Njerëzve u është hijeshuar dashuria për kënaqësitë e kësaj bote, për gratë (e hijshme), për djemtë (e pasardhësit e shumtë), për pasurinë e madhe prej ari e argjendi, për kuajt e stolisur e për bagëtinë e bujqësinë. -
Allahu i Lartësuar na tregon se njerëzve u është hijeshuar dashuria për bukuritë e kësaj jete, duke përmendur në mënyrë të veçantë disa prej tyre, sepse ato janë bukuritë më të mëdha të dynjasë. Çdo bukuri e kënaqësi tjetër është degëzim i këtyre kryesoreve. Në suren Kehf, ajeti 7, i Lartësuari thotë: “Gjithçka në Tokë, Ne e kemi bërë vetëm si stoli, për t’i provuar se cili prej tyre do të jetë më vepërmirë.”. Kënaqësitë e numëruara në ajet janë mjaft tërheqëse. Shpirti dhe zemra e njeriut i dëshiron shumë ato. Megjithatë, kundrejt këtyre kënaqësive, njerëzit ndahen në dy grupe:
1. Ata që e konsiderojnë arritjen e këtyre kënaqësive si qëllimin kryesor të jetës së tyre. Këta, çdo fjalë, vepër, mendim apo ndjenjë e kanë vetëm për hir të këtyre kënaqësive. Dëshira për të arritur këto kënaqësi i shmang ata nga qëllimi për hir të së cilit Allahu i Lartësuar i ka krijuar, duke u shndërruar kështu në kafshë të vërteta. Për ta është e rëndësishme thjesht që të përmbushin epshet dhe dëshirat e tyre, pa u shqetësuar aspak se me ç’rrugë do ta arrijnë këtë. Ata nuk shqetësohen aspak se si i fitojnë dhe si i shpenzojnë të mirat që zotërojnë. Ja, për të tillë njerëz, bukuritë joshëse të kësaj bote janë shkak për ndëshkimin dhe dëshpërimin e tyre.
2. Ata që e dinë cili është qëllimi i vërtetë i stolive të kësaj jete. Ata e dinë që Allahu i Lartësuar i ka bërë ato për të provuar besimin e njerëzve, për t’u dalluar qartë ata që i japin përparësi bindjes ndaj Tij dhe kënaqësisë së Tij, nga ata që parapëlqejnë përmbushjen e kënaqësive të pakontrolluara të kësaj dynjaje. Grupi i dytë i përdor bukuritë e kësaj jete thjesht si mjete për të arritur qëllimin kryesor: adhurimin e Allahut. Nëpërmjet kësaj jete dhe çdo çasti të saj, ata mundohen të grumbullojnë sa më shumë furnizime për rrugën e gjatë që i pret pas vdekjes. Çdo kënaqësi të kësaj bote ata e përdorin si ndihmë për të arritur përsosjen e adhurimit dhe kënaqësinë e Zotit të tyre. Kënaqësitë dhe stolitë e kësaj jete zënë vend vetëm në trupin e tyre, ndërsa shpirti dhe zemra e tyre përkushtohen për të arritur një qëllim tjetër, shumë më të lartë dhe më të vyer. Ata e dinë se mirësitë e dynjasë janë sikurse i përshkruan Allahu i Lartësuar:
Këto janë kënaqësi të kësaj bote, po tek Allahu është e ardhmja më e mirë. -
Çdo kënaqësi që shijojnë në këtë dynja, ata e shndërrojnë në një urë për të shkuar në lumturinë e përjetshme. Ata bëjnë një tregti shumë të madhe, duke shpresuar shpërblim dhe dhurata të mrekullueshme. Për këtë kategori njerëzish, bukuritë e kësaj jete janë mjete që i çojnë të sigurt te Zoti i tyre. Ky ajet është qetësues e ngushëllues për të gjithë ata të varfër që nuk kanë mundësi të shijojnë mjaft kënaqësi të kësaj bote, të cilat i provojnë të pasurit. Ajeti është, gjithashtu, edhe këshillë dhe qortim për çdo njeri që mashtrohet nga bukuritë e kësaj dynjaje. Nga ana tjetër, ai nxit të mençurit e të urtët që të tregohen asketë ndaj botës mashtruese dhe stolive të saj të kufizuara dhe të përkohshme. Ai i nxit ata që të shohin me zemrat dhe besimin e tyre shumë lart, te premtimet e mrekullueshme të Allahut.