Ne i dhamë Lukmanit urtësi dhe e urdhëruam të ishte mirënjohës ndaj Allahut. -
Allahu i Lartësuar na tregon rreth mirësive të shumta, me të cilat e veçoi Lukmanin, këtë rob dhe adhurues të zgjedhur. Ai e dalloi atë me dituri dhe urtësi të madhe. Ai i dhuroi dituri rreth të vërtetës dhe dispozitave të fesë. Ai i mundësoi të njihte hollësi dhe detaje të shumta të ligjit dhe urtësive të Zotit. Por i dhuroi edhe urtësi të madhe në gjithë këtë dituri, sepse ndoshta njeriu mund të jetë i ditur, por jo i urtë. Ndërsa atij që i ka dhënë urtësi, patjetër që i ka dhënë edhe dituri. Urtësia presupozon edhe diturinë. Madje, ajo presupozon edhe të punuarit sipas diturisë. Prandaj edhe shumë dijetarë e kanë përkufizuar urtësinë si: dituri e dobishme dhe puna sipas asaj diturie. Kështu, duke qenë se i dhuroi një mirësi kaq të madhe, e urdhëroi që të tregohej mirënjohës për atë që i dhuroi, që Ai t’ia shtonte nga bujaria e Tij dhe ta bekonte e lartësonte më shumë. Pastaj e njoftoi se mirënjohja dhe mirësitë që ajo sjell me vete, janë thjesht në dobi të mirënjohësve, pasi Allahu nuk ka nevojë për të.
Çdokush që është mirënjohës, këtë e bën për veten e vet. Dhe çdokush që është mosmirëjohës, le ta dijë se Allahu është i Pasur dhe i Lavdëruar. -
Kështu, ai që mohon dhe tregohet mosmirënjohës dëmton thjesht vetveten. Allahu është El Ganij - i Pasur, që s’ka nevojë për krijesat e Tij. Ai është El Hamid - i Lavdëruar për gjithçka që ka caktuar dhe ka ligjëruar, si në ligjin e Sheriatit, ashtu edhe në ligjin e krijimit të Tij. Ai është i Pasur dhe Jonevojtar, dhe kjo është domosdoshmëri e Qenies së Tij. Me fjalë të tjera, Ai është Zot, i Plotë dhe Absolut, prandaj dhe si i tillë Ai është El Ganij dhe është El Hamid - i Lavdëruar në emrat cilësitë dhe atributet e Tij. Allahu është i lavdëruar, dhe çdo gjë që Ai ka krijuar e përcaktuar është e bukur dhe e drejtë. Që të dyja këto cilësi janë tregues të madhështisë së Allahut dhe të faktit që Ai është i Plotë dhe Absolut. Vetëm njëra prej tyre do të tregonte se Ai është i Plotë e Absolut dhe përmendja e të dyjave bashkë e përforcon edhe më shumë këtë fakt. Mufesirët kanë mendime të ndryshme për çështjen, a ka qenë Lukmani profet apo jo? Por Allahu i Lartësuar ka përmendur veçse faktin se i dha atij urtësi dhe përmend disa këshilla që ai i dha të birit, të cilat tregojnë për urtësinë dhe maturinë e Lukmanit. Në këto këshilla përmenden themelet më të mëdha të urtësisë dhe rregullat bazë të saj.