe thotë: