Dhe Ne kemi krijuar për ta (mjete) të ngjashme me të, me të cilat udhëtojnë. -
Për njerëzinë që do të vijnë më pas, Ne do të krijojmë të tjera mjete, të ngjashme me ato (anijet), që ata të hipin. Kur përmendi mirësinë që u bëri duke i mbartur në anije, Allahu përmendi se ajo ishte mirësi për pasardhësit, sepse mirësia për paraardhësit është mirësi edhe për pasardhësit, të cilëve Ai do t'u mundësojë mjete të tjera të ngjashme me ato të paraardhësve, që ata të udhëtojnë e ngarkojnë mallrat e tyre. Por ka mundësi që me fjalën "pasardhësit" të jetë pasur për qëllim "lloji njerëzor" ose "njerëzimi". Në këtë rast, kuptimi do të ishte: "Ne i bartëm pasardhësit e tyre (pra të njerëzimit) në anijen e ngarkuar (të Nuhut)." Kështu nuk do të ishte e nevojshme që të nënkuptonim "paraardhësit", siç u përmend më sipër. Allahu i Madhëruar u drejtohet atyre njerëzve që iu drejtua ky Kur'an në fillim, që të kujtojnë mirësinë e Tij kur e shpëtoi llojin e tyre duke i mbartur në anije. Ai e dinte mirë se shumë shenja më të mëdha do t'u shfaqeshin njerëzve edhe në kohët më pas, kur Ai t'u mësonte njerëzve të ndërtonin mjete të tjera për lundrim, fluturim e për lëvizje në tokë. Për këtë arsye, në fillim tha: "Argument për ta është edhe se Ne i bartëm pasardhësit e tyre (të njerëzimit) në anijen e ngarkuar (të Nuhut)." Le të shërbejnë si shenja madhështore për ju, këto anije të mbushura plot me njerëz dhe mallra, të cilat Allahu i ruan nga mbytja.