Sikur të gjithë drurët në tokë të ishin pena dhe detet bojë dhe sikur detit t’i shtoheshin edhe shtatë dete të tjera, ato do të shteronin, kurse fjalët e Allahut nuk do të shteronin kurrë (së shkruari). -
Sikur të gjitha pemët e Tokës të ktheheshin në pena dhe të gjitha detet e botës, madje edhe shtatë herë sa ato, të ishin bojë për të shkruar, të gjitha penat dhe boja do të mbaronin, kurse fjalët e Allahut kurrë nuk do të mbaronin. Ky pohim nuk është ndonjë supozim i tepruar, që nuk ka vërtetësi, por është një përshkrim përafrues për njerëzit, që ata të arrijnë të kuptojnë diçka nga madhështia dhe dituria e Allahut. Në fakt, dituria dhe fjalët e Tij janë shumë më të mëdha se ky përshkrim, por Allahu e di mirë se krijesat nuk mund të konceptojnë qoftë edhe një pjesë të vogël të asaj që tregojnë emrat dhe cilësitë e Tij. Allahu u ka mundësuar robërve që të kenë njëfarë njohurie dhe diturie rreth Tij, dhe kjo është mirësia më e madhe dhe dhurata më e çmuar që u ka dhënë atyre. Kjo është grada më e lartë që mund të arrijë një njeri. Por, sidoqoftë, kjo njohuri e njeriut për Zotin e tij është përsëri e pakët dhe robi kurrë nuk mund të zotërojë njohuri të plotë për Zotin, ashtu siç është realisht Ai në madhështinë e Tij. Allahu i Madhëruar u tregon robërve rreth cilësive të Tij aq sa ata mbajnë, në mënyrë që zemrat e tyre të ndriçohen, shpirtrat e tyre të çlirohen dhe gjokset e tyre të zgjerohen. Kështu, me këto njohuri që arrijnë të nxënë, ata mund të argumentojnë dhe të arsyetojnë për madhështinë e Zotit, madhështi të cilën në këtë dynja nuk kanë forcë që ta njohin dhe konceptojnë tërësisht. Për këtë arsye, ata thonë ashtu siç ka thënë më i dituri i tyre për Zotin: "O Zoti ynë! Nuk mundemi të përlëvdojmë ashtu siç e meriton në të vërtetë. Ti qofsh i lavdëruar ashtu siç e ke lavdëruar Veten tënde!" Çështja e përshkrimit dhe cilësive të Allahut është shumë më e madhe se kaq. Ky shembull jepet për të përafruar kuptimin për mendjet e njerëzve. Kështu, edhe sikur detet dhe pemët e globit të shumëfishoheshin e shumëfishoheshin pafundësisht, ato nuk do të mund të ishin kurrë të mjaftueshme që të përfshinin apo përkufizonin fjalët e Zotit. E si mundet që diçka e krijuar të përfshijë Fjalën e Krijuesit, e cila është një nga cilësitë e Tij? Fjalët e Allahut nuk mund të përfytyrohet që të mund të kenë fund dhe kufizim. Argumentet fetare dhe ato logjike tregojnë se ato nuk kanë fund e mbarim. Çdo gjë e ka një fund, përveç Krijuesit dhe cilësive të Tij dhe çdo gjë tek Ai do të kthehet. Allahu është i pari, para të Cilit nuk ka asgjë dhe Ai është i fundit, pas të cilit nuk ka gjë. Mendja e robit është e mangët dhe e kufizuar. Sado që ajo të përfytyrojë një kohë të largët, Allahu përsëri është para saj. Po ashtu, sado që të mendojë për një kohë e ardhshme, sado e largët qoftë, Allahu është pas asaj pafundësisht e pa cak. Allahu i Madhëruar në çdo kohë gjykon, flet, urdhëron dhe vepron ashtu siç Ai dëshiron. Nëse Ai dëshiron, askush nuk mund të pengojë fjalën dhe veprën e Tij. Atëherë, nëse njeriu mediton për këtë çështje, e kupton se këta shembuj Allahu i Madhëruar i ka dhënë veçse për të përafruar kuptimet për mendjen e ngushtë të robit, pasi çështja e përshkrimit të Zotit dhe cilësive të Tij është shumë më e madhe dhe e mrekullueshme. Pastaj Allahu i Madhëruar përmend faktin se Ai është Krenar, Ngadhënjimtar dhe urtësia e Tij është e plotë dhe absolute. Ai thotë:
Allahu është Ngadhënjimtar e i Urtë. -
E gjithë krenaria, fuqia dhe ngadhënjimi i takon Allahut! Çdo shfaqje e fuqisë në botën e sipërme dhe atë të poshtme është prej Tij dhe buron nga Ai. Është Ai që u ka dhuruar krijesave çdo forcë që ato zotërojnë. Nuk ka ndryshim të gjendjes dhe as forcë pa qenë ndihma e Tij. Me krenarinë dhe fuqinë e Tij, Allahu i ka nënshtruar të gjitha krijesat e Tij dhe vepron e administron çështjet e tyre. Është Ai që kujdeset dhe rregullon çdo gjë në gjithësi. Ai i krijoi të gjitha krijesat me urtësinë e Tij. Ai e filloi krijimin me urtësi. Qëllimi i këtij krijimi fsheh urtësi të mëdha. Po me urtësi, Allahu vendosi edhe ligjin e fesë së Tij, të urdhrave e ndalesave të Tij dhe, pa dyshim, synimi i Tij me këto urdhëresa ishte urtësia. Kështu, Ai është i Urti në çdo gjë që ka krijuar dhe në çdo ligj dhe urdhër që ka vendosur. Më pas, Allahu i Madhëruar na tregon për pushtetin e Tij madhështor e absolut, të cilin logjika e njeriut nuk mund ta perceptojë plotësisht, me gjithë madhështinë e saj. Ai thotë: