Ata që nuk besojnë thonë: “Përse të mos i zbriste Kur'ani atij (Muhamedit) i gjithi përnjëherë?” -
Ky ishte një nga propozimet e mohuesve, të nxitura nga mendjet e tyre të mbrapshta. Ata thoshin: “Përse të mos i zbriste Kur'ani atij (Muhamedit) i gjithi përnjëherë?” Pra, ashtu siç zbritën librat para tij, edhe Kur'ani të zbritej njëherësh. Po, atyre u thuhet: Përse nuk duhet të zbriste pjesë-pjesë dhe kohë pas kohe?! Madje, zbritja e tij në këtë mënyrë është më e dobishme dhe më e mirë. Duke treguar këtë, Zoti thotë:
Ne e shpallëm ashtu (pjesë-pjesë), në mënyrë që të forcojmë zemrën tënde nëpërmjet tij. - Ja përse Zoti e shpall Kur’anin pjesë-pjesë e kohë pas kohe: që të përforconte me të zemrën tënde. Sa herë që Profetit (a.s.) i shpallej një pjesë Kur'ani, atij i shtohej qartësia dhe përforcohej në rrugën e Zotit. Ky përforcim ndihej edhe më shumë sidomos kur zbriste gjatë kohëve të vështira dhe ngjarjeve që provokonin shqetësime e vështirësi. Kur shpallej Kur'ani në kohë të vështirë, ai kishte shumë efekt në jetën e Profetit dhe të muslimanëve. Ai bëhej qetësim dhe përforcim për zemrat e tyre. Ky ndikim nuk do të ishte i tillë nëse Kur'ani do të zbriste njëherësh dhe të kujtohej në çastet kur nevojitej.
Ne ta sollëm atë ca nga ca, ajet pas ajeti. -
Ai ta mësoi Kur'anin gradualisht. Të gjitha këto tregojnë për kujdesin e madh të Allahut të Lartësuar për Librin e Tij, Kur'anin dhe për Profetin e Tij të dashur, Muhamedin a.s. Ky përkujdes duket në faktin që Allahu i Madhëruar e vendosi që ta shpallë Kur'anin në varësi të ngjarjeve e situatave në të cilat kalonte Profeti dhe në ndihmë të tij e të fesë.