Allahu i Madhëruar e urdhëron Profetin e Tij Muhamedin (a.s)që t'u drejtohet atye që bëjnë shirk dhe t'i pyesë se në ç'argument bazohen për shirkun e tyre. Ai thotë:
Thuaj: “Kush ju furnizon ju nga qiejt e nga toka?” -
Ata patjetër do të pranojnë dhe pohojnë se është Allahu Ai që e bën. Por edhe nëse ata nuk e pohojnë diçka të tillë, ti thuaju:
Thuaj: “Allahu”. -
Askush nuk mund ta hedhë poshtë këtë pohim. Atëherë, duke qenë se është Allahu i vetmi që ju furnizon nga qielli dhe Toka, që ju lëshon shiun, që ju nxjerr bimësinë dhe bën që të rrjedhin për ju lumenjtë, ju furnizon me fruta të shumta, që vuri në shërbimin tuaj llojet e kafshëve, si furnizim dhe në dobinë tuaj, atëherë përse adhuroni së bashku me Allahun diçka tjetër, që nuk ju jep asnjë furnizim dhe nuk ju sjell asnjë dobi e mirësi?! Pastaj thuaju atyre, o Muhamed:
Atëherë, ose ne ose ju jemi në rrugë të drejtë, ose në një humbje të dukshme. -
Njëri nga dy grupet - pra, ose ne, ose ju, - është i udhëzuar ose i zhytur në një humbje të thellë e të qartë. Për të gjykuar se cili nga grupet është i udhëzuar e cili i zhytur në humbje, mjafton të shohim në çfarë fton secili, dhe përgjigjja është shumë e thjeshtë. Profeti fton në adhurimin e Allahut si një të vetëm, të Atij që është Krijuesi i të gjitha krijesave dhe Ai që kujdeset dhe rregullon çdo çështje. Ai është Dhuruesi i të gjitha mirësive. Është Allahu që ju furnizon dhe dhuron mirësi nga bujaria e Tij. Është Ai që e largon nga ju çdo ligësi dhe ju shpëton nga çdo vështirësi. Allahut i takojnë të gjitha lavdërimet, i gjithë sundimi e mbretërimi! Të gjithë melekët dhe çdo krijesë tjetër poshtë tyre janë të nënshtruar para madhështisë së Tij dhe frikës nga Ai. Atë e kanë frikë të gjithë, madje edhe ndërmjetësuesit. Askush nuk mund të ndërmjetësojë pa lejen dhe kënaqësinë e të Lartësuarit e të Madhëruarit. Allahu është i Lartësuar dhe i Madhëruar në Qenien e Tij dhe në cilësitë dhe veprat e Tij. Ai është i përshkruar me çdo cilësi e atribut absolut të bukur e të mrekullueshëm. Atij i takon bukuria e plotë, madhështia, lavdërimi, të gjitha përlëvdimet. Profeti na fton që t'i afrohemi Allahut, që është i përshkruar me këto cilësi të mrekullueshme dhe t'ia përkushtojmë të gjitha adhurimet me sinqeritet vetëm Atij. Gjithashtu, ai na ndalon nga adhurimi i çdo gjëje tjetër veç Allahut. Ndërsa nga ana tjetër janë ata që u dedikohen idhujve, putave e varreve. Ata betohen në emër të tyre, i adhurojnë dhe u afrohen këtyre krijesave, që as nuk mund të krijojnë e furnizojnë dhe që nuk zotërojnë asnjë lloj të mire as të keqe, as për veten dhe as për të tjerët. Ata nuk kanë në dorë të ta marrin jetën ose të ta japin atë dhe nuk kanë pushtetin për të të ringjallur. Ato janë thjesht sende pa jetë, që as nuk logjikojnë, as dëgjojnë gjë prej lutjeve të adhuruesve të tyre. Por edhe nëse do të dëgjonin, nuk do të mund t'u përgjigjeshin. Ditën e Gjykimit, ata do të mohojnë këto adhurime, do të distancohen nga këta adhurues dhe do të mallkojnë njëri-tjetrin. Ata nuk kanë asnjë grimcë pushteti, apo të kenë pjesë në sundimin e Zotit dhe as nuk janë ndihmës e aleatë të Zotit. Ata nuk kanë mundësi të bëjnë ndonjë ndërmjetësim pa lejen e kënaqësinë e Allahut. Por ata u luten këtyre krijesave dhe u afrohen atyre me gjithçka që të munden. Përveç kësaj, ata tregojnë armiqësi kundër atyre që e adhurojnë me sinqeritet Allahun dhe i përkushtohen vetëm Atij. Këta mohojnë profetët e Allahut, të cilët sollën Shpalljet nga Zoti, që urdhërojnë për sinqeritet vetëm për Allahun një dhe të vetëm. Nëse mendon për këto dy grupe, nuk ke nevojë të mendohesh shumë për të dalluar se kush është i udhëzuar dhe kush është i humbur dhe i dënuar përjetë. Atëherë, e kupton se cilin e pret lumturia e përjetshme dhe cilin dënimi e poshtërimi i pafund. Gjuha e veprave është më e qartë se gjuha e fjalëve.