Allahu ju krijoi prej dheu, pastaj prej një pike uji (sperme) e pastaj ju bëri çift. Çdo femër mbetet shtatzanë dhe lind veçse me dijen e Tij. -
Allahu i Lavdëruar na kujton krijimin e llojit njerëzor dhe kalimin e tij nga një fazë në një fazë tjetër, duke filluar nga një pikë uji, e pastaj i bëri çift. Kështu, Ai ju bën të kaloni fazë pas faze, derisa vjen në fazën kur ju lidh në marrëdhënie të ngushtë bashkëshortore mes burrit dhe gruas. Në fakt, me këtë bashkim synohet lënia e pasardhësve. Por, sidoqoftë, edhe pse martesa është një sebep që e bën të mundur këtë synim, prapëseprapë kjo mund të ndodhë veçse me caktimin dhe dëshirën e Allahut të Madhëruar. Për këtë arsye, Ai thotë: "Çdo femër mbetet shtatzënë dhe lind veçse me dijen e Tij." Po kështu, edhe të gjitha fazat e tjera nëpër të cilat kalon njeriu janë me caktimin dhe lejen e Allahut dhe me urdhrin e Tij. Ai thotë:
Askujt nuk i jepet të jetojë gjatë ose t'i shkurtohet jeta, pa qenë kjo e shënuar në Libër (Leuhi Mahfudh). -
Ai që jeton gjatë, jeton me dijen, lejen e caktimin e Zotit. Edhe nëse dikujt i shkurtohet jeta, për shkak të atyre shkaqeve që Zoti i ka bërë të tilla, kjo ndodh sërish me diturinë e Zotit. Ndër shkaqet që shkutojnë jetën, Profeti ka përmendur zinanë (marrëdhëniet jashtëmartesore), padrejtësinë ndaj prindërve, ndërprerjen e lidhjeve farefisnore e të tjera vepra të ngjashme. Me fjalë të tjera jetëgjatësia ose shkurtimi i saj, me shkak apo pa shkak qoftë, të gjitha rastet janë në dorë të Allahut dhe ndodhin me dijen e Tij. Madje, të gjitha këto Ai i ka shënuar në një libër. Në këtë libër janë shënuar të gjitha sa i ndodhin robit në jetën e tij, në të gjitha kohët.
dhe kjo është e lehtë për Allahun. -
Dituria e Tij gjithëpërfshirëse e fjalëve e veprave të robërve, shkrimi i të gjitha atyre në libër, ringjallja e tyre pas vdekjes, të gjitha janë të thjeshta për Allahun e Madhëruar. Në këto ajete, Allahu i Lartësuar na tregon disa argumente logjike për vërtetësinë e ringjalljes. Kështu, Ai tregon se si e ngjall tokën pas vdekjes e shkretimit të saj. Ai që e ringjall tokën pasi është shkretuar, Ai ka për t'i ringjallur edhe njerëzit pas vdekjes së tyre. Po kështu, Allahu i Madhëruar përmend faktin se si Ai e bën njeriun që të kalojë nga një fazë në një tjetër. Ai që e krijoi njeriun nga dheu, dhe pastaj e bëri që të kalojë nga një fazë në një tjetër, Ai është i plotpushtetshëm që ta risjellë në jetë ashtu siç ka qenë, dhe kjo është e lehtë për Të. Gjithashtu, Allahu i Madhëruar përmendi faktin se dituria e Tij ka përfshirë çdo pjesë të gjithësisë, qoftë asaj qiellore, qoftë asaj tokësore, qoftë gjërat e imta e të padukshme, qoftë ato të mëdha e gjigande. Ai është i Gjithëditur për ato gjëra që fshihen brenda gjoksit dhe për embrionet e krijuar brenda barkut të nënave. Allahu i Madhëruar është i Gjithëditur edhe për kohën e jetës së krijesave, për shtimin e pakësimin e saj. Të gjitha këto Ai i ka shkruar në një libër. Kur të gjitha këto çështje janë të thjeshta për Të, atëherë vlen të thuhet me bindje se rikrijimi i krijesave e rikthimi i tyre në jetë është më i thjeshtë për Të. I lavdëruar qoftë Allahu, mirësitë e të Cilit janë të shumta e të panumërta. I lavdëruar dhe madhëruar qoftë Ai, që i njoftoi robërit e Tij për çdo mirësi dhe çdo gjë që rregullon çështjet e tyre, të dynjasë dhe të ahiretit!