Pasi përmendi besimtarët bamirës, që u ndriçuan me udhëzimin e Kur'anit dhe u përkushtuan në jetën sipas Tij, vijon me ata që i kthejnë shpinën Atij dhe nuk arrijnë të ngrenë kokë e të hapin sytë me dritën e Tij. Këta të mjerë ndëshkohen duke u privuar nga drita e udhëzimi i Kur'anit dhe duke mbushur zemrat me fjalë e besime të kota dhe të pabaza. Ata ndëshkohen, sepse braktisin fjalën më të lartë dhe më të mirë, dhe vendin e saj në zemrat e tyre e zë fjala më e ulët dhe besimi më i keq dhe i shëmtuar.
Ka njerëz që sajojnë tregime të kota, me qëllim që t’i largojnë njerëzit prej rrugës së Allahut pa patur aspak dituri dhe tallen me ajetet e Librit (të Allahut). -
Ka njerëz që janë të privuar nga drita dhe e mira, për vetë ligësinë dhe zgjedhjen e tyre të shëmtuar. Ata preferojnë ligësinë, duke e blerë atë dhe duke dhënë si çmim çdo gjë, për ta arritur. Por çfarë preferojnë dhe blejnë këta njerëz? Ata blejnë: "...tregime të kota, që t’i largojnë njerëzit prej rrugës së Allahut...", janë fjalë që e shpërqendrojnë dhe e plogështojnë zemrën nga e mira dhe e devijojnë atë nga qëllimet e larta për të cilat edhe është krijuar. E tillë është çdo fjalë haram e ndaluar nga Zoti, çdo fjalë e kotë dhe e padobishme, çdo tërësi fjalësh që ta zbukurojnë kufrin, shfrenimin e mosbindjen ndaj Zotit, çdo fjalë që të largojnë dhe pengojnë nga e vërteta, çdo fjalë e kotë, përmes së cilës polemizohet kundër së vërtetës dhe synon të mbulojë e keqtregojë të vërtetën; çdo fjalë që Zoti e ka ndaluar, si përgojimi, shpifja, mashtrimi, gënjeshtra, fyerja e fjalët e shëmtuara, muzika e veglat muzikore, që konsiderohen si zëri i shejtanit. Po kështu, janë edhe ato lloj argëtimesh që nuk i sjellin robit dobi as në dynja e as në ahiret. Këta lloj njerëzish i blejnë këto lloj fjalësh shpërqendruese e penguese nga e vërteta me një qëllim: "...që t’i largojnë njerëzit prej rrugës së Allahut...", pasi kanë humbur rrugën për veten e vet, sepse devijimi sjell devijimin. Humbja që shkaktojnë këto kotësira është pikërisht pengimi nga fjalët dhe veprat e mira, nga e vërteta dhe angazhimi me të, nga rruga e drejtë dhe përkushtimi ndaj saj. Ky devijim mund të arihet veçse duke e keqparaqitur të vërtetën dhe udhëzimin e drejtë dhe duke tallur e nënçmuar shenjat, shpalljet dhe urdhëresat e Zotit, si dhe me ata që i ftojnë njerëzit në këto urdhëresa. Kështu, nga njëra anë, ata reklamojnë dhe lëvdojnë ligësinë dhe të kotën, duke inkurajuar për të dhe, nga ana tjetër, cënojnë dhe shajnë të vërtetën, duke u tallur me të dhe me përhapësit e saj. Kjo bën që shumë njerëz të paditur të mashtrohen dhe të devijojnë. Ata mashtrohen nga fjalët e këtyre mashtruesve dhe joshen prej tyre, sepse nuk dinë të dallojnë dhe të shohin realitetin.
Për ta është përgatitur një dënim poshtërues. -
Këtë dënim e meritojnë, sepse humbin vetveten dhe shkaktojnë humbjen dhe devijimin e të tjerëve. Ata i marrin me tallje shpalljet e Zotit dhe mohojnë të vërtetën e qartë: