E, kur atyre u lexohen ajetet Tona të qarta, ata thonë: “Ky është veçse një njeri që dëshiron t’ju shmangë nga ajo që adhuronin prindërit tuaj” dhe: “Ky (Kur’ani) është veçse një gënjeshtër e trilluar!” Dhe, kur u vjen e vërteta, jobesimtarët thonë: “Kjo (feja islame / Kur’ani) është veçse një magji e qartë.” -
Allahu i Lartësuar na tregon për gjendjen e idhujtarëve kur atyre u lexohen ajetet e qarta të Tij, argumentet e Tij të shfaqura e të dukshme, dhe faktet e Tij të pacenueshme dhe të prera, të cilat afrojnë dhe udhëzojnë rreth çdo të mire dhe të ndalojnë e këshillojnë të ruhesh nga çdo ligësi. Madje, këto fakte dhe argumente e kjo Shpallje e mrekullueshme janë mirësia më e madhe që Zoti u ka dhënë njerëzve dhe dhurata më e çmuar që u ka mbëritur. Ato duhet që të priten dhe respektohen nga krijesat, duke i besuar dhe pohuar si të vërteta të padiskuteshme, sipas të cilave duhet të nënshtrohesh, të jetosh dhe të adhurosh Zotin e gjithësisë dhe t'i dorëzohesh dhe t'i përulesh Atij. Por këta të mjerë bëjnë krejtësisht të kundërtën e kësaj dhe i mohojnë Shpalljet, që Zoti solli përmes profetëve. Ata i fyejnë dhe përdhosin figurën e profetëve, duke thënë për secilin prej tyre: Ky është veçse një njeri, i cili dëshiron t’ju largojë nga ajo që adhuronin prindërit tuaj. Ky është qëllimi i tij kur ju urdhëron që ta adhuroni Allahun si një të vetëm me sinqeritet. Ai synon që ju të braktisni rrugën e të parëve tuaj dhe të mos i respektoni ata. Kështu e refuzojnë të vërtetën, duke dëgjuar fjalët e të humburve dhe nuk pyesin për argumente a fakte të besueshme. Madje, as që i vënë në dyshim fjalën e tyre. Mendoni pak në arsyetimin e këtyre njerëzve të humbur dhe justifikimin e tyre për të mos pranuar të vërtetën që sollën profetët! Profeti i fton në të drejtën, që është e mbështetur me mrekulli, por edhe nga ana e logjikës dhe natyrës së pastër, kurse ata e refuzojnë, sepse të parët e tyre dhe vëllezërit e tyre që janë në të njëjtën rrugë të humbjes nuk e kanë pranuar ftesën e Profetit dhe vazhdojnë në atë rrugë që ishin. Meqë ata nuk e kanë pranuar ftesën e profetëve, - thonë ata, - edhe ne nuk do ta pranojmë. A është kjo një përgjigje që e jep një i mençur? Po të mendosh me kujdes kjo është mënyra që përdorin ata që nuk duan besimin, për të justifikuar refuzimin e ftesës së Zotit për të besuar drejt. Gjithmonë do t'i shohësh se ata paraqesin si argument fjalët dhe arsyetimet e idhujtarëve të hershëm ose filozofëve mosbesimtarë, e grupacioneve të shumta të humbura që e kanë refuzuar të vërtetën. Këta të mjerë mendojnë se, duke qenë se po marrin mendimin e këtyre njerëzve e grupeve të humbura, janë në rregull. Kështu do të vazhdojnë ta refuzojnë të vërtetën ata që nuk e duan atë, duke marrë si shembull të gjitha këto grupacione të humbura, që llomotitin kotësira, thjesht për të refuzuar të vërtetën dhe nuk bëjnë as përpjekjen më të vogël për të medituar rreth saj e për të gjykuar me drejtësi. Pasi këta të mjerë argumentojnë se pasojnë veprat dhe rrugën e të parëve të tyre dhe pretendojnë se është kjo arsyeja pse e refuzojnë të vërtetën, ata vijojnë që të shpifin kundër të vërtetës dhe të mbajnë një qëndrim edhe më armiqësor e refuzues ndaj saj. Ata thonë: “Ky (Kur'ani) është veçse një gënjeshtër e trilluar! Këto janë thjesht një mashtrim e trillim i këtij njeriu. Kjo (Feja, Kur'ani) është veçse magji e qartë!” janë magji e qartë dhe e dukshme, që mund ta dallojë çdokush.” Sigurisht, të gjitha këto fjalë janë si një rrugëdalje për të mohuar të vërtetën dhe për të mashtruar dhe manipuluar mendjen e të paditurve. Ata shpifin gënjeshtra për të bërë sa më të lehtë mohimin e të vërtetës.