And say, "[All] praise is [due] to Allah. He will show you His signs, and you will recognize them. And your Lord is not unaware of what you do." (An-Naml [27] : 93)
Sherif Ahmeti:
Dhe thuaj: “Falënderoj Allahun, e Ai do t’ua tregojë argumentet e veta dhe do t’i kuptoni ato atëherë (kur nuk u bën dobi). Zoti yt nuk është indiferent ndaj asaj që veproni ju” (An-Naml [27] : 93)
1 Feti Mehdiu
Dhe thuaj: “Qoftë lavdëruar All-llahu, Ai do t’ju tregojë argumentet e veta dhe ju do t’i njihni!” Sepse Zoti yt nuk është indiferent ndaj asaj që bëni ju
2 Hassan Efendi Nahi
Dhe thuaj: “Falënderimi qoftë për Allahun, Ai do t’jua tregojë shenjat e Tij e ju do t’i njihni ato!” E Zoti yt, nuk është i pakujdesshëm ndaj veprave që bëni ju.
3 Tafsir as-Saadi
Dhe thuaj: “Të gjitha lavdërimet i qofshin Allahut!” - Allahut i takojnë të gjitha lavdërimet në dynja dhe në ahiret. Ai meriton të gjitha lavdërimet e të gjitha krijesave, e në mënyrë të veçantë nga të zgjedhurit e të dalluarit, më të mirët e të kulluarit prej adhuruesve të Tij. Lavdërimet dhe përlëvdimet që duhet t’i përkushtojnë ata ndaj Zotit duhet të jenë shumë më të mëdha se ato të njerëzve të thjeshtë, sepse grada e tyre është shumë më e lartë dhe afërsia me Zotin e tyre shumë më e madhe. Gjithashtu, edhe mirësia e Zotit ndaj tyre është shumë e madhe.
“Ai do t’jua tregojë (së shpejti) argumentet e Veta dhe ju do t’i kuptoni mirë ato.” - Ai do t’ju mundësojë dituri, që të mund të dalloni të vërtetën nga e kota. Kështu, patjetër Zoti do t’ju japë të shikoni shenjat e Tij, që të ndriçoheni e të shihni rrugën e Tij e të ecni mes errësirave të mëdha. Pas këtyre shenjave dhe dritës do të bëhet e mundur: "...që jobesimtarët të mund ta dinë se kanë mohuar pasi e vërteta iu bë e qartë, ndërsa besimtarët të mund të vazhdojnë të besojnë pasi e vërteta u bë e qartë. Allahu dëgjon dhe di gjithçka." [Enfal 42].
“Zoti yt nuk është i pavëmendshëm ndaj atyre veprave që bëni ju.” - Përkundrazi, Ai e di mirë gjendjen dhe punët tuaja dhe e di mirë masën e shpërblimit që meritoni për to. Ai do të gjykojë ndër ju me një mënyrë që ju do ta lavdëroni për të dhe askush nuk do të ketë ndonjë argument për të kundërshtuar gjykimin e Tij. Këtu përfundoi tefsiri i sures Neml, me mirësinë, lehtësinë dhe ndihmën e Allahut. E lus Allahun e Lartësuar që butësia dhe ndihma e Tij të jenë të vazhdueshme dhe të pandërprera për ne! Ai është më Bujari i bamirësve, më i miri Mëshirues. Ai e vazhdon mëshirën dhe përkujdesin edhe për ata që janë larguar dhe kanë lënë pas lidhjen me Të. Ai u përgjigjet dhe plotëson kërkesat e lutësve. Ai i lehtëson çështjet e vështira. Ai iu hap portat e bekimeve dhe begative të Tij. Të shumta janë dhuratat që Ai jep në çdo çast e gjendje. Ai e lehtëson Kur'anin për ata që meditojnë dhe kërkojnë mirësinë në të. Ai ua lehtëson rrugën atyre që përkushtohen t’i hapin portat e bukura të njohurive të këtij Kur'ani madhështor. Ai ka për t’i mbushur plot me mirësi dhe urtësi zemrat e atyre që shtrohen në tryezën e këtij libri dhe thellohen në meditime rreth ajeteve të tij. Të gjitha lavdërimet i qofshin Allahut, Zotit të botëve the paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi Muhamedin, familjen dhe shokët e tij! Ky tefsir u përpilua nga Abdurahman ibn Nasir ibn Abdurahman el Sadi. Allahu e faltë atë, prindërit e tij dhe të gjithë muslimanët! Ky vëllim përfundoi së shkruari nga autori në 22 Ramadan të vitit 1343 hixhri (ose në prill të vitit 1925 – red.).