O gratë e Profetit! Ju nuk jeni si asnjë grua tjetër, nëse e keni frikë Allahun. -
Kjo fjalë u drejtohet të gjitha grave të Profetit (a.s). Ai u thotë: "Ju nuk jeni si asnjë grua tjetër, nëse jeni të devotshme." Nëse tregoheni të devotshme ndaj Allahut, keni për t'u lartësuar mbi të gjitha gratë e botës, pra, askush prej tyre nuk ka për ta arritur gradën tuaj. Për këtë arsye, punoni për ta kompletuar devotshmërinë ndaj Allahut me të gjitha mënyrat dhe pastrojeni nijetin, duke qenë ai veçse kënaqësia e Allahut. Për këtë arsye, ai i udhëzoi që të jenë të kujdesshme dhe t'i largoheshin çdo rruge që të çon në haram dhe cenon devotshmërinë.
Prandaj mos u llastoni në të folur që t'ju lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij, por flisni me fjalë të matura. -
Të jenë të kujdesshme kur u flasin burrave me zërin e tyre dhe me përzgjedhjen e fjalëve, në mënyrë që të mos joshet ai që, siç thotë Zoti, ka sëmundje në zemrën e vet, që të mos joshen zemrat e sëmura nga epshet dhe dëshira për imoralitet. Të tillë njerëz janë gati dhe mezi presin çdo shenjë, qoftë edhe të vogël. Kështu janë zemrat e sëmura. Ndërsa zemrat e shëndetshme nuk joshen nga diçka që është haram nga Zoti. Këto lloj zemrash të ndriçuara janë të palëkundura dhe nuk tronditen aspak nga joshjet haram. Ndryshe ndodh me zemrën e sëmurë. Ajo nuk mund të përballojë atë që e përballon aq mirë zemra e shëndetshme, siç janë joshjet dhe tundimet haram. Mjafton një tundim i vogël, dhe ajo i përgjigjet, pa gjetur forcë që të refuzojë. Ky ajet tregon se edhe mjetet kanë të njëjtin gjykim si qëllimet. Kështu të folurit me butësi e fjalë të buta me armikun është i lejuar. Por nëse ato janë shkak për haram dhe të çojnë në haram, ato gjykohen si të ndaluara. Për këtë arsye, femra duhet të jetë shumë e kujdesshme kur flet me burrat. Ajo nuk duhet t’u flasë butësisht dhe me fjalë që lënë hapësira të padëshiruara. Duke qenë se Allahu i ndaloi gratë që të flasin butësisht, ndoshta dikush mund të mendojë se ky është një urdhër për të folur me ashpërsi e vrazhdësi. Por Allahu e largon këtë keqkuptim duke i udhëzuar ato që të thonë gjithmonë fjalë të matura. Nuk ka nevojë që fjala të jetë e ashpër apo e vrazhdë, por mjafton të jetë brenda kufijve të mirësjelljes së njohur mes njerëzve. Vëreni me kujdes fjalën e Allahut kur thotë: Për këtë arsye, mos u llastoni në të folur, që të mund të lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij ...". Llastimi në të folur tregon njëfarë nënshtrimi e dorëzimi. Kur gruaja i flet burrave të huaj, nuk duhet të ndihet në të folurën e saj asnjë lloj dorëzimi apo animi tek bashkëfolësi. Kjo është e rëndësishme. Domethënë, nuk është për qëllim këtu që gruaja të flasë në mënyrë të vrazhdë e të ashpër. Gruaja mund të jetë e mirësjellshme, por nuk duhet t'i japë bashkëfolësit të kuptojë dorëzim apo anim, që ai të joshet e t'i provokohen dëshirat. Gruaja mund të flasë butësisht e me fjalë jo të vrazhda dhe, në të njëjtën kohë, të tregojë lartësi e krenari, në mënyrë që bashkëfolësi të mos ketë tërheqje drejt saj. Madje, Allahu i Madhëruar e lëvdoi Profetin e Tij për butësinë e tij dhe tha: "Në sajë të mëshirës së Allahut, ti u solle me butësi me ta. Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do largoheshin prej teje. Fali dhe kërko falje (nga Allahu) për ta! Këshillohu me ta për të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetju Allahut! Allahu i do ata që i mbështeten Atij." [Al Imran 159]. Musain dhe Harunin e dërgoi tek Faraoni dhe i porositi të thonë fjalë të buta: "Shkoni që të dy te Faraoni, sepse ai vërtet e ka tepruar! Por i flisni me fjalë të buta! Ndoshta ai mendohet e frikësohet." [Ta ha 43, 44]. Nga fjala e Allahut: "Për këtë arsye, mos u llastoni në të folur që të mund të lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij, po thoni gjithmonë fjalë të matura", nxjerrim një mësim shumë të rëndësishëm. Ne kuptojmë një mënyrë për të zbuluar nëse e kemi zemrën të sëmurë apo të shëndetshme. Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar që të ruajmë ndershmërinë dhe i ka lavdëruar ata që e ruajnë ndershmërinë. Ai na ka ndaluar që edhe t'i afrohemi imoralitetit dhe na porosit të ulim shikimet. Nga të gjitha këto kuptohet se, nëse robi sheh në veten e tij se e dëshiron gjynahun kur sheh ose dëgjon diçka haram, dhe vëren se i përgjigjet dhe vepron për të përmbushur atë gjynah, atëherë le ta dijë se e ka zemrën të sëmurë. Për këtë arsye, le të përpiqet shumë që ta shërojë këtë sëmundje dhe ta zbusë ndikimin e saj, duke e frenuar veten dhe duke e ruajtur atë nga çdo portë joshjeje dhe tundimi, që e lidhin me ato dëshira të ulta. Prej tij kërkohet një luftë dhe përpjekje e madhe për të shëruar veten dhe lutje të shumta dhe me përunjësi drejtuar Allahut që ta shërojë zemrën e tij dhe t'ia bëjë mbarë që të pastrohet. Të gjitha këto përpjekje janë detyrë për çdo njeri dhe bëjnë pjesë në urdhrin e Allahut të Madhëruar për të ruajtur ndershmërinë.