Dhe kur fëmijët tuaj të arrijnë moshën e pjekurisë, le të kërkojnë leje (për të hyrë te ju) ashtu siç kërkojnë ata që janë më të mëdhenj (në moshë se ata). -
Pasi fëmijët arrijnë moshën e pjekurisë dhe të përgjegjësisë ligjore, që ndodh kur ata fillojnë të ejakulojnë qoftë në gjumë apo zgjuar, duhet të zbatojë ligjet e vendosura për të rriturit. Ata duhet të kërkojnë leje në të gjitha kohët, siç u shpjegua në fjalën e Allahut: "O ju që keni besuar! Mos hyni në shtëpi të huaja pa kërkuar leje dhe pa u përshëndetur me njerëzit në to! Kjo është më e mira për ju, në mënyrë që të kujtoni (atë që ju sjell mirësi). Por, nëse nuk gjeni aty asnjë, atëherë mos hyni derisa t’u jepet leje! E, nëse ju thuhet të ktheheni, kthehuni! Kjo është më e ndershme për ju. Dhe Allahu e di mirë gjithçka që bëni ju. Nuk është gjynah për ju, nëse hyni në shtëpi të pabanuara, nëse keni ndonjë përfitim në to. Dhe Allahu e di atë që e shfaqni haptas dhe atë që e mbani të fshehtë." [Nur 27 – 29].
Kështu jua qartëson Allahu Argumentat e Tij. -
Ai i qartëson këto ligje dhe rregulla të mrekullueshme dhe të dobishme.
Allahu është i Gjithëditur, i Urtë. -
Është i tillë për gjithçka që ka ligjëruar dhe i ka porositur krijesat. Në këto dy ajete ka shumë dobi, si për shembull:
- Padronët e robërve apo prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve e kanë detyrë që t’u mësojnë atyre që kanë nën përgjegjësi diturinë e dobishme fetare dhe edukatën islame, sepse Allahu i Madhëruar në ajet u drejtohet atyre për ta zbatuar këtë dispozitë kur thotë: "O ju që keni besuar! Ata të cilët i keni në zotërimin tuaj (shërbëtorët) dhe ata (fëmijët) që nuk kanë arritur moshën e pjekurisë, duhet të kërkojnë leje prej jush në tri raste: ..." Dhe kjo është e mundur veçse duke ua mësuar këtë normë dhe duke i edukuar ata. Kjo kuptohet edhe nga fjala e Allahut: "Përveç këtyre tri kohëve, nuk është gjunah as për ju e as për ata, që të vizitoni njëri-tjerin." Pra, nëse nuk e zbatojnë këtë normë, ka gjynah dhe përgjegjësi për ata.
- Rëndësia e madhe që Sheriati i jep ruajtjes së nderit dhe dëlirësisë së muslimanit, si edhe marrjes së çdo mase të mundshme për këtë. Sipas këtij këndvështrimi, në çdo vend ku rrezikohet dhe ekziston mundësia që të shihet e zbulohet aureti i njerëzve, është e ndaluar që njeriu të lahet, të zhvishet ose të kryejë nevojat. Pra, me fjalë të tjera, muslimani e muslimania marrin masat e kujdesen shumë që të mos zbulohet aureti i tyre.
- Lejimi i zbulimit të auretit në rast nevoje, si në rast gjumi, në kryerjen e nevojave e raste të ngjashme.
- Muslimanët e kishin bërë zakon që të bënin gjumin e drekës, ashtu siç flinin natën, sepse Allahu i Lartësuar u foli duke marrë për bazë gjendjen e tyre normale, me të cilën ishin mësuar.
- Edhe të vegjëlit që janë nën moshë nuk duhen lejuar dhe duhen ruajtur që të mos shohin auretin e të tjerëve dhe as të tjerët të shohin auretin e tyre, sepse Allahu na urdhëroi që të marrim leje pikërisht për diçka që nuk lejohet.
- Po kështu edhe skllavi nuk lejohet të shohë auretin e zotërisë së tij dhe zotëria nuk lejohet të shohë auretin e skllavit, njëlloj siç thamë me rastin e minorenit.
- Këshilluesit, mësuesit dhe edukatorët, të cilët flasin dhe u mësojnë njerëzve njohuritë dhe dispozitat fetare është mirë që, bashkë me këtë, t’u qartësojnë atyre urtësitë dhe logjikën e këtyre ligjeve. Ata nuk duhet të mjaftohen duke dhënë ligje, por duhet t’i argumentojnë ato dhe, bashkë me këtë, të tregojnë urtësinë, arsyetimin logjik dhe atë çfarë synojnë ato ligje. Kur Allahu i Madhëruar solli urdhrin e mësipërm, na tregoi edhe urtësinë dhe çfarë synon ky urdhër, kur tha: "Këto janë tri kohë, kur ju nuk jeni të veshur. "
- Në të tilla raste, edhe këto dy kategori, domethënë, fëmijët dhe skllevërit, janë të ngjashëm dhe mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre, ashtu sikurse dhe zotërinjtë, prindërit ose përgjegjësit ligjorë, sepse Allahu thotë: "Përveç këtyre tri kohëve, nuk është gjunah as për ju e as për ata, që të vizitoni njëri-tjerin."
- Jargët e fëmijëve nën moshë janë të pastra, edhe nëse dalin pas të vjellave të tyre, të cilat janë nexhise. Ky gjykim kuptohet nga fjala e Allahut: “tau-uafune alejkum - që të vizitoni njëri-tjerin”, ose fjalë për fjalë "të vërtiten mes jush". Gjithashtu, kuptohet edhe nga hadithi i Profetit kur u pyet për jargët e maces, i cili, për të treguar se janë të pastra, ai tha tha: “Ato nuk janë të papastra. Ato janë “tau-uafune alejkum”, pra, që vërtiten mes jush”. Duke qenë se të dyja rastet janë përshkruar si të tilla që: “vërtiten mes jush”, themi që jargët e tyre janë të pastra.
- Ajeti tregon se është e lejueshme që njeriu t’i përdorë fëmijët ose të vegjëlit që i ka nën kujdesin e tij për gjëra të zakonshme e shërbime të ndryshme, sepse Allahu i Madhëruar thotë: "...nuk është gjunah as për ju e as për ata, që të vizitoni njëri-tjerin.", pra, "të vërtiten mes jush" në shërbimin tuaj.
- Gjykimi dhe dispozita e mësipërme ka lidhje me fëmijët që janë nën moshën e përgjegjësive, ndërsa pas mbushjes së moshës, për ta hyjnë në fuqi ligjet e përgjithshme sikurse u përmend.
- Mosha e përgjegjësisë arrihet kur ndodh ejakulimi. Me këtë lidhet çdo gjykim që ka lidhje me moshën e përgjegjësisë ligjore. Kjo është konsensuale mes dijetarëve. Të gjithë janë unanimë se, nëse i ndodh ejakulimi, atëherë fëmija ka arritur moshën e përgjegjësisë ligjore. Por dijetarët kanë mendime të ndryshme për sa i përket çështjes a gjykohet për moshën e pjekurisë ligjore duke marrë për bazë ndonjë moshë të caktuar, daljen e qimeve pubike apo kritere të tjera. Allahu e di më mirë.