Ne u kemi sjellë njerëzve në këtë Kur'an çdo lloj shembulli. - Kjo tregon për përkujdesin e madh të Zotit për ne, për mëshirën e butësinë e Tij të madhe kur Ai na mëson atë që nuk e dimë. Ai thotë: "Ne u kemi sjellë njerëzve në këtë Kur'an çdo lloj shembulli." Nëpërmjet këtyre shembujve, Allahu na sqaron të vërtetën dhe çështjet që duhet t’i dimë. Kështu, askush nuk do të ketë më justifikim para Zotit. Nëpërmjet disa shembujve, Allahu i Lartësuar i përafron gjërat konceptuale përmes gjërave të prekshme e të dëshmueshme nga shqisat, që njerëzit t'i kuptojnë më mirë. Ndërsa në disa raste të tjera, Ai i pasqyron e i përshkruan ngjarjet që do të ndodhin aq realisht, saqë duket se ato tashmë kanë ndodhur dhe kanë përfunduar. Në Kur'an sillen shumë shembuj të tillë. Edhe në këto ajete kemi një shembull të tillë. I Lartësuari na tregon se çfarë do të ndodhë Ditën e Kijametit dhe për gjendjen e keqbërësve atë ditë. Ai na tregon për keqardhjen e tyre të madhe dhe se prej tyre nuk do të pranohen justifikimet, autokritikat apo keqardhjet. Mohuesit e fesë janë të padrejtë dhe dinë veçse të mohojnë me kokëfortësi e inat të vërtetën e qartë:
Megjithatë, çfarëdo argumenti që t’u sjellësh atyre, ata që nuk besojnë gjithmonë do të thonë: “Ju nuk bëni gjë tjetër, veçse thoni kotësira!” - Edhe nëse u sjell ndonjë shenjë mrekulli, që tregon se ajo që solle prej Zotit është e vërtetë, ata që nuk besojnë gjithmonë do të thonë: “Ju thoni kotësira!” Kështu, thonë për të vërtetën se ajo është e kotë. Në këtë mëyrë reagojnë ata ndaj shenjave e mrekullive të Allahut, sepse zemrat e tyre janë të mbushura me kufër, refuzim dhe padrejtësi, si dhe për shkak të vulosjes së zemrave të tyre. Ato zemra i vulos Zoti, ndaj janë tërësisht të painteresuara rreth Zotit e besimit të vërtetë.