Është Allahu Ai që ju krijon ju në një gjendje të dobët, dhe pas asaj dobësie ju jep fuqi, dhe pas fuqisë Ai sjell dobësi e thinja në kokë (pleqëri). -
Allahu i Lartësuar na njofton rreth diturisë së Tij të gjerë, pushtetit madhështor dhe urtësisë së Tij absolute. Në fillim të krijimit, njeriu është shumë i dobët. Ai fillon si një pikë lëng, pastaj si një droçkë gjaku, pastaj si një copë mishi si kafshatë e pëtypur, derisa ai bëhet një krijesë me shpirt në barkun e nënës, nga ku pastaj lind e del në këtë botë. Gjatë kohës së fëmijërisë, kjo krijesë është shumë e dobët, e pafuqishme dhe ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm. Pastaj Allahu i Lavdëruar e forcon dhe i jep fuqi këtij njeriu pak e nga pak, derisa ai arrin në kohën e rinisë, kur forcat dhe aftësitë e tij fillojnë e plotësohen. Njeriu forcohet qoftë nga ana fizike, qoftë ajo intelektuale e shpirtërore nëse do të besojë. Më vonë, vjen sërish faza e dobësimit dhe kthimit pas, që është koha e pleqërisë.
Ai krijon siç dëshiron Ai. Ai është i Gjithëdituri e i Plotpushtetshmi. -
Ai këtë e bën me urtësinë e Tij të madhe dhe të paanë. Një urtësi e kësaj është që njeriu të shohë dhe të bindet për dobësinë e tij, që të kuptojë mirë se koha e fuqisë së tij është e kufizuar nga dy faza dobësie, njëra para saj, në kohën e fëmijërisë, dhe njëra pas saj, në kohën e pleqërisë. Njeriu duhet të kuptojë se nga vetja e tij nuk pritet gjë tjetër veç mangësisë. Sikur të mos ishte fuqia që i jep Zoti, ai nuk do të arrinte atë forcë, me të cilën krenohet. Ai duhet të mendojë edhe diçka tjetër: nëse fuqia e tij do të vazhdonte të shtohej, ai do të kalonte çdo kufi në padrejtësi e rebelim. Prej urtësisë së këtij rregulli të vendosur nga Zoti është që njerëzit ta njohin mirë pushtetin e Zotit mbi çdo gjë.
Ai krijon gjërat, administron e rregullon çështjet dhe asgjë nga këto nuk e lodh Atë, nuk e dobëson e nuk ia pakëson forcën e pushtetin. Asnjë mangësi nuk mund të mendohet për pushtetin e cilësitë e Zotit të gjithësisë.